in

"RRUSHJA"

(Fragment nga romani që sapo doli nga shtypi)

PARAFJALA

Këto nuk janë shkrime të miat. Ndonëse do të kisha dëshiruar diçka të tillë, që pretendimet prej shkrimtari nga fëmijëria të ndjekura po me kohë të flashkur si dëshira, sadopak, të jetësoheshin. Këto, pra, i ka shkruar njëri me pamjen e meitit, që erdhi befas në bujtinën time dhe, po ashtu, mbas tridhjetë ditësh, u largua prej saj.Më kujtohet, kur u shfaq, drita e dobët nga poqa e veshur me pluhur, nuk ishte në gjendje fytyrës së zbetë dhe të rraskapitur t’ia fshihte gjithaq vijat e ashpra, që i dolën në pah kur ktheu rrugën nga banaku për te tavolina e vjetër përballë, ku ende lironin tym duqet e mbetur të duhanit nga ata, që kishin pirë birra Peje dhe ashtu xurxull ishin larguar prej andej. Zuri vend aty ku kundërmimi i rëndë i gogësimave të ajgëtuar me atë të hudhrës me specat e djegës t’i zinte hundët. Një copë herë ndenji i heshtur në atë pjesë. Me siguri se do të harrohej aty, po të mos ishte shpërthimi i një kolli të thatë, që prej andej thyente heshtjen thuajse shurdhe. I mësuar me hallet e atyre që kthenin në bujtinë mbas bredhjeve të kota të ditës për të gjetur strehim, iu afrova me një filxhan çaji. Mirësjellja ime  ia kthyen gojën prej nga mundimshëm nxori fjalët se “një hiç-hiçi, në këtë cep të botës së hiçit, kërkon vrasës…

”Ato që m’i tha, e që nuk i pritja prej atij që nuk dallonte prej atyre që në bujtinën time, të shumtën, kërkonin mëshirë dhe ndonjë skutë për të zënë një sy gjumë, sakaq m’i kthyen pamjet e hetuesve të shumtë që prej ditësh nuk më ndaheshin pasi kishin gjetur kufomën në liqen të njërit që për tri ditë ishte strehuar në bujtinën time. Duket se kishte qenë dëshmitarë i mbrojtur. Vrasësit i kishin rënë në gjurmë përkundër shtirjes si i pastrehë dhe i pagojë… Por, mendja ma thoshte se në atë kohë të natës, ashtu i shkallmuar, nuk ishte hetues as i sojit të tyre tebdil, pos ndonjë i dëshpëruar, nga ata që kthejnë këtu me oshtimat dhe dërdëllitjet e rëndomta për ta kaluar natën, paçka se gojën e kanë me plot mbllaçitje për vrasje, vrasës e çmos… 

Meqë e mora për të tillë, i thashë se nëse kërkonte vrasës me pagesë, nuk ka më…I fundit ka përfunduar në liqen para tri ditësh…Ma ktheu se vrasës do të ketë  përderisa të ketë edhe njerëz…”Vrasja është pjesë e jetës, fundi i saj…Për dike edhe kapak i artë… “Fjalët për vrasës (në shumës dhe në trajtën e pashquar), të përcjella me disa të tjera që nuk i merreshin vesh, m’i përsëriti edhe kur po i ngjitnim shkallet për te dhoma e skajshme ngjitur me atë me shirita të verdhë të policisë, në të cilën kishte bujtur për tre net ai që ishte gjetur i mbytur në ujërat e liqenit…Nuk e di pse i thashë se nga dhoma karshi, shumë nga të strehuarit kanë dalë xhenaze.

