in

Shteti ia hoqi mbi 7 milionë euro borxhe oligarkut Mane

Një hetim i gjatë i ATK-së e ka ngarkuar me mbi shtatë milionë euro borxhe tatimore NewCo Ferronikelin, kompaninë në pronësi të Saimir Manes. Por një proces i dyshimtë, pjesë e të cilit ishte hetuesi që kishte zbuluar skemën e mashtrimit financiar, ia ka fshirë ato.

Buxheti i Kosovës do të ishte për shtatë milionë euro më i pasur, nëse Administrata Tatimore e Kosovës nuk do t’ia fshinte mbi 7 milionë euro borxhe oligarkut, Saimir Mane.

Gazeta Insajderi, ka zbuluar një skandal të madh në ATK, që lidhet me fshirjen e borxheve të kompanisë së miliarderit nga Shqipëria. Bëhet fjalë për një borxh tatimor rreth shtatë milionë euro, që i është hequr kompanisë NewCo Ferronikeli Complex L.L.C.

Në shkurt të vitit 2020, ATK-ja ia ka fshirë gjigantit metalurgjik obligimet shtesë tatimore me të cilat ishte ngarkuar në verën e vitit 2018, bazuar në dy raporte hetuese të nxjerra nga Drejtoria e Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës (DHTI).

Vendimit për ngarkimin e kompanisë me mbi shtatë milionë euro borxhe tatimore, i ka paraprirë një hetim nën dyshimin për shmangie tatimore dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Hetimet ishin autorizuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Insajderi, ka siguruar dosjen e plotë të rastit, e cila përfshin dy raportet hetimore, vendimin e Departamentit të Ankesave dhe dëshmi të tjera të cilat hedhin hije dyshimi mbi shlyerjen e borxhit të NëëCo Ferronikeli.

Asokohe, pronare e vetme e NeëCo Ferronikeli Complex L.L.C figuronte Cunico Resources NV, një firmë private me seli në Amsterdam të Holandës.Një muaj para se ATK-ja ta ngarkonte NeëCo Ferronikelin me borxhin milionësh, në korrikun e vitit 2018, Cunico Resources NV ia kishte shitur aksionet e Ferronikelit, firmës NKL Limited, me bazë në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

Kompania është pronë e Grupit Balfin të Saimir Manes.

Afarizmi i pronarit të mëhershëm të NeëCo Ferronikelit kishte zhytur ndërmarrjen në mbi 8 milionë euro borxhe tatimore. Mane, kishte marrë përsipër edhe shlyerjen e borxheve që Ferronikeli kishte ndaj palëve të treta.

Megjithatë, në vend të shlyerjes së këtij borxhi ndaj shtetit të Kosovës, kompania tashmë në pronësi të oligarkut Mane, kishte përzgjedhur një rrugë tjetër. Kishte vendosur të mos e njihte këtë borxh. Si rrjedhojë, ATK-ja ia kishte fshirë borxhin 7 milionësh.

Drejtoria e Hetimeve Tatimore nisi hetimet më 31 janar të vitit 2018, ndaj NewCo Ferronikelit nën dyshimin për evazion tatimor. Këtë e dëshmojnë dokumentet që ka siguruar gazeta.

Objekt kontrolli ishte periudha gjashtë vjeçare nga 2010 deri më 2016.Raportet hetimore të Njësisë së Hetimeve Tatimore (DHTI) kanë trajtuar tri çështje: shpenzimet me përmbajtje të pavërteta, ngarkesën me 800 mijë euro TVSh dhe bartjen e humbjeve tatimore.

Përfundimi i hetimeve kishte rezultuar me ngarkimin e firmës NewCo Ferronikeli Complex me 7,4 milionë euro detyrime tatimore.

Por, kompania e udhëhequr nga oligarku Mane, kishte dalë “pastër” nga ky proces. Më 1 shkurt të vitit 2019, Departamenti i Ankesave në ATK, kishte rikthyer çështjen në rivendosje.

Një vit më vonë, një procedurë e dyshimtë ri-kontrolli hetimor i ka vërtetuar ankesat e NeëCo Ferronikelit. Ia ka hequr borxhet tatimore kompanisë, ndërkaq, siç ka mësuar Gazeta Insajderi, Prokuroria ka pezulluar hetimet ndaj katër ish-pronarëve të NeëCo Ferronikelit.

Borxhet ishin fshirë pas një procesi të dyshimtë, në cilësi të shkallës së dytë, pjesë e të cilit ishte hetuesi i ATK-së, Bekim Halili, i njëjti zyrtar që kishte zbuluar skemën e evazionit tatimor të kompanisë.

Ai dyshohet se është vënë nën presion nga menaxhmenti i lartë i ATK-së që përmes një procedure tjetër t’i hidhte poshtë dëshmitë që kishte prezantuar në hetimin e parë.

Asokohe, funksionin e drejtorit të ATK-së e ka ushtruar Ilir Murtezaj, i cili është shkarkuar nga pozita më 16 tetor të këtij viti me vendim të kryeministrit Avdullah Hoti. Në vendimin e qeverisë, thuhej se Murtezaj u shkarkua shkaku i performancës së dobët, shkruan ndër të tjerat në një hulumtim të gazetës Insajder.

Lini një Përgjigje

NATË NËNTORI NË DAMASK

Ministrja Obradoviq: Gent Cakaj ka akuzuar Serbinë për krime ndaj shqiptarëve