in

Shqiptarët, dhe konvertimet e detyrueshme nga osmanët (1)

Kur shqiptarët i konvertonin në myslimanë

Në librin e tij, Faveyrial na sjell dhe një korrespondencë mjaft interesante të marrë nga gazeta “La Turquie” e 19 nëntorit të vitit 1870, e botuar në Konstantinopojë, ku jepet një korrespondencë e Berlinit.

Është koha e Iuftes franko-prusiane, kur prusianët i janë afruar portave të Parisit. Një gjendje e rëndë ku luhet fati i vetë Francës. Midis të tjerash, në këtë gazetë shkruhet: «Njoftohet mbërritja në Marseille e 200 shqiptarëve, që me pushkët e tyre të gjata, vijnë të ndihmojnë Francën. Duket se kjo është veçse pararoja e shqiptarëve. I gjithë muhamedanizmi i udhëve kryesore bëhet gati të ndjekë detashmentin e parë.

Këta shqiptarë republikanë të pa parashikueshëm, të formuar në zjarrin e luftës së Ali Pashës së Janinës dhe ndihmës të pashpresuar të z. Gambetta me shokë, natyrisht u brohoritën dhe u pritën përzemërsisht, duke u mbuluar me lule, kur ata zbritën në tokën franceze. Ndërkohë që ushtarët e vërtetë të Francës, «bazenët», «kurbertët», «lebëfët», e ndjejnë veten të përbuzur nga bashkëatdhetarët e tyre demokratë…»

Skena duhet të ketë qënë padyshim mjaft prekëse. Këta 200 shqiptarë, me veshjet e tyre karakteristike dhe pushkët e gjata, edhe pse të pakët në atë Iufte, ishin një lloj frymëzimi.

Dhe Faveyrial shton: «Nisur nga kjo, devotshmëria e shqiptarëve për Francën e pafat, meriton jo pak për tu bërë e njohur. Qoftë e thënë që Franca të kujtohet ndonjë ditë për këtë!…»

Tekstet e shkruara nga Faveyrial si dhe letërkëmbimet e tij që gjënden në arkivin e Misionit Lazarist në Paris, më dhanë mundësi të gjej ndër ato dorëshkrime dhe një prej tyre që më befasoi për historinë që tregonte dhe që hidhte dritë mbi përpjekjet e shqiptarëve në mesin e shekullit të XIX, që të islamizuar dikur me forcë kërkonin tashmë të riktheheshin përsëri në fenë e origjinës: kristianizmin.

Kjo ishte tragjedia e tri fshatrave të veriut shqiptar, (zona Mbishkodrës, drejt Gilan-it, një fshat shqiptar, tashmë i mbetur në Mal të Zi), që i tregoi Perëndimit të asaj kohe këtë pjesë të identitetit shqiptar, të cilin njerëzit e thjeshtë luftonin ta ruanin si gjënë më të shenjtë, duke e paguar dhe me jetën e tyre. Histori rrënqethëse, e denjë për një film, çka dëshmon atë që pak evropianë e kishin kuptuar në atë kohë, kur ata gabimisht e konsideronin Shqipërinë si tokë të Islamit. Edhe pse me emra islamë, shqiptarët i ruanin ritet e kishës latine, festonin festën e Shëngjergjit, Shën Markut, etj, madje dhe festat e tyre pagane, çka ishin rrënjosur në identitetin shekullor të tyre.

Ritet e vjetra, kanunet dhe besytnitë e tyre, ishin pjesë e një kulture pellazgjike dhe paralele të «Homeriadës» së Homerit të madh, të cilën e kërkoi gjatë udhëtimeve të tij në veriun shqiptar, Albert Dumont, në vitin 1871. Përse ata shqiptarë pranuan më mirë kalvarin sesa tjetërsimin? Ja si e ka rrëfyer këtë ngjarje historike At Faveyrial më 1 janar të vitit 1870, me atë shkrimin e tij të vogël, që vështirë ta deshifrosh menjëherë.

