in

Shqiptarët e serbët përplasen shpeshherë në Boletinin e Isës për Kërshin e Hysenit

Shkruan: Hysni Syla

Prapa Kompleksit të Kullave të Heroit Isa Boletini, është një vend i quajtur “Kërshi i Hysenit”, që i ndanë Boletinin të banuar me shqiptarë dhe Grabovcin të banuar me serbë.

Një garë e gjatë dhe me plot ashpërsi dhe me rreziqe po vazhdon midis shqiptarëve dhe serbëve në një pjesë të fshatit Boletin të Shalës së Bajgorës në Komunën e Mitrovicës.

Prapa Kompleksit të Kullave të Heroit Isa Boletini, është një vend i quajtur “Kërshi i Hysenit”, që i ndanë Boletinin të banuar me shqiptarë dhe Grabovcin të banuar me serbë, fshatra këto që bëjnë pjesë në Komunën së Zveçanit të administruar nga serbët.

Sipas përfaqësuesit të Boletinit, Xhevat Peci, ky lokacion ka gjurmë të një qytetërimi të lashtë, pasi që përreth masivit shkëmbor të quajtur “Kërrshi i Hysenit”, deri vonë ka ekzistuar një mur prej guri,por që koha e ka dëmtuar pothuaj tërësisht.

“Përveç murit, këtu përreth masivit shkëmbor, në maje të të cilit tij ka edhe një guri disa tonësh lëvizës, gjenden edhe pjesë të tjegullave të forta dhe shumë interesante, si dhe gjësende të tjera, që të bëjnë të kuptosh se aty ka pas jetë. Fatkeqësisht, deri sot, askush nga institucionet shkencore apo të tjera të Republikës së Kosovës, nuk ka dalë për të hulumtuar se për çfarë bëhet fjala”, thotë Xhevati.

Ndërkaq, djali tij, Kujtimi, rrëfeu ngjarje interesante që po zhvillohen përreth “Kërshit të Hysenit”, në Boletin. Ai tregon se këtë vend e frekuentojnë shpesh edhe shqiptarët, sidomos të rinjtë e Boletinit, por edhe serbët nga fshatrat e komunës së Zveçanit.

“Mbi kërshin masiv e të lartë mbi dhjetë metra, në gurin lëvizës që qëndron aty, serbët në njërën anë kanë vizatuar simbolin e tyre me katër “S”, ndërsa që në anën tjetër të tij, shqiptarët kanë shkruar UÇK dhe AKSH. Kush arrin i pari mbi shkëmbin masiv, ai menaxhon hapësirën jashtëzakonisht të gjerë dhe strategjike, shqiptare dhe serbe”,thotë Kujtimi.

Madje sipas tij, për të kontrolluar këtë hapësirë shqiptarët dhe serbët janë konfrontuar disa herë, duke përdorur edhe armë automatike.

“Para pak vitesh ishim këtu tek Kërshi i Hysenit, nëpër rrugën e asfaltuar nga Rudari i banuar me serbë, që shpie në kishën e Boletinit, kanë ardhur disa ekstremistë serbë, të armatosur deri në dhëmbë. Kërkuan që shqiptarët të largohen nga aty, por që këta nuk e përfillën urdhrin e tyre. Atëherë banda serbe ka filluar të gjuajë me armë të gjata, që megjithatë nuk i frikësuan shqiptarët. Por, për t’u vetëmbrojtur, edhe shqiptarët filluan të shtinë me armë, gjë që i frikësoi banditët dhe filluan të ikin në drejtim të Zveçanit”, tha ai.

Në vazhdim Kujtimi tregon se sa herë që ka incidente në Mitrovicë, serbët ngjiten në maje të Kërshit të Hysenit, po qe se shqiptarët nuk gjenden aty.

Vërtet kur njeriu ngjitet në maje të masivit shkëmbor, tek guri lëvizës, e sheh se sa strategjike është kjo pikë dhe e kupton përse serbët ngjiten për të pushtuar atë.

Kjo bëhet për të vetmen arsye, sepse nga aty shihen të gjitha fshatrat shqiptare që mund të kenë dalje në rrugën magjistrale Mitrovicë-Leposaviq. Pra, nga aty shihet Boletini, Zhazha, Vllahija, Rahova, Stantërgu, por edhe Kutllovci, Bajgora, Cërnusha dhe Zasella. Nga aty kontrollohen të gjitha rrugët, për të cilat serbët mendojnë se mund të rrezikohen vendbanimet serbe në rastet e zhvillimeve të ndryshme, andaj edhe vazhdimisht vrapojnë për të pushtuar Kërshin e Hysenit.

Lini një Përgjigje

Veprat shqipe të botuara në Zarë të Kroacisë

Sot mbahet seancë e veçantë në përkujtim të viktimave të gjenocidit serb