Mungesa e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, si dhe jostabiliteti politik në Kosovë, po vonojnë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë. Por, përfaqësues të lartë të BE-së dhe SHBA-së, gjatë një debati online, organizuar nga Asociacioni i Evropës Juglindore, kanë paraqitur argumente të ndryshme rreth përçarjes transatlantike. Debati është organizuar sipas rregullave Chatham, sipas të cilave, nuk lejohet publikimi i emrave të pjesëmarrësve, por vetëm diskutimet e tyre.
Zyrtari i lartë i SHBA-së i pranishëm në debat ka kritikuar BE-në se nuk flet me një zë kur është fjala për dialogun Kosovë-Serbi. E problemin mes dy vendeve ai e ka përshkruar si “vrimë të zezë nga e cila është vështirë të dilet“.
“Nuk është ndarje vetëm BE-SHBA. Vetë Bashkimi Evropian ka folur me zëra të ndryshëm, të cilët jo çdo herë janë të njëjtë. E dimë se kemi të bëjmë me një proces të vështirë, por është me rëndësi që të mos ketë boshllëqe brenda hapësirës evropiane”, ka thënë ai, transmeton KOHA.
“Megjithëkëtë, Ballkani është shumë më i madh sa të kufizohet në dinamikën Kosovë-Serbi. Mendoj se Kosova dhe Serbia janë çështje me rëndësi për Ballkanin Perëndimor. Por, është gabim të definohet bashkëpunimi transatlantik vetëm mes këtyre dy vendeve”, ka thënë zyrtari amerikan.
Ndërkaq, Gjermania zyrtare vazhdon të insistojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që mundëson njohjen e ndërsjellë. Zyrtarja e Bundestagut ka thënë se palët nuk duhet të vihen në situatë që të zgjedhin midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
“Shumë kosovarë na thonë mos kërkoni të zgjedhim mes BE-së dhe ShBA-së. Çështja e stabilitetit është brengë edhe për ne. Ka shumë për t’u bërë në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Ne jemi të gatshëm të ndihmojnë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila mundëson njohjen e ndërsjellë, në fund”, ka theksuar ajo.
Ndërkaq një deputete e Parlamentit Evropian, e cila i njeh mirë problemet në Ballkan, ka thënë se dialogu duhet të vendoset në binarë pas një periudhe të vështirë kur nuk dihej se për çka po negocionin palët. Ajo e ka kritikuar edhe Serbinë se “po luan me dy karta“.
“Procesi i dialogut duhet të udhëhiqet nga BE-ja. Qasja e Mogherinit ishte kthim prapa. Ne nuk e dimë se çka ishte diskutuar”, ka thënë eurodeputetja.
“Aleksandër Vuçiqi po tregohet i shkathët që të përfitojë nga BE-ja por në të njëjtën kohë të largohet prej saj, duke i ruajtur lidhjet e ngushta me Putinin. Për këtë, Merkel dhe Macron nuk e kanë kritikuar asnjëherë hapur Vuçiqin”, ka thënë ajo.
Eurodeputetja i ka përmendur edhe krizat e njëpasnjëshme në Kosovë, të cilat, sipas saj, kanë nisur në muajin mars, kur u rrëzua Qeveria “Kurti“.
“Nepotizmi në institucione dhe ndërmarrje të pavarura është prezent. Kemi parë sistemin shëndetësor që është ekstremisht i dobët në Kosovë”, ka theksuar ajo.
Pjesë e debatit ishte edhe një deputet i Bundestagut gjerman. Ai ka thënë se në kontekstin e dialogut Kosovë-Serbi, veçanërisht në Prishtinë, “vitet e fundit ka shumë jostabilitet politik, përfshirë edhe krizat kushtetuese”.
“Qeveria Hoti është shumë fragjile dhe kjo ia vështirëson punën emisarit Miroslav Lajçak për t’i çuar palët drejt zgjidhjes përfundimtare”, ka thënë ai.
Sipas deputetit gjerman, krahas dialogut, BE-ja duhet të kërkojë prej Kosovës më shumë angazhim për forcimin e demokracisë dhe për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.