Kujtesë historike

Në raportin «Kujtesë historike mbi familjet shqiptare të persekutuara dhe të syrgjynosura për shkak të fesë, më 1845-1846», At Faveyrial do të shënonte: «Për këto shënime që duhej t’i plotësoja, mu desh të kem një korrespondencë të gjatë me kolegët tanë dhe «motrat» («suorat») që ende janë gjallë, të cilat ishin dëshmitare të fakteve që do të tregojmë. Tani që i kam këto dokumente, po i rendis të gjitha. Për këtë do të përdor dhe disa fakte të përmëndura nga vepra e të ndjerit z. Hecquard, konsulli francez i Shkodrës, të cilat i referohen aktorëve të asaj barbarie. Sipas kolegut tim Bonnieu, ja cili ishte shkaku fetar që bëri të nxisë mizorinë e turqve.

Një shqiptari, një kristiani të hershëm, që gjëndej në Konstantinopojë në vitet 1844 apo 1845, i kishin thënë se një epokë e re kishte filluar për të dhe të krishterët e tjerë të Perandorisë osmane dhe se liria e ndërgjegjes ishte proklamuar. Këtej e tutje çdo njeri ishte i lirë të përqafonte fenë që donte. Por pse u përhap një lajm i tillë? Kolegu ynë nuk thotë asgjë rreth kësaj dhe sigurisht nuk dinte gjë. Por nuk ishte si shkak i Kartës së “Gul-bané”-së, pasi ajo ishte botuar që më 1839. Shkaku, të paktën në dukje ishte ky: Më 1844, një armenian skizmatik, (ortodoks), i quajtur Ovakim dhe që na ishte bërë musliman, u kthye sërrish në fenë kristiane. Por meqë u zbulua dhe u denoncua, ai nuk pranoi të rikthehej në musliman dhe atëherë e vranë. Nëse pas ekzekutimit, trupin e tij do ta hidhnin në Bosfor, ky fakt nuk do të bënte zhurmë. Por atë e ekspozuan në mes të pazarit, çka ishte një fyerje e madhe për kristianët. Ky akt i dyfishtë fanatizmi dhe talljeje e ndyrë, e preku gjithë Konstantinopojën. Përfaqësuesit e opinionit publik, ambasadorët dhe veçanërisht ambasadori i Anglisë, Lord Stratford Canning, i bënë kritika të forta qeverisë turke.

Ata madje kërcënuan për ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike nëse nuk premtonin se akte të tilla intolerance nuk do të përsëriteshin më. Dhe Abdul-Mexhid premtoi dhe u angazhua se askush nuk do të vritej për punë feje. Por ja motivet për tu çjerrë maskat këtyre njerëzve të errët. Shqiptarët nuk i vranë, por i internuan. Sidoqoftë, kur shqiptari që ishte në Stamboll u kthye në shtëpinë e tij, ai tregoi për atë çka flitej ato kohë për fenë. Dhe meqë të gjithë në shpirt janë kristianë, ata u deklaruan hapur se çfarë janë në të vërtetë…”

Në fakt, siç e shkruan dhe Faveyrial, për këtë histori kishte relatuar më parë shkurtimisht dhe konsulli francez Hyacinthe Hecquard në librin e tij Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme, apo Gegërisë. Në enciklikën e Benediktit XIV, e 1 gushtit të vitit 1754, kryepeshkopëve, peshkopëve, priftërinjve dhe misionarëve shqiptarë u ndalohej të merrnin emra turq, për t’u shpëtuar kështu taksave dhe profesioneve të mëdha që bënin në atë kohë osmanët kundër tyre. Dhe kjo urdhëresë bëri punën e vet. Shumë priftërinj e ndaluan shndërrimin e katolikëve në muslimanë, dhe siç shkruan Hecquard, njëri nga ata, që ishte dalluar më shumë ishte Antonio Markoviç. “I pajisur me durim dhe energji, ai arriti të bindë njëqind e njëzet familjet që jetonin në famullinë e Gilanit të Malit të Zi që të hiqnin dorë publikisht nga islamizmi, duke u premtuar se do të përballonte sëbashku me ata të gjitha persekutimet që mund tu bënin turqit dhe se nuk do t’i braktiste kurrë, çfarëdo që të ndodhte.”

