in

ROLI I KRYEZIVE NË ZHVILLIMIN KULTURO-ARSIMOR TË GJAKOVËS

Shkruan avokati Zanfir Kryeziu

Në artikullin e tij me titull Roli i fisnikrisë shqiptare në zhvillimin kulturo/arsimor të vendit prof.dr. Nehat Krasniqi shkruan: Fisnikria shqiptare ka luajtur rol parësor dhe të pazëven dësueshëm në zhvillimet kulturore islame gjatë tërë periudhës osmane por rolit të saj nuk i është dhënë vendi i merituar në shkencë dhe letërsi.Roli dhe kontributi i fisnikërisë shqiptare në drejtim të zhvillimit të kulturës dhe të civilizimit islam ndër shqiptarët ka qenë i gjithan- shëm i shumëllojshëm dhe vendimtar për këto zhvillime. Ai është shfaqur kryesisht në këto pika:

1.Kanë themeluar një varg kasabash të reja duke futurë frymen e urbanizmit oriental islam

2.Kanë themeluar një varg institucionësh fetare, kulturore e arsimore

3.Kanë përkrahur dhe inkurajuar dietaret, letrarët dhe artistët

Një ndër kasabat më të rëndësishme shqiptare që ka themeluar fisnikëria është Gjakova.

Gjakova ka fituar statusin e kasabasë me objektet që ka ndërtuar dhe ka dhuruar Sylejman Hadim-aga, nga fshati Guskë i rrethit të Gjakovës. Ai në vitin 1003 H. / 1594 ka dhuruar një xhami, që njihet me emrin Xhamia e Hadumit, një mekteb (shkollë), një bibliotekë, një muvakit-hane (objekt për matjen e kohës dhe për caktimin e kalendarit me ndihmën e kuadranteve astrolabike), një hamam, një han dhe disa dyqane. Për mirëmbajtjen e këtyre objekteve, ai pastaj ka kërkuar nga Sulltani që t’i bashkëngjiten vakëfit të tij një varg tokash nga haset sulltanore dhe të ardhurat e tyre të përdoren për mirëmbajtjen e objekteve dhe pagimin e personelit të angazhuar me punë në këto objekte.

Zhvillimi i arsimit dhe kulturës në Gjakovë gjatë periudhës osmane nuk mund të merret me mend pa kontributin e familjes Kryeziu (Kurtpasha). Pinjollët e kësaj familjeje kanë ndërtuar pothuaj të gjitha objektet e kultit dhe të kulturës islame në Gjakovë. I pari pashë i kësaj dere fisnike ka qenë Kurt Pasha, muhafiz i Ujvarit në vitin 1663. I biri i tij, Hasan Pasha, ka qenë pjesëmarrës aktiv në luftërat austro-turke. Në vitin 1694, Hasan Pasha ka qenë mytesarrif i Shkodrës. Mbi njëzet pasardhës të Kurt Pashës, kanë arritur gradën pasha. 

Disa prej tyre u dalluan si mbështetës të zhvillimeve kulturore e arsimore në Gjakovë. Mahmud Pasha, i biri i Hasan Pashës, ka ndërtuar xhaminë dhe mektebin në qendër të Gjakovës që mban emrin e tij. Murad Pasha, i biri i Adem Pashës, (vd. rreth vitit 1748), ka ndërtuar dhe ka dhuruar Medresenë e Madhe dhe Teqenë e Madhe të saadinjve në Gjakovë. Këto dy objekte kanë qenë institucionet më të rëndësishme kulturore edukative të Gjakovës. Myderriz i parë në Medresenë e Madhe të Murad Pashës në Gjakovë, ka qenë Yvejs efendiu nga Shkodra. Ndërsa shehi i parë i Teqesë së Madhe të saadinjve ka qenë Sylejman Axhiza Baba, po nga Shkodra. I ati i Murad Pashës, Adem Pasha, në ato vite, ka qenë mytesarrif në disa sanxhaqe shqiptare. 

Në vitin 1694 ka qenë mytesarrif i Ohrit, në vitin 1696 mytesarrif i Elbasanit, në vitin 1697 përsëri mytesarrif i Ohrit, ndërsa në vitin 1699, kur Axhiza Baba vjen në Gjakovë, Adem Pasha ishte mytesarrif i Shkodrës.Shejh Sylejman Axhiza Baba në Gjakovë ka ardhur në vitin 1699 dhe ka filluar aktivitetin për ngritjen shpirtërore të masave dhe për përhapjen e tarikatit Saadi, tarikat ky,deri atëherë i papranishëm në trojet shqiptare. Objektet që Murad Pasha ndërtoi, kanë rëndësi të veçantë kulturo-arsimore dhe fetare. Teqenë e Madhe Murad Pasha e ka ndërtuar në vitin 1714, siç konfirmon Axhiza Baba me një tarih(kronogram)në Divanin e tij.Ndërsa vakufimi i saj dhe i objekteve tjera që ka ndërtuar Murad Pasha, është bërë në vitin 1732. Axhiza Baba, në Divanin e tij  i ka kushtuar një poezi lavdëruese Mehmet Pashës së Gjakovës, nga e cila kuptojmë se ai, në vitin 1717, përkrah Mehmet Pashës së Gjakovës ka marrë pjesë në luftën kundër venedikasve që është zhvillua në Ulqin. Axhiza Baba ka vdekur në Prizren në vitin 1747-48.Murad Pasha ka qenë mecen i vërtetë i dijetarëve dhe intelektualëve të kohës. Ai edhe vetë ka qenë njeri i ditur dhe i penës, gjë që vërtetojnë dorëshkrime të cilat ruhen nëpër disa koleksione në Prishtinë, Gjakovë dhe Sarajevë. 

Nga dera fisnike e Kryezive (Kurtpashëve) dolën dijetarë dhe poetë, si: Sejfedin Pasha, i biri i Ali Pashë Gegës (vd. 1790); Ahmed Kurd Pasha ( vd. 1827) dhe Mustafa Pasha (i biri i Sejfedin Pashës). Sejfedin pasha i parë ka ndërtuar një xhami e cila quhej Xhamia e Sefës, ndërkaq Mustafa Pasha(Karabash)gjyshi i Riza bej Gjakovës në fillim të shekullit 19 ka ndërtuar Kullën e Sahatit në trojet e veta. Edhe zonjat Sofa dhe Hanka, të cilat kanë qenë nga kjo derë fisnike, kanë ndërtuar nga një xhami në Gjakovë.

Lini një Përgjigje

Kroacinë e kemi shtet mik

Atleten 11 vjeçare e vranë rusët