in

Salman Ruzhdie dhe asasinët që vijnë nga mesjeta

Luan Rama

————–Botuar sot në gazetën FJALA – 15/08.2022—-

Dora vrasëse e radikalëve islamistë qëlloi sërish. Kësaj rradhe mbi një nga personalitetet e shquara të letërsisë botërore Salman Ruzhdi. Një adhurues i Ajatollah Khomeinit, një amerikan shiit 24 vjeçar donte ta zbatonte më së fundi « fatwa »-n e Khomeinit lëshuar që në vitin 1988 kundër autorit të librit « Versetet satanike », një libër që më shumë i flet tolerancës midis religjioneve dhe nuk merret fare me Profetin por me ëngjëllin Gabriel. Një histori barbarie dhe urrejtje që vazhdon që nga dita kur në sheshet e vendeve islamike të Azisë digjeshin kopjet e këtij libri dhe fotografitë e Ruzhdisë, këtij mbrojtësi të fjalës së lirë dhe kur vriteshin më pas botuesit e përkthyesit e veprës së tij. Siç shkruajnë gazetat e Teheranit, zyrtarët e lartë iranianë « i puthin dorën atij që e goditi në qafë armikun e Zotit ». Më së fundi Irani goditi sërish. Eshtë një barbari dhe urrejtje që vjen që na nga mesjeta, një urrejtje që më së fundi u kthye në një ideologji të rrezikshme jo vetëm për Perëndimin por për gjithë botën duke goditur në zemër të Amerikës, Francës, Anglisë, Spanjës, duke goditur demokracinë si sistem shoqëror. Përse kjo barbari kundër Perëndimit dhe lirisë së njeriut dhe sa do vazhdojë ajo ?…