«Nëse duhet të VDESlM, le të VDESlM!”

Por le t’i rikthehemi tregimit të At Faveyrial rreth kësaj ngjarje që tronditi opinionin publik dhe që shqetësoi kancelaritë e mëdha evropiane. “Prifti i quajtur Antonio Markoviç, i cili njihej prej tyre, i përkrahu në vendimin që kishin marrë. Madje u premtoi se do t’i ndiqte kudo që do të shkonin. Sapo vendimi u muar nga shqiptarët, ky vendim iu dërgua peshkopit të Prizrenit, i cili më duket ishte z. Bogdanoviç. Figura e tij e rëndësishme nuk i bëri të heqin dorë, por peshkopi ua bëri të qartë pasojat e një ndërmarrje të tillë. E megjithatë përfaqësuesit e shqiptarëve nuk u tundën nga e tyrja:”Ne jemi të krishterë, – thanë ata. – Çfarëdo që të na bëjnë, ne do të mbetemi të tillë. Nëse do të shuhemi të gjithë, le të shuhemi, nëse duhet të vdesim, le të vdesim!”

Kur ata i çuan tek pashai i Prizerenit, shqiptarët dhanë të njëjtat përgjigje. Më kot pashai i shau dhe i nxorri në mes të këshillit, duke i fyer me tërbim. Edhe pse i qëlluan me gurë, ata mbetën në fjalën e tyre. Meqë shiheshin keq nga turqit, veprimtaria e këtyre shqiptarëve bëri që ata të mbështeteshin e të mbroheshin nga bashkëpatriotët e tyre të paditur. Shpejt, shumë prej tyre donin ta ndiqnin këtë shëmbull. Pikërisht atëherë, harbimi i turqve s’pati kufi. Autoritetet, në vend që të qetësonin gjakrat, i ndezën më keq ato. Guvernator i Përgjithshëm i provincës ishte atëherë Hafez-Pasha. Nuk e di nëse ai qëndronte në Shkup apo në Prizeren. Por Zoti Hecquard shkruan se siç duket, ai veproi pa u konsultuar me Portën e Lartë.

Në fakt, nuk kishte pse të ndodhte kështu, pasi një guvernator, sado i fuqishëm të ishte, nuk mund të internonte kaq shumë familje, për më tepër nga Evropa në Azi. «Sido që të jetë, të hequr me forcë nga shtëpitë e tyre, këto familje u çuan në Shkup», thotë Hecquard. Që andej, ku gjatë gjithë rrugës ata u keqtrajtuan nga shoqëruesit e tyre, familjet shqiptare i hodhën nëpër qeli, ku u desh të duronin torturat dhe urinë. Plot dhëmbshuri e besnikëri, At Markoviç i ndoqi pas dhe bënte gjithçka për të lehtësuar vuajtjet e tyre. Disa ditë më pas, pleqtë e fshatit u dërguan në gjykatë që çështja e tyre të shqyrtohej.

Pa u trembur fare nga turqit, të gjithë deklaruan se ata ishin kristianë dhe dëshironin të vdisnin të tillë. Të fyer nga kjo vendosmëri, Hafez-Pasha i Shkodrës urdhëroi që ata t’i torturonin. Por meqë nuk i theu dot, ai nxorri një dekret dhe i syrgjynosi në Anadoll, duke konfiskuar dhe pronat e tyre, të cilat u shitën në favor të arkës osmane, apo siç thonë të tjerë, kanë shkuar me siguri në arkën personale të pashait. “Ishte e pamundur të përshkruash trishtimin e madh të atyre familjeve të mjera, të cilat ranë prehë e fanatizmit musliman”, – shkruan konsulli Hecquard.

Nesër: Nga Shkupi në Selanik, udha e të syrgjynosurve ishte e lodhshme dhe sjellja e zaptijeve aq barbare  

Lini një Përgjigje

Putini ka vendosur, para se ta sulmojë Ukrainën të vizitohet te psikiatri!

Nga Shkupi në Selanik, udha e të syrgjynosurve ishte e lodhshme dhe sjellja e zaptijeve aq barbare (2)