Zyra për media e Qeverisë së Serbisë ka njoftuar më 30 nëntor se ka filluar zhvarrosja e këtyre mbetjeve mortore, të cilat dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës, të vrarë gjatë luftës.
Ekspertët e ICMP-së po ofrojnë ndihmë mjeko-ligjore për zhvarrosjen, në lokacionin që gjendet rreth 250 kilometra në jug të Beogradit dhe sipas Hollidayt, ekipi u vendos atje në fillim të kësaj jave.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Holliday, ekspertët nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur (ICMP) po ofrojnë mbështetje teknike të forenzikës në zhvarrosjen aktuale të mbetjeve mortore në Kizhevak në afërsi të Rashkës në Serbi. Deri më tani, çfarë dihet për këtë varrezë të dyshuar masive?
Matthew Holliday: Ekipi ynë ka shkuar atje të dielën. Ata ishin atje kur nisën zhvarrosjet të hënën. Ka qenë një proces i gjatë. Komisioni i Serbisë për Personat e Pagjetur faktikisht nisi vlerësimin e lokacionit në Kizhevak, besoj në nëntorin e vitit 2015.
Ata kanë kryer këto vlerësime që atëherë dhe në fillim të këtij muaji, ata gjetën mbetje mortore. Ka qenë një proces i gjatë, por pjesë kockore janë gjetur nga Komisioni i Serbisë dhe më pas ky Komision kontaktoi ICMP-në dhe kërkoi ndihmë të ekipeve tona të forenzikës që të ndimojnë në procesin e zhvarrosjes.
Duke mos paragjykuar se çfarë mund të gjendet në lokacionin ku gjendet varreza masive, por kuptohet se kjo është një varrezë dytësore masive dhe mund të ketë lidhje me gërmimet në Rashkën dhe Rudnicën që u kryen disa vite më parë. Mendoj se besohet që viktimat e gjetura në Kizhevak gjithashtu viijnë nga incidentet e njëjta në Kosovë më 1999.
Radio Evropa e Lirë: Në këtë lokacion besohet se gjenden mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës. A e dini se për sa persona bëhet fjalë?
Matthew Holliday: Kam biseduar me kolegët dhe ka një vlerësim se 7 deri në 20 raste të mbetjeve mortore mund të nxirren nga ky lokacion. Por, nuk mund të prejudikoj deri kur ta kemi zbuluar të gjithë varrin. Sot kam qenë në kontakt me ekipin, më kanë treguar se shtresa e sipërme është hequr nga kjo vendndodhje. Ata kanë bërë një sërë matjesh, dhe ka indikacione se ata do të hyjnë në vendin ku gjendet varri masiv të mërkurën. Pra, do të mund ta dimë se për sa raste bëhet fjalë kur varri masiv të jetë zbuluar plotësisht.