“Assasinët” që vijnë nga Mesjeta

Historia vrasjeve të komanduara, e pengjeve dhe kamikazeve ka hyrë pothuaj në kronikat e përditëshme të mediave botërore: bomba “njerëzore” për të vrarë sa më shumë njerëz të pafajshëm, kamikaze, vetvrasje spektakolare dhe nga më makabret që mund të imagjinojë mëndja njerëzore, atentate në tentative në stacione metrosh apo aeroportesh dhe pengje të panumurt. Terrorizmi përbën një nga sfidat më madhore të njerëzimit të sotëm, pasi integrizmi terrorist nuk është drejtuar vetëm kundër Amerikës, por edhe ndaj Europës dhe Perëndimit në tërësi, si dhe kundër vëndeve arabe apo jo arabe, të cilat bashkëpunojnë me Perëndimin apo me njerëz progresistë që janë për paqen, lirinë e individit, lirinë e besimit të secilit popull. Eshtë padyshim lufta e Paqes dhe e Demokracisë njerëzore kundër fanatizmit dhe integrizmit, që nobelisti i Paqes Elie Wiesel e quante me të drejtë “e keqja absolute”.Historia e «asasinëve» kishte humbur në mjergullat dhe mugëtirën e kohrave dhe pothuaj ajo ishte harruar. Por shfaqja e kamikazëve në fund-shekullin e kaluar dhe fabrikimi i sotëm i “martirëve të Parajsës” i rizgjoi demonët e dikurshëm, “asasinët” që u shfaqën në mugëtirën e Mesjetës. Cilët ishin ata ? Përse u krijua idhulli i martirit kamikaz aq i preferuar nga “Al-Kaida”, “Armata sekrete e Xhihadit”, “Ushtria e Zotit”, etj? Përse u krijua idhulli i “martirit” në emër të Profetit? Përse vazhdojnë të shtohen hapur rradhët e kamikazeve, të cilët kujtojnë se po shkojnë drejt Parajsës duke vrarë njerëz të pafajshëm, vetëm sepse ata i përkasin një tjetër feje, kombi apo race? Në emër të kujt ideologjie vrasëse dhe totalitare ?Asasinët ishin një sekt i vjetër arab që jetonin në kohën e kalorësve kristianë, apo kur kryqtarët e Tempullarët shkonin drejt Tokës së Shenjtë, drejt Jeruzalemit. Themeluesi i këtij seksi ishte Hasan al-Sabah, i cili shpalli fundin e Kuranit, duke proklamuar se “Sakrifica ime, jeta dhe vdekja ime i përkasin Zotit”. Ai kishte udhëtuar në fillim në Egjipt dhe pastaj ishte kthyer në Iran. Ishte një njeri i ditur dhe inteligjent. Por ai kuptoi se lufta me muslimanët e tjerë apo kristianët, ishte e pa barabartë, njëlloj si Davidi me Goliatin. Atëherë ai mendoi të pushtonte fortesa dhe ti kthente ato në qëndra terrori.Disa vjet më parë një miku im, tek po kalonim në pllajën e Golanit, më tregoi në të majtë një kodrinë që ngrihej thikas, ku në majë dukeshin ende gjurmët apo gurët e murit rrethues të një kështjelle tashmë të rrënuar. « Atje dikur jetonin asasinët », më tregoi ai, duke shtuar se asasinët e rrethuar, pasi drogoheshin me hashish, zbrisnin poshtë me thika duke i u sulur kalorësve kristianë, duke rendur kështu drejt një vdekjeje të sigurtë. Ishte një lloj vetë-vrasjeje. Pamja e asaj kodrine shkëmbore dhe thikë ishte vërtetë sugjestionuese, në monopatet e të cilave kishin zbritur duke klithur njerëz të droguar që suleshin drejt vdekjes. Hasan al-Sabah predikonte atëhere se «Nuk mjafton vetëm të vrasësh e të terrorizosh, por duhet të dish dhe të vdesësh. Pasi nëse duke vrarë ne e dekurajojmë armikun të veprojë kundër nesh, duke vdekur në mënyrë kurajoze, ne farkëtojmë admirimin e turmës. Dhe nga kjo turmë, të tjerë do të dalin të bashkohen me ne».Bota e sotme nuk e kishte menduar se do të vinte një ditë që « asasinët » do të rishfaqeshin sërrish. Fara e terrorit nuk ishte shuar. Në fakt, para asasinëve, në shekullin e I të erës sonë, në Jude ishin shfaqur ata që quheshin “sicaires”. Ata quheshin kështu sepse mbanin të fshehur një thikë të vogël që quhej “sica” dhe vrisnin papritur në rrugë ata herbrenj që pranonin pushtimin romak. Por kjo nuk ishte gjë përpara asaj që do të sillte lideri i asasinëve”. Studjuesi i njohur amerikan Bernard Lewis, një nga njohësit më të mirë të botës islame dhe të fenomenit të terrorizmit fetar, i është referuar disa herë assasinëve në librat dhe botimet e tij. “Në vitin 1332, – shkruan ai, – kur mbreti i Francës, Philippe VI, mendonte të ndërmerrte një kryqëzatë drejt Palestinës, një prift gjerman me emrin Brocardus hartonte ndërkohë një traktat që ta ndihmonte në ndërmarrjen e kësaj detyre të rëndësishme. Brocardus kishte qënë në Armeni dhe ai i shkruante për rreziqet e ekspeditës, duke i