 Ndërsa  i fundit, ka përfunduar në liqen…Ma ktheu se ardhja në jetë nga njeriu nuk vërehet. Njëjtë ngjet edhe me vdekjen, po qe se nuk vjen nga vrasja, e cila, shpesh i jep edhe kuptim madje…Kisha ndërmend t’i thosha se nuk më vinte mirë që bujtina ime sikur po kthehej në  strehë të fundit të atyre që nuk ka kush t’i mbronte nga vrasjet e paralajmëruara e të ngjashme, që edhe mund ta  bezdisnin fare,  por sapo hymë në dhomën e errtë me kundërmim myku, u shemb në shtrat.Ia hodha sipër batanijen e vjetër dhe u largova me hapa të lehtë për të banaku, ku më priste kotja e rëndomtë me përfytyrimin e atyre që thuajse me vullnet kishin hequr dorë nga jeta qençe… Por, fjalët se kërkonte vrasës, ma tretën kotjen. Aq më tepër se nuk e kisha të qartë a kërkonte vrasës pse i duhej për ndonjë vrasje, apo për ndonjë vrasës pse kishte vrarë dhe duhej kapur?…Sidoqoftë, ato që tha në mënyrë të papërcaktuar, në atë gjendje të shkallmuar fare e me pamjen e njeriut të dheut, sikur përjashtonin çfarëdo mundësie që ai të ishte në kërkim të ndonjë vrasësi, për t’u hakmarrë apo ngjashëm. Kjo, megjithatë, nuk e përjashtonte dyshimin se mund të ishte ai ndër ata që kërkoheshin të vriteshin nga dikush, siç kishte ndodhur ditë më parë, me atë që ishte në bujtinë, ndonëse i shtirë si memec. Në atë hamendje, ashtu si fliste hapur për vrasës, sikur më hyri në kokë dyshimi se mund të kishte për qëllim t’ua humbte gjurmët vrasësve?… Pse jo?… Çfarë s’pjellë mendja në rrethana të tilla?…Se mund të ishte ndër ata që kërkoheshin dhe, gjatë natës dikush do ta gjente në dhomën skaj asaj që policia ia kishte vu shiritat e verdhë, ma mori gjumin… Me atë hamendje, mezi prita mëngjesin. Por, sapo zbriti shkallët, pa një pa dy, më tha se kishte tridhjetë ditë kohë për vrasjen, kohë kjo që do ta harxhonte në bujtinë…

Ato që m’i tha për tridhjetë ditshin, sikur ma rrotulluan përfytyrimin e pakmëparshëm nga ai që kërkohej për t’u vrarë (nga ndonjë hakmarrje ose diç tjetër) te ai që kërkonte të vrasë?… Meqë nuk ta mbushte me asgjë syrin se ishte vrasës, mendja më shkoi se mund të ishte ndër ata që edhe kërkonte të vetëvritej?… Paralajmërimi i tillë, duhej t’i jepte kuptimin që nuk e kishte jeta e tij?…Sidoqoftë dhe, pa marrë parasysh në ishte vrasës ose që duhej të vritej nga dikush, apo që kishte vendos që jeta e tij të merrte fund aty me ndonjë vetëvrasje, që të dukej si vrasje që do të flitej dhe përflitej pastaj gjithandej, ato që thoshte çdo ditë fare prajshëm për kohën e mbetur, ma krijonin përshtypjen se kisha përpara një njeri, si shumë të tillë, që kishte prekur fundin dhe se nuk e shihja të udhës që duhej ndërmarrë diçka për ta parandaluar atë veprim pa marrë parasysh çfarë do ta kishte fundin… 

Tek e fundit, njeriu që nuk e ka në dorë lindjen, së paku vdekjen mund ta zgjedhë dhe ta përcaktojë me përpikëri…Te kjo çështje nuk ka privilegje fare…Ditën e tridhjetë, dukej i qetë, njeri tjetër. Pasi më tha se kishte ardhur koha që me vrasësin të përfundonin në liqe, pasi paralajmëronte një vrasje të përbashkët, që assesi nuk ta hante mendja, ma la para një zarf me porosinë, që si shkrime nga autori Hiç Hiçi, të hidheshin në internet…

Shënimet i lexova me kureshtje të madhe. Nuk u habita kur në atë që e shihte si  “Teatër i të vrarëve”, përfshihesha edhe unë… U habita, megjithatë, për nxjerrjen e disa përçasjeve të mia që nuk i kishim biseduar fare dhe disa shënime të tjera, që ishin të imagjinuara, por përkonin me realitet…Megjithatë, ato nuk ma hoqën dyshimin se ç’ishte ai në të vërtetë: i vrarë apo vrasës? Apo, të dyja? Sado që kjo e fundit është vetëm figurative?…

Titullin “RRUSHJA” e sajova, edhe pse mund t’i shkonte edhe ndonjë tjetër, nga dy pjesët, siç i kishte ndarë përshkrimet. Kjo as që ka rëndësi, meqë  i mbetet lexuesit ta emërtojë në përputhje me përjetimin…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Loading…

0

Prokuroria Speciale e Malit të Zi kryen hetime për Ambasadorin Martin Berishaj: S’ka bazë për ndjekje penale

Arma më e fuqishme në histori është gati për luftë, ja tmerri që shkakton “përbindëshi amerikan”