Disa e sulmuan hoxhën e ri, kurse të tjerët e mbronin, njëri pësoi më keq, sepse u godit me qyt revole. Armiqësi në mes të myslimanëve radikalë dhe atyre të moderuar.
Në fshatin Halabak të Podujevës ka ndodhur një incident për shkak të imamit të ri, të cilin e kishte caktuar Bashkësia Islame e Kosovës.
Mosmarrëveshja ndërmjet xhematit të xhamisë ka ndodhur në kohën kur disa qytetarë tentuan ta sulmonin me grushte hoxhën, e disa të tjerë u munduan ta mbronin.
Madje sipas raportit të Policisë, katër persona e kanë sulmuar imamin, ndërsa 3 të tjerë duke e mbrojtur atë, kanë rënë viktimë e dhunës, saqë njëri prej tyre është goditur me qyt të revoles në kokë.
Edhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Podujevë ka reaguar rreth përleshjes së mbrëmshme në fshatin Halabak të Podujevës.
Në komunikatën për media thuhet se në xhaminë ku ka ndodhur incidenti, kishin lëshuar autorizim për kryerje të riteve fetare deri në një vendim i cili do të ishte i pranueshëm për të gjithë banorët e atij fshati. “Duhet ditur se xhamitë janë vend paqeje dhe i qetësisë shpirtërore, ndaj bëjmë thirrje për përmbajtje dhe mirëkuptim deri te një vendim sa më unifikues”, thuhet në komunikatë.