cituar dhe «të mallkuarit asasinë, të cilët kanë etje për gjak, që vrasin e presin të pafajshëm. Si demonë ata kthehen në ëngjëj drite duke bërë xheste dhe imituar veshjet, gjuhën, zakonet dhe veprimet e shumë popujve. Të mbuluar «nën lëkurë qëngji» ata të vërtiten sapo të njohin ». Shënimet dhe kronikat e vjetra flasin shumë për «assasinët», të cilët ishin bërë tmerri në botën e Orientit, por ku bashkëjetonin latinë kristianë dhe arabë muslimanë. Kronisti fjorentinas Giovanni Villani, i vdekur në vitin 1348, tregon se si « senjori » Lucques, kishte angazhuar dhe dërguar në Pizë «asasinët» për ti zhdukur ata. Dante, në veprën e tij Ferri, bën një aluzion të shkurtër, duke shkruar për «assasino che uccide altrui per danari». Që atëherë, emri «assasin» u bë i zakonshëm dhe i njohur. Në fakt ky term përdoret për herë të parë në kronikat e kryqëzatave, ku flitet për një grup sektar që e drejtonte një njeri që quhej «I Moçmi i Malit». Vallë bëhej fjalë po për Hasan al-Sabah. Atëherë, më 1092, asasinët vranë vezirin e madh Nizam-al-Mulk, i cili udhëhiqte perandorinë e selxhukëve në trojet e sotme të Irakut dhe të Iranit. Kjo ngjarje e tronditi në fakt botën sunite, por të tjera ngjarje do të shkruheshin në kronikat historike të terrorizmit mesjetar. Një nga përshkrimet e para jepet nga raporti i një të dërguari të perandorit Frederic Barberousse në Egjipt e Siri më 1175. «Duhet të dini se në kufijtë e Sirisë, Antioche dhe Alep, jetojnë në male një racë saraçenësh që në dialektin e tyre quhet «Hyssessini» dhe në gjuhën romake «senjorët e malit». Kjo racë njerëzish jeton pa ligje. Hanë mish derri, ndryshe nga ligji i saraçenëve, dhe i përdorin pa dallim gratë e tribusë. Ata nuk mund ti lëvizësh nga pozicionet e tyre. Duke qënë se jetojnë në një tokë jo pjellore, merren me bagëti. Por ata ushtrojnë një frikë të madhe ndaj saraçenëve por edhe ndaj kristianëve. Kështjellat e tyre janë me mure të lartë dhe aty hyet vetëm përmes një porte tepër të vogël të ruajtur mire. I pari i tyre bën që të vijnë fëmijë nga rrethinat, pra nga fshatarët dhe pastaj u mësojnë atyre gjuhë të ndryshme si latinisht, greqisht apo gjuhën e saraçenëve dhe që ti binden fjalës së Zotit, duke u thënë se kur do të rriten do të shkojnë në Parajsë. Kryetari i tyre u jep një thikë të artë dhe i dërgon të vrasin ndonjë princ që e përcaktojnë vetë ata”.Në fakt, që në vitin 1192, asasinët kishin vrarë shumë princër e prijësa tribush. Ishin ata që vranë kristianin e parë Conrad de Montferrat, mbretin e mbretërisë latine të Jeruzalemit. Kjo ngjarje gjeti një jehonë shumë të madhe tek kryqtarët, të cilët kërkuan ti zhduknin “asasinët”, duke ju sulur kështjellave të tyre. Por ato kështjella në majëmale, vështirë të pushtoheshin. Kronistët e Kryqëzatës së Tretë, flasin shumë për “assasinët”. Arnold de Lübeck tregon për prijësin e tyre, “të cilin e adhurojnë mbi çdo lloj Zoti tjetër. Ai u premton të tilla kënaqësi në një jetë të përtejme sa ata preferojnë më mirë të vdesin se sa të jetojnë. Me një urdhër të thjeshtë, ata janë gati të hidhen nga muret e larta dhe të shkojnë drejt një vdekje të tmerrëshme duke u thyer kafkat. Më të lumturit janë ata që derdhin gjakun e njerëzve dhe që pastaj provojnë vdekjen e tyre”. Edhe arqipeshkvi i Tyr, i quajtur Guillaume, në historinë e tij të kombeve dhe të kryqëzatave, shkruan mbi “asasinët”. “Ekziston një popull që ka dhjetë kështjella me rreth 60 mijë banorë. Ata e zgjedhin prijësin e tyre jo sipas trashëgimisë, por për nga merita. Ne dhe saraçenët i quajmë ata “assasinë”.Në vitin 1238 flitet dhe për një delegacion të “asasinëve” i ardhur në Francë për të kërkuar ndihmën e frankëve (francezëve) dhe të anglezëve nga dyndjet mongole. Më vonë, më 1250, mbreti francez Saint-Louis dërgoi tek prijësi “i Moçmi i Maleve” përfaqësuesin e tij Yves Le Breton, i cili e dinte arabishten. Jacques de Vitry, peshkop në Acre (Shën Joani i Akrës), shkruante se «asasinët» vinin nga Persia. Por edhe Marko Polo, gjatë udhëtimit të tij nëpër Orient, shkroi gjithashtu dhe për «asasinët», duke theksuar thëniet e tyre : «Shkoni, vrisni atë njeri dhe kur të ktheheni, me engjëjt tanë do t’ju çojmë në Parajsë. Me dëshirën për të shkuar në Parajsë ata nuk kishin më frikë nga vdekja ».

