Rifat Kukaj, inteligjent, i zgjuar, qesh me ironi dhe flet me thumba
Rifat Kukaj. Redaktor në Radio-Prishtina për emisionin e fëmijëve. Së shpejti mund të kalojë redaktor në Entin Botues “Rilindja”. Vjen për herë të parë në vendin tonë. Është inteligjent, më i zgjuari në tërë grupin, njeri i përmbajtur, pa impulse, qesh me ironi dhe flet me thumba.
Qysh kur erdhi, deri sa u largua, për të kishte dy tema: femrat dhe pija. Sipas tij, këto biseda i hapte , pasi nuk dëshironte të bisedonte për gjëra të tjera në praninë e shokëve. Kur ishte vetëm fliste lirisht, por kurdoherë pa emocione. Ashtu si Vehbiu edhe Rifati ka deklaruar se po të vijë koha, ai i pari do ta hedhë bombën aty ku duhet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Kishte njohuri e të dhëna për historinë, gjeografinë dhe politikën e vendit tonë.
Interesohej për emra fshatrash, vendesh, prodhimesh. Dinte me përpikëri se ku ndodhej një vend i caktuar. P.sh. ai dinte se pas asaj kodre ndodhej Delvina. Me atë tonin e tij të qetë, të ftohtë, deklaronte se dinte shumë për ndërhyrjet e UDB-së gjatë viteve 1947-1948 e më pas, se kishte lexuar shumë literaturë për të. Ai fliste kundër atyre që ishin dhënë pas luksit dhe pas pronës private. Kjo duket kontradiktore kur ai vetë mbahej shumë mirë dhe kishte tokë e bagëti, pronë private në Drenicë. Interesohej shumë për armët: ku i ka armatimet Ushtria, a është i armatosur populli?
Kur kalonim nga Tepelena, poshtë rrugës automobilistike, pa një repart ushtarak e tha: “Ushtarët i pashë, por armë nuk pashë”. Vehbiu i tha: “Në do ta dish, raketat janë nëpër tunele e s’mund t’i shohësh”. Pinte shumë duhan e konjak. Respektonte Maksut Shehun e tërhiqej para tij, pasi, siç thoshte ai, e njihte mirë se çfarë grindaveci e pijaneci ishte Maksuti. Tërheqjen ua këshillonte edhe të tjerëve.
Edhe ky është i interesuar për policët, për oficerët dhe për çmimet. Dëshira e tij e madhe ishte që të vinte Rahman Dedaj në vend të Maksutit. Dinte dhe na tregonte vazhdimisht anekdota kundër Titos, serbëve etj. Këto i tregonte edhe në praninë e Vehbiut, por jo para të tjerëve. Gjithmonë pas vizitave ky bënte shënimet në libër dhe të tjerët firmosnin. Nga çdo qytet dërgonte shumë kartolina dhe kërkonte të vinim firmat të gjithë ne dhe në disa raste ngulte këmbë të shkruanim plotësisht emrin dhe mbiemrin.
Kërkoi pjesë teatrale të dramatizuara nga Radio-Tirana, karikatura nga Hosteni dhe duhan “taraboshi” për llullën (la kërkesën t’i dërgohen disa pako me duhan të tillë).
Ishte i dhënë pas numizmatikës (mblidhte lekë). Pretendonte se djali i tij pesëmbëdhjetëvjeçar e kishte porositur për një gjë të tillë. Kishte mjaft valutë (dollarë), e bleu shumë suvenire.
Shpesh përmendte, si me shaka, “Po të vinja disa vjet më parë, nuk do të kthehesha se më pëlqejnë shumë vajzat këtu, do të dëshiroja ta martoja djalin…”!
Ai theksonte se duhej marrë parasysh gjendja, kushtet në të cilat ndodheshin, se tani për tani kryesorja është që të luftohet për të shfrytëzuar deri në maksimum të gjitha të drejtat që ua siguronte Kushtetuta.
Gjuhë urrejtjeje kundër serbëve, admirim për kroatët
Premtoi se nga Shqipëria do të shkruante si “Shënime udhëtimi” 4-5 vjersha. Fliste kundër serbëve, admironte kroatët. Rifati sugjeroi se do të ishte mirë që t’u krijohej mundësia sa më shumë që të jetë e mundur për të ardhur në vendin tonë, shkrimtarëve dhe publicistëve, jo vetëm kosovarë, por edhe të atyre që janë miq të Shqipërisë, të cilët kanë folur e shkruar mirë për Shqipërinë.
