Kjo fatkeqe, e cila ka vendosur që të paraqitet para Komisionit Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke rrëfyer rastin, e përlotur thotë se që nga atëherë jeton në ankth dhe asnjëherë nuk ka pas një ditë të lumtur dhe nuk beson se do të ketë ndonjëherë.
Hysni Syla
“Janë vetëm fëmijët ata që po më mbajnë në këtë jetë, përndryshe qysh atë natë kur ata kriminelët serbë më dhunuan në mënyrën më të egër të mundshme, do ta mbysja veten”, rrëfen tmerrin që ka përjetuar gjatë luftës viktima e dhunës seksuale, e reja M. G., nga një fshat i Mitrovicës.
“Mua dhe një tjetër, në prani të nënave dhe vjehrrës time, policët kriminelë serbë na nxorën me dhunë, duke na rrahur pa mëshirshëm, nga dhoma ku ishim shumë gra (pasi që burrat ishin disa në radhët e UÇK-së e disa qëndronin në male për t’i ikur vrasjeve) dhe na futën në dhomën tjetër. Nuk pranonim urdhrin për zhveshje, andaj edhe na përgjakën duke na rrahur me grushte e mjete të forta. Ashtu siç ishim të përgjakura dhe duke qarë e bërtit filluan të na përdhunojnë edhe seksualisht. Kurrë nuk mund ta largoj nga mendja edhe një vajzë të re 16-vjeçare nga Drenica e cila ishte e strehuar aty, të cilën edhe pse me menstruacione e dhunuan barbarisht, ndonëse e gjora rezistoj aq shumë, sa që e tëra ishte e përgjakur”, thotë viktima.
Ajo tutje tregon se pas shfryrjes shtazarake të epsheve, kriminelët serbë, sërish i kishin rrahur brutalisht dhe i kishin lejuar të kthehen në dhomën ku qëndronin femrat tjera. Por, vazhdon ajo, në të njëjtën kohë, britma, dënesje dhe thirrje për ndihmë dëgjoheshin nga shtëpia tjetër e afërt, ku kriminelët serbë po i dhunonin barbarisht disa të tjera femra shqiptare. Madje, shton ajo, katër policë kriminelë e kishin nxjerr një femer shqiptare lakuriq nga një shtëpi dhe e dërgonin në shtëpinë tjetër.
Viktima GM, gjatë rrëfimit të saj gjen forcë për ta falënderuar vjehrrën e saj,e cila e kishte ngushëlluar dhe këshilluar si fëmijën e saj, që të mos bëj ndonjë veprim të pa matur.
“Pas dhunimit, nuk kemi mundur të vishemi pa na ndihmuar dikush. Në trup kishim shumë gjurmë të dhunës, ndërsa që rrobat i kishim të tëra të përgjakura. Mua më ndihmoi vjehrra ime, e cila shumë njerëzisht më ngushëllonte duke më thënë, kriminelët i bëjnë këto punë dhe nuk je e vetmja. Vjehrra më ka përkrahur dhe mbështetur si të ishte nëna ime, andaj edhe e falënderoj, e respektoj dhe e dua shumë. Deri sa të vdes kurrë nuk do të mund ta harroj këtë tmerr”, shprehet ajo.
Në fund kjo viktimë e dhunës seksuale thotë se për këtë që i ka ndodhur ka folur vetëm para një grupi ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, por jo edhe për ndonjë institucion që do të hetonte krimin. “Nuk kemi dhënë dëshmi në gjykatë as unë e as ato të tjerat. As me vete dhe as me askënd tjetër s’kemi fol për atë që na ka ndodhur. Jetojmë në një fshat tjetër dhe kemi qenë të frikësuara të flasim, edhe pse kemi nevojë të shprehim dhe ndajmë me njerëz të besuar atë që na ka ndodhur, sepse besoj se do të ndihemi më mirë. Por ende nuk guxojmë ta bëjmë këtë nga paragjykimi dhe nga fajësia që eventualisht do të mund të na ngarkohet nga ata që nuk kuptojnë”, përfundon rrëfimin e dhembshëm kjo viktimë e dhunë seksuale nga Mitrovica.