Në Preshevë shumica është absolute shqiptare mbi 90%, në Bujanovc është diku 56%. Por në Medvegjë situata është shumë më e dhimbshme, aty jetojnë vetëm 500-600 shqiptarë.
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Republikës së Serbisë, z. Shaip Kamberi, në një intervistë për “Balkan Talks”, thotë se shqiptarët në Luginën e Preshevës gjithmonë janë përballur me probleme për shkak të diskriminimit nga serbët.
“Është një realitet i zymtë politik, një popullsi gjithnjë e më tepër duke u zvogëluar që ballafaqohet për njëzet vite, ndoshta dhe më shumë nëse vendosim dhe periudhën e Milosheviqit, me një diskriminim të egër shtetëror,”- shprehet Kamberi.
Kjo situatë e vështirë ka ndikuar dhe në largimin e shumë prej shqiptarëve nga vendi i tyre.
“Sot pavarësisht kësaj, që ka ndodhur, të largimit të shumë njerëzve, në Preshevë shumica është absolute shqiptare mbi 90%, në Bujanovc është diku 56%. Por në Medvegjë ajo që është më e dhimbshme është se aty jetojnë vetëm 500-600 shqiptarë, pjesa tjetër është në Kosovë,”-tregon Kamberi.
Pjesa më e madhe e partive serbe i bojkotuan zgjedhjet e fundit por partitë shqiptare morën pjesë në zgjedhje dhe ai tregon arsyen.
“Gjithmonë kemi menduar se pjesëmarrja është rruga më e mirë t’i thuhen të vërtetat në sy të tyre atje dhe kjo çështja e bojkotit të një spektri të caktuar politik shqiptar i ka shërbyer si alibi Serbisë. Ne dëshirojmë të bisedojmë me shqiptarët, por ja këta janë bojkotues, në anën tjetër ata nuk kanë nisur asnjë proces dialogimi me neve që ishim pjesëmarrës,”- tha z. Kamberi.
Ai thotë se, politika serbe duhet të kuptojë se shqiptarët janë një popull i rëndësishëm dhe duhet të shohin të ardhmen dhe jo të shkuarën.
“Shumica e partive opozitare edhe e partive që ishin dikur blloku parlamentar e akuzojnë Millosheviqin dhe Vuçiqin se po e shet Kosovën. Ata nuk kanë koncept të pajtimit me shqiptarët, nuk mbizotëron logjika e Dimitro, i cili thotë që me shqiptarët duhet të kemi marrëdhënie të mira, fqinjësi të mirë sepse janë popull i rëndësishëm në Ballkan”-tregon Kamberi.
Çështja e Luginës së Preshevës duhet të diskutohet tani sepse nëse shtyhet më vonë do jenë larguar shumë shqiptarë nga aty.
“Të themi realisht, Kosova, çështjen e Luginës së Preshevës duhet ta kishte shtruar më parë, kur është diskutuar përgjegjësia që Kosova do të marrë për pakicat. Tani është momenti i fundit, e kanë një obligim moral dhe detyrim kombëtar”- tha ai.
Diskutime