Procesi i vaksinimit kundër Covid-19 rezulton të jetë një sfidë, që kërkon përgatitje serioze në kapacitete njerëzore dhe në infrastrukturë edhe për vendet më të zhvilluara të botës. Dihet se ende pa ardhur vaksina, qeveria shqiptare ka menduar për pankartat shumëngjyrëshe dhe logon e madhe të fushatës së quajtur “Shqipëria buzëqesh”. Por ndërsa buzëqesh, nuk ka publikuar asnjë kalendar të radhës së vaksinimit, apo asnjë të dhënë të pajisjeve që ka siguruar apo për mënyrën se si do të transportohet vaksina në zonat e thella për të moshuarit.
Gjithsesi, kryeministri Rama ka njoftuar se fillimisht do të nisë vaksinimi i mjekëve në stadiumin Air Albania. Pas tyre do të jenë mësuesit, më pas policët në terren, moshat mbi 75 vjeç dhe grafiku do të vazhdojë me moshat më të reja. Ndërkohë ndër vendet më të zhvilluara të botës, i gjithë procesi rezulton të jetë një sipërmarrje sfiduese.
Thuajse të gjitha mediat e huaja i referohen Izraelit si një histori suksesi në aplikimin e vaksinës në nivele të larta të popullsisë. Vaksina kundër koronavirusit është shpërndarë për më shumë se 1 milion njerëz, që është dhe niveli më i shpejtë në botë i vaksinimit, ndërsa kudo kanë nisur përpjekjet për imunizim. Izraeli ka arritur një raport të 11.55 të vaksinuar për 100 persona, i ndjekur nga Bahreini me 3.49 dhe nga Britania e Madhe me 1.47, sipas të dhënave që vijnë nga një faqe interneti e lidhur me Universitetin e Osfordit.