Rtk
Pas reshjeve të dendura të shiut dhe erës së fortë që goditën pasditen e djeshme Shkupin, Qendra për Menaxhim me Kriza raportoi për 120 hapësira të përmbytura, 95 pemë të rrëzuara , 23 automjete të dëmtuara dhe 20 rrugë dhe nënkalime të mbushura me ujë.
Zëdhënësi i Qeverisë Muhamet Hoxha, në një konferencë për medie tha se po bëhen përpjekje për t’u sanuar të gjitha dëmet e shkaktuara nga moti i ligë.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me institucionet kompetente pas stuhisë që goditi kryeqendrën. Në bashkëpunim me institucionet po bëhen përpjekje maksimale për t’u sanuar dëmet e shkaktuara nga moti i ligë”, tha Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Ndërmarrjet publike të Qytetit të Shkupit kanë intervenuar në dhjetëra raste për nxjerrjen e ujit që kishte hyrë nëpër ndërtesa.
Sipas njoftimit nga Policia e Komunikacionit rreth mesnatës gjendja e të gjitha rrugëve është normalizuar dhe sot në mëngjes komunikacioni dhe transporti publik urban po zhvillohet normalisht.
Loading…