Ai tha se një artikull i shkruar në gazetën “Delo” të Lubjanës nga poeti dhe publicisti Herman Vogël, bëri jehonë të madhe. Studentët e Lubjanës u ngritën në demonstratë për të zbatuar parimet e arsimit, të shkollës shqiptare, si në Shqipëri. Ata mbanin në duar gazetën “Delo”, ku ishte botuar edhe një fotografi e Llazar Siliqit. Rifati tha se gazetari Drago Karl, i gazetës “Delo”, që e simpatizon Shqipërinë, ka kërkuar të vijë në Shqipëri. “Mendoj”, vuri në dukje, “se do të ishte pozitive kjo vizitë, pasi është gazetar me kurajë, dhe sipas mendimit tim, do të ndriçonte drejt situatën që ekzistonte sot në Shqipëri, duke hedhur poshtë parullat antishqiptare”.
Rifati hiqej sikur ishte kundër sistemit të vetadministrimit në ekonominë jugosllave, duke e konsideruar si një dështim.Agim Deva me tepër dëgjonte sesa flisteAgim deva. Redaktor përgjegjës i gazetës së pionierëve, organ informativ. I biri i Veli Devës, personalitet i njohur në Jugosllavi. Ka kryer studimet e larta në Prishtinë. Dhe tani përgatitet për të mbrojtur magjistraturën.
Shumë i ri në moshë, i datëlindjes 1948.
Në pamje të parë duket i qetë, por në të vërtetë e përmbante veten. Ditët e para nuk fliste fare. Më vonë filloi të flasë, por pak. Më tepër dëgjonte, ndiqte me vëmendje bisedat e të tjerëve. Është pak mendjemadh dhe mbahet për pozitën që ka i ati.
Në hotel vazhdimisht flinte me Qamil Batallin. Me të gjithë bisedonte njëlloj. Me Maksut Shehun ka pasur raste kur janë zënë edhe në praninë tonë, siç qe rasti gjatë rrugës Librazhd-Elbasan. Zënka ishte për çështje rrogash dhe përgjegjësia në organet që nxjerr Enti Botues “Rilindja”. Kaluan në ofeza reciproke. Të tjerët nuk ndërhynë. Më vonë Rifat Kukaj sqaroi: “Gjithmonë tërhiqemi në raste të tilla, se Maksuti është nevrik, don t’i shkojë e vetja, është grindavec”.
Ndërsa Agimi tha mënjanë: “Vetëm unë ia thyej hundët Maksutit, se mua s’ka ç’më bën”.
Agimi ka kritikuar shokët për nënvleftësim nga ana e tyre të letërsisë kosovare gjatë bisedës që u bë në Shtëpinë Botuese “N. Frashëri”. Edhe për këtë janë zënë. Maksuti ka ndërhyrë dhe duke përkrahur Agimin, e ka ofenduar rëndë Vehbi Kikajn. E shau nga nëna. Vehbiu nuk i është përgjigjur.
Agimi interesohej shumë për veshjen e ushtarakëve
Agimi interesohej shumë për dallimin nga veshja të oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve dhe policëve. Interesohej gjithashtu a mësohet gjuha kineze në shkollat tona, a ka shumë kinezë dhe ç’rroga marrin. (Megjithëse rrallë kanë parë kinezë, policë, oficerë dhe ushtarë).
Agimi njihte mirë kursin e këmbimit të lekut me dinarin dhe anasjelltas, bënte përllogaritje në çast.Ngrinte shumë çështjen e arsimit në Kosovë, si kundërpeshë e zhvillimit të sistemit tonë arsimor, për të cilin fliste fjalë të mira. Gjatë bisedave për bursat dhe arsimin në Kosovë, pranonte deri diku vartësinë e studentit nga ndërmarrjet ekonomike, të cilat u jepnin bursën ose u akordonin hua studentëve, me kushte që ata pas kryerjes së studimeve, të punonin në atë ndërmarrje për disa vjet, derisa të shlyenin detyrimet.Agimi u habit kur pa sa afër ishte Korfuzi me Sarandën dhe kufiri në përgjithësi. Nuk mund ta merrte me mend që flota e 6-të amerikane dhe ajo sovjetike të silleshin aq afër Shqipërisë. /vijon/