Kulti i martirit dhe Parajsa e premtuar

Integristi algjerian Said Kotb nga i cili vjen dhe termi « kotbistët », duke thirrur për „xhihadin“ disa dekada më parë kërkoi një „lexim“ tjetër të Kuranit, për të vendosur një shtet botëror islamik, ku në gjithë njerëzimin të sundonte „sharia“ apo „rregullat kuranike“. Edhe pse Naseri i Egjiptit e vari në litar këtë integrist fanatik, influenca e tij filloi të shtohej në shtresat e varfëra popullore të cilat kërkonin një jetë më të mirë për të gjithë popullin. Ajatollah Khomeini e adhuronte atë, ashtu si dhe liderët e Sudanit apo grupet e armatosura islamiste të Algjerisë që therrjen e njerëzve të pafajshëm, po algjerianë, e bënë metodë të luftës së tyre. Talibanët në Afganistan e vunë ideologjinë e tij në tekstet e shkollave, gjersa i vunë dinamit dhe tempujve gjigandë të Budës në Bamian (apo vrisnin gratë në stadiume popullore për një « adulter ») ndërsa Ben Ladeni dhe krahu i djathtë i tij al-Zawwahiri u bënë nga dishepujt më të zjarrtë të tij. Ashtu si Kotb, integristët e ngjyrave të ndryshëm, të „Vëllezërve islamikë“, etj, kërkojnë që përmes „xhihadit“, luftës e terrorit të vendoset „sharia“, apo gjoja autoriteti i Profetit. Kotb e shihte fenë islame si një ideologji totalitariste, si një «rend rreth të cilit duhej të lëvizte jeta e rruzullit tokësor dhe ku gjithshka duhej të rregullohej jo nga vendimet e njerëzve por nga autoriteti i shenjtë. Ja pse „Vëllezërit muslimanë“ të Egjiptit, frymëzues të shumë atentateve dhe akteve terroriste në Egjipt e në gjithë botën kërkojnë „Kuranin si Kushtetutë, xhihadin si metodë dhe vdekjen në emër të zotit si dëshirën më të shtrenjtë“, platformë që çuditërisht është ende në Kartën dhe programin ideo-politik të „Hamasit“.Asasinët dhe sot vazhdojnë të godasin : nga « Kullat binjake » në Paris, në metronë e Londrës, në Madrid e duke goditur përsëri në Paris kundër Charlie Hebdo…gjithnjë kundër Perëndimit, demokracisë, lirisë së njeriut, të shprehjes dhe të mendimit. Eshtë një luftë që duket se do të vazhdojë ende gjersa ideologjia fetare vrasëse të shuhet nga bota që aspiron lirinë. Të shpresojmë…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

SHBA dënon sulmin kibernetik ndaj sistemit TIMS

Biden: Ata nuk e trembin më dot Amerikën