in

Selimi deklarohet i pafajshëm, aktakuzën e quan të padrejtë

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, u deklarua i pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që është konfirmuar ndaj tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë, dhe se aktakuzën e quajti tëe padrejtë.

“Unë deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Selimi, gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara, ku u pyet që të deklarohet nëse ndihet i pafajshëm apo fajtor për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Selimi gjatë një fjale të mbajtur gjatë kësaj paraqitjeje tha se aktakuza ndaj tij “është e padrejtë”.

“E pashë aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë. Ishte një aktakuzë e rëndë, voluminoze, por mbi të gjitha shumë e padrejtë. E pasaktë dhe e padrejtë ndaj meje, por e padrejtë edhe ndaj luftës së popullit tim dhe shteti prej nga vij unë”, tha Selimi.

Sipas Selimit, në fund të këtij procesi do të binden të gjithë se “as unë e as Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kemi të bëjmë asgjë me krime e as me ndërmarrje të përbashkët kriminale siç cilësohemi padrejtësisht në këtë aktakuzë”.

“Unë jam veç një çlirimtar që luftën për liri e kam nisur me komandantin legjendar Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin (Wesley) Clark, me NATO-n”, tha Selimi.

Ai tha se shpreson që ky proces gjyqësor të ketë për qëllim sjelljen e drejtësisë dhe së vërtetës.

Sipas aktakuzës, Selimi dyshohet për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Sekretari i Gjykatës lexoi dhjetë pikat e aktakuzës dhe tha se ekziston dyshimi i bazuar se Selimi mban përgjegjësi penale për kryerjen e këtyre krimeve.

Avokati Robert Kaarls, që përfaqësoi Selimin në këtë paraqitje, tha se në ditët në vijim do të bëjnë kërkesë për lirimin e përkohshëm, duke argumentuar se nuk ka indikacione se Selimi paraqet rrezik të arratisjes.

“Dua të theksoj se klienti im ka bashkëpunuar edhe më herët (v.j. me Dhomat e Specializuara). Javën që kaloi ai u kontaktua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ai u dorëzua vetë. Këto janë indikacione se nuk ka rrezik të arratisjes. Nuk ka asnjë indikacion që do të ndikojë te dëshmitarët ose do të asgjësojë provat”, tha Kaarls.

“Për sa i përket atij, nuk ka asnjë lloj arsye për të besuar se zoti Selimi – nuk e di se çfarë kanë bërë të tjerët e çfarë do të bëjnë në të ardhmen etj, për të tjerët nuk e dimë – por, nuk ka asnjë indikacion do të ndikojë në prova, apo do të bëjë diçka të tillë”, shtoi avokati Kaarls.

Avokati i Selimit pritet të jetë David Young, por ai për shkak të pandemisë së koronavirusit, nuk qe i pranishëm në këtë paraqitje.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou propozoi që më 18 nëntor të mbahet konferenca statusore, por pala mbrojtëse argumentoi se një gjë e tillë të mbahet sa më vonë gjatë këtij muaji, pasi siç tha avokati Kaarls, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka pasur kohë të përgatitet, ndërkaq mbrojtja jo. (REL)

Lini një Përgjigje

Republikanët i dhanë goditje Bidenit: Tom Tillis u rizgjodh senator në Karolinën e Veriut

Walker: Çlirimtarët po dënohen, kriminelët po shfajësohen