Sherif Ramabaja
Sindromi i Stokholmit është i njohur në psikologji, kur viktima ka mëshirë për torturuesin e tij. Ky sindrom fuqishëm shfaqet sidomos edhe në rastin kur vdesin diktatorët. Masat qajnë e vajtojnë. Nuk ua merr mendja se si do të jetojnë tutje, pa udhëheqësin shpirtëror të tyre. U duket se erdh fundi i botës. Zakonisht në raste të tilla, individët mund të shërohen nga terapia, po si të shërohet një kolektivitet i tërë?
Ky fenomen po ashtu ndodhe edhe me shqiptarët, pas vdekjes së diktatorit Hoxha. U deshën pothuaj 10 vite derisa u vërejt se me vdekjen e tij, nuk përfundon i tërë kombi. Vendi rrëshqiti në kaos, sepse pas diktaturës nuk dinin se si do të zhvillohej jeta. Ishin mësuar të jetonin dhe vepronin, vetëm sipas urdhrave.
Ata të cilët e dinin se çdo të thotë pushteti, iu përveshën punës. Partinë e diktatorit e transferuan nga PPSH në PS. Ky ishte vetëm një slogan tjetër, sepse asgjë në thelb nuk kishte ndryshuar. Duhej vetëm të gjendje prijësi, i cili do ti printe popullit. Fatos Nano ishte i përshtatshëm, pasi Ramiz Alia si trashëgimtar i diktatorit u dorëzua. Ky ishte i njohur si internacionalist, por pas një kohe u gjend dikush edhe më i rryer në këtë drejtim.
Ai ishte shquar në shumë fusha. Me internacionalizëm ia tejkalonte edhe vetë internacionalistëve. Ishte figurë e gjithanshme karizmatike. Ishte në mes së kaluarës, po i përshtatej edhe së tashmes, aktualitetit. Ky mund të përshtatej dhe lakohej ashtu siç e kërkonte vetë momenti.
Sapo e mori drejtimin e partisë iu përvesh punës, që të kujdesej për një sundim të përhershëm. Fqinjëve u premtoi bashkëpunim sipas vullnetit e dëshirës së tyre, kurse iu rrek punës rajonale dhe evropiane, e më gjerë. E joshte vetëm grupacionin e vetë, prej të cilëve varej e ardhmja e tij, kurse pjesën tjetër të shqiptarëve i përbuzte deri në urrejtje. Atyre nga Kosova, Kosova Lindore (Lugina), Maqedonia, Mal të Zi e diasporë ua tregonte bërrylin.
E trasoi rrugën që të tjerët të jepnin përgjegjësi, kurse ky gjithnjë të mbetej i pastër, edhe nëse vetë personalisht materialisht përfitonte. Kjo u dëshmua edhe tash kur e degradoi dhe e burgosi edhe më të besuarin e tij Erion Veliajn, të cilin e vajtonte me ditë e javë të tëra, duke e sulmuar edhe sistemin e drejtësisë për te. Në realitet besohet se e largoi duke e marr si rival të denjë, i cili mund t´ia rrezikonte karrierën politike.
Populli shqiptar i ka vërejtur sjelljet e Ramës ndaj Kosovës, që ndoshta ia tejkalonin edhe udhëheqësit shpirtëror të tij, diktatorit Enver Hoxha. Tash së fundi këtë e dëshmoi edhe me organizimin i protestës për të burgosurit e Hagës në Tiranë, kryesisht për interesin e tij personal politik. Këtë ia numëruan ekspert të fushave të ndryshme, nga Kosova e Shqipëria.
Për misionin e tij karrierist e liderist ai është në gjendje t´i varros Kosovën, shqiptarët e Maqedonisë, Luginën dhe të gjitha viset e tjera të shqiptarëve jashtë shtetit amë. Mos të habitet askush, nëse piktori nesër e merr rolin e patriotit më të madh shqiptar. Kjo i takon farsës së tij politike.