Sherif Ramabaja
Konkursi ishte shpallur. Në kuvend u vendos staza, se ku do të garohet. Garat duhet t´i hapte kryeministri i vendit. Të gjithë kishin ushtruar për ditën e sotme. Marrëveshja për garat e sotme ishte nënshkruar qysh me 2013, por para disa vitesh, nuk ishte e mundur të garohej, sepse tensionet ndërshtetërore dhe rajonale ishin në pikën e vlimit.
Gjendja as sot nuk është më e mirë, por i ka ardhur fundi, ose tash ose nuk pritet tutje. Kështu është dhënë urdhëri.
Kurti para se t´i hapte garat i lexoi kushtet dhe pikat e garimit. Gjithsej ishin 6 pika, të cilat u referoheshin garave.
Sapo kryeministri i shpalli garat, u fillua me disiplinën e parë, se cili mund ta hedhë më së largu pështymën.
Rreshti ishte i gjatë. Secili dëshironte të ishte i pari në garim, po lufta më e madhe bëhej mes LDK dhe PDK të shoqëruara nga AAK, NISMA, PSD, e Pacollit, e minoriteteve etj.
Disa nga garuesit, pasi nuk arrinin që pështyma e tyre ta arrinte largësinë e duhur filluan me fyerje, sharje, ofendime, britma, po pat edhe të tillë që të gjitha këto i bënin edhe në kor.
E pranoi zajednicën, dëgjohej thirrja e parë. Rrencë, i poshtër, gënjeshtar, mashtrues, manipulues. A jemi në ëndërr, apo ky e pranoi Asociacionin. E shiti Kosovën. E kemi ditur që kështu do të veproi. Ndryshe ka premtuar, e ndryshe sot po vepron.
Unë ju kam treguar me kohë, që ky është frikacak. Serbinë ky do të na sjell te dera.
Na ka prish me Amerikën, na ka prish me EU, na ka prish me NATON, na ka prish me fqinjët, na ka prishur me miqtë, na ka armiqësuar me Evropën, me Afrikën, Amerikën Latine, Me Australinë e kryeministrit Albanezi, Me Bellorusinë, Korenë e Veriut, Iranin e Rusinë. Ne nuk e dimë tashmë se a ka mbetur dikush në anën tonë.
Pikat e Kurtit tashmë nuk i pranoi as Vuçiqi. I quajti përralla. Kur i thanë se Kurti ka dalë me gjashtë pika, ai i paraqiti dhjetë. Deshi t´i dyfishonte, po e ndali Bërnabiç – ka. Por prap se prap, dallimi është i madh, gjashtë me dhjetë.
Tash duhet të presim se me sa pika do të dal opozita, apo nëse nuk i pranojnë garat e Kurtit, pritet që ata vetë të krijojnë sistemin garues. Ekziston mundësia që ata si disiplinë ta fusin, se cili mund ta hedhë shurrën më larg se tjetri. Gjithçka është e mundur.
Kurti doli me gjashtë pika. Vuçiqi doli me dhjetë. Tash pritet se me sa pika do të dalin Borrell, Lajçak, EU, SHBA, NATO etj.
Gara është hapur. Mendojmë që secili ka të drejtë të dal me pika. Është e sigurte se dhe Lista Serbe do të dal me programin e vetë garues dhe me pika të veta.
Kutia e Pandorës është hapur. Edhe fqinjët tanë mund të dalin me pikat e tyre. Edhe Shqipëria mund t´i paraqes pikat e saj, po atje janë nxënë mes vete. Nuk dihet se kush kujt po ia nxjerr sytë, e se kanë mendjen te pikët e Kurtit e Vuçiqit.
Mars – Rover (Satirë)