in

Shyqri Haxha s’e përfill drejtësinë e Kosovës

Pasi që ai gjendet në Mbretërinë e Bashkuar, dështon të mbahet seanca, ku ai akuzohet për lidhje të kontratës që i kishte shkaktuar dëm PTK-së në vlerë mbi 9 milionë euro.

Në mungesë të ish-Kryeshefit Ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Shyqri Haxha ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar në rastin ku ai po akuzohet për lidhje të kontratës së dëmshme.

Shyqri Haxha në cilësinë e personit përgjegjës- kryeshef ekzekutiv i PTK-së akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore duke lidhur kontratë me kompaninë “Amdocs Development Limited”, pa marrë aprovimin nga aksionari- Qeveria e Kosovës dhe me këto veprime, pretendohet se i akuzuari i ka shkaktuar dëm PTK-së në vlerë 9,891,022.81 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së premtes, gjykatësi Sabit Sadikaj ka njoftuar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ramë Gashi përmes një shkrese e kishte njoftuar gjykatën paraprakisht se i mbrojturi i tij gjendet në Mbretërinë e Bashkuar dhe për shkak të masave anti-covid nuk ka mundur të vijë në Kosovë.

“I mbrojturi im gjendet në Angli , ku janë të mbyllur të gjithë kufijtë dhe është i pamundur udhëtimi nga ky shtet”, tha avokati Gashi.

Prezent në seancë ishte edhe prokurori Bashkim Zeqaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Gashi ka njoftuar se përmes shkresës do t’i propozojë gjykatës që seanca ndaj të mbrojturit të tij, të mbahet në formën virtuale.

“Une kisha propozu me shqyrtua mundësinë që mu mbajt seanca përmes “Zoom”-it, veç po du me ju konfirmu që aj ka vullnet me ardh sa ma shpejt por që biletat ju kanë anulu. Këtë propozim do e dorëzojë në formë të shkruar”, tha avokati Gashi.

Meqenëse nuk kishte kushte për tu mbajtur kjo seancë, gjykatësi e ka shtyrë seancën në afat të pacaktuar për shkak të gjendjes së shkaktuar nga pandemia në Angli.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 tetor 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Shyqri akuzohet se ka kryer veprën penale “lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 237 par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2010, i akuzuari Haxha në cilësinë e personit përgjegjës – Kryeshefit Ekzekutiv të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), me dashje dhe me qëllim që të shkaktojnë dëm material, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore, duke mos marrë aprovim nga aksionari- Qeveria e Republikës së Kosovës, ku me 8 mars 2010, PTK i dërgon planin e biznesit për vitin 2010, së bashku me projektin PTK Building Platforme Lot 1 dhe Lot 2, dhe në ndërkohë derisa plani i biznesit ka qenë duke u shqyrtuar nga Qeveria, i akuzuari ka lidhur kontratë për faturim të ri dhe atë të VALA-sa dhe Telekomit të Kosovës “PTK Building Platforme- Lot 1 dhe Lot 2” me kompaninë “Amdocs Development Limited”.

Tutje në aktakuzë thuhet se më 20 maj 2010, Qeveria- aksionari, i dërgon PTK-së listën me projektet e aprovuar dhe në këtë list mungon aprovimi i projektit “Platforma e Faturimit të PTK-së”, ashtu që ka vepruar në kundërshtim me nenin 12 të statutit të PTK-së, ku shprehimisht thuhet se “Kompania (PTK) duhet të siguroj aksionarit planin e saj të biznesit për secilin vit fiskal të kompanisë dhe se shqyrtimi dhe aprovimi i aksionarit do të kërkohet para se kompania të implementojë planin e tillë biznesor”, si dhe në kundërshtim me nenin 30 të ligjit për Ndërmarrjet Publike

Siç thuhet në aktakuzë, me këtë i ka shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së, ngase e njëjta me kërkesë të Aksionarit me 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën e lartcekur dhe pas kësaj “Amdocs Development Limited”, ka iniciuar procedurën për kompensimin e dëmit pranë Tribunalit të Arbitrazhit në Londër me padi ndaj PTK-së, dhe si pagesë kësaj kompanie i është paguar nga PTK-ja shuma prej 9,000,000.00 euro si dhe shpenzimet e tjera të bëra lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate në vlerën prej 891,022.81 euro, apo në shumën e përgjithshme në vlerë prej 9,891,022.81 euro, me cka të dëmtuarës PTK-së i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe. /BetimipërDrejtësi

Lini një Përgjigje

U zhvillua ceremonia e rivarrimit të Imzot Mark Sopi në Kripten e Katedrales

Qytetarëve u rrezikohet jeta nga aksidentet në Tiranë