in

Shtëpia e Bardhë feston madhështinë dhe bukurinë e Amerikës

“E bukura Amerikë,” kjo është tema e zbukurimeve të Krishtlindjes këtë vit në Shtëpinë e Bardhë.

Melania Trump thotë se tema u zgjodh për të shpalosur “madhështinë“ e Shteteve të Bashkuara.

Zbukurimet në pemën e Krishtlindjes që është vendosur në Dhomën Blu të Shtëpisë së Bardhë, një bredh i sjellë nga Shepherdstaun i Virxhinias Perëndimore, u krijuan nga nxënës në të gjithë vendin, të cilëve Shërbimi Kombëtar i Parqeve u kërkoi të vinin në dukje individë, vende dhe objekte që spikasin nga bukuria në shtetin e tyre.

Punonjësit e shërbimeve jetike që përballen përditë me pandeminë që ka vrarë mbi 260,000 vetë në Shtetet e Bashkuara, nderohen me një pemë të vendosur dhe zbukuruar në Dhomën e Kuqe.

Një maket i Shtëpisë së Bardhë i bërë i tëri prej biskote, çokollate dhe kremi zbukurues, me peshë prej 181 kg, për herë të parë përfshin edhe kopshtin e trëndafilave, i cili kohët e fundit u rregullua me nismë të zonjës Trump dhe tani mban emrin Kopshti i Zonjave të Para.

Kjo është Krishtlindja e fundit që familja Trump do të kalojë në Shtëpinë e Bardhë, megjithëse Presidenti Trump vazhdon të këmbëngulë, megjithë faktet e shumta që dëshmojnë të kundërtën, se ka fituar në zgjedhjet e 3 nëntorit.Presidenti i zgjedhur Joe Biden dhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris do të bëjnë betimin më 20 janar.

Vullnetarë nga i gjithë vendi kanë ndihmuar për zbukurimin e Shtëpisë së Bardhë pas Ditës së Falenderimeve, kur filluan të vendosen 62 bredhat, 106 kurorat zbukuruese, mbi 366 metra shirita festivë dhe mbi 3200 llampa. Shtëpia e Bardhë ftoi gazetarët të hënën të vizitonin mjediset e zbukuruara për Krishtlindje, shkruan VoA.

“Gjatë katër viteve të fundit kam pasur nderin të vizitoj disa nga pikat më të bukura të këtij vendi dhe të takoj qytetarët më të dashur e më patriotë të Amerikës,” tha përmes një deklarate Zonja e Parë. “Nga një oqean në tjetrin, lidhjet që kanë amerikanët mes tyre ushqehen nga respekti për traditën, vlerat, historinë, të cilat kanë shërbyer si frymëzim për zbukurimet e këtij viti”.

Lini një Përgjigje

Sot shënohet Dita e AIDS-it në kohën e COVId-19

Ahmet Zogu dhe heronjtë që vetëkrenohen