in

Riza Beg Kryeziu (Jakova)njëri nga 10 shqiptarët që i shërbyen kombit

Kastriot Myftaraj

5)RIZA BEG KRYEZIU (JAKOVA)

Më tepër se qindra telegramet, peticionet, që iu shkuan fuqive të mëdha europiane para dhe pas Kongresit të Berlinit në 1878, nga krejt trojet shqiptare, me të cilat kërkohej që të bindej Europa se kombi shqiptar ekzistonte ende dhe nuk ishte zhbërë nga shekujt e sundimit osman, duke u njësuar me turqit, më tepër se elokuenca e të dërguarve shqiptarë-rilindas kombëtarë në kryeqytetet europiane, më tepër se fjalët e rilindasve tanë Abdyl Frashërit, Naim Frashërit, Pashko Vasës, Sami Frashërit, Jani Vretos etj., se shqiptarët, pavarësisht se në pjesën më të madhe të tyre qenë konvertuar në fenë islame, megjithatë ekzistonin si një komb më vete brenda Imperisë Osmane, ishte një gjë tjetër që e bindi Europën për këtë gjë.

Kjo ishte vrasja e Marshallit otoman Mehmet Ali Pasha në Gjakovë, në shtator 1878. Vrasja e Marshallit otoman, i cili pati qenë komandant i trupave otomane në Bullgari gjatë luftës ruso-otomane të viteve 1877-1878, bëri bujë të madhe në Europë. Kjo jo thjesht për faktin se u vra një mushir (marshall) otoman, pra një nga oficerët më të lartë të ushtrisë otomane, por edhe për të veçantën që kishte ky marshall si person. Mehmet Ali Pasha, i lindur Ludvig Karl Friedrich Detroit ishte një gjerman nga Prusia i konvertuar në fenë islame. Ai ishte bërë oficer në ushtrinë otomane, dhe tashmë ishte oficeri më i talentuar i saj. Dërgimin e tij në Kongresin e Berlinit, si pjestar i delegacionit otoman, Bismarku e perceptoi si një fyerje personale që ia bënte Sulltani atij vetë dhe Kajzerit gjerman. Në Kongres, Bismarku refuzonte t’ ia jepte dorën këtij renegati prusian.

Identiteti i Marshallit ishte një nga arsyet që Sulltani e dërgoi atë në Shqipëri pas Kongresit të Berlinit, me një mision të vështirë diplomatiko-ushtarak, të bënte të mundur dorëzimin e Plavës dhe Gucisë te Mali i Zi, sipas termave të Traktatit të Berlinit. Misioni kishte rëndësi të madhe se Imperia Otomane gjendej në një situatë kritike, për shkak të kundërshtimit të shqiptarëve të cilët nuk lejonin dorëzimin e këtyre territoreve. Rusia e kishte kushtëzuar tërheqjen e trupave të saj nga Rumelia e pushtuar në luftën e fundit nga ushtria ruse, me dorëzimin e Plavës dhe Gucisë te Mali i Zi. Trupat ruse gjendeshin në atë kohë në territoret e Bullgarisë së sotme, Turqisë së sotme Europiane, si dhe të Greqisë së sotme verilindore, pra në një afërsi të rrezikshme me kryeqytetin otoman. Ekzistonte rreziku i qartë që trupat ruse të marshonin përsëri drejt Stambollit, pasiqë më parë qenë ndalur nga ndërhyrja britanike. Mehmet Ali Pasha duhet t’ i detyronte shqiptarët me të mirë ose me forcë që të mos pengonin dorëzimin e Plavës dhe Gucisë. Sulltani donte që me anë të renegatit gjerman të bënte të funksiononte një gënjeshtër që kishin përhapur agjentët turq te popullsia analfabete shqiptare, për t’ i privuar prijësit e Lidhjes së Prizrenit nga mbështetja popullore. Agjentët turq përhapën fjalë se Mehmet Ali Pasha e kishte djalë axhe Bismarkun dhe se ky tashmë ishte kthyer në fenë islame dhe do t’ i vinte në ndihmë Turqisë. Por Bismarku i kishte kërkuar kohë deri në pranverë Sulltanit për të bërë gati ushtrinë e madhe gjermane që do të vinte të luftonte kundër rusëve. Sipas kësaj gënjeshtre, Bismarku u dërgonte selam shqiptarëve me anë të djalit të axhës, dhe iu thoshte që ta dorëzonin pa frikë Plavën e Gucinë se në pranverë do të vinte ushtria gjermane që do t’ i fshinte tutje rusët e shkijetë e vegjël të Ballkanit. Këto histori mund të ngjajnë sot si humoristike por shërbimet e fshehta kështu kanë vepruar shpesh për të manipuluar popullsitë analfabete.

Marshall Mehmet Aliu, përveçse ushtarak i zoti ishte edhe një diplomat dinak dhe ai u bë aq i rrezikshëm me përçarjen që krijoi te prijësit shqiptarë, saqë drejtuesit e Lidhjes së Prizrenit morën vendim që ta vrasin atë. Por tjetër gjë ishte që të merrej një vendim i tillë dhe tjetër gjë ishte që të zbatohej ai. Mehmet Ali Pasha kishte një eskortë prej trupash të zgjedhura otomane që arrinte në dy batalione, dhe në ndihmë të tij ishin duke ardhur përforcime. Ai kishte bujtur në sarajet e Abdullah Pashë Drenit në Gjakovë, që ishin një pozicion shumë i fortifikuar dhe i lehtë për t’ u mbrojtur. Përveç trupave otomane qenë edhe disa qindra sejmenë të Ali Pashës që sipas traditës ishin besnikë të tij deri në vdekje. Zbatimit i vendimit për vrasjen e Marshallit otoman ishte një ndërmarrje shumë e ndërlikuar, edhe për arsye të tjera. Duke qenë se Marshalli ishte një europian i kthyer në fenë islame, ai shihej si një person i paprekshëm nga fanatikët muslimanë. Gjithashtu, sipas praktikës ballkanase, atë që do të ndodhte e merrte përsipër ai që do të shtinte i pari me armë. (“Kush e shkrepi pushkën i pari” thuhet në këngët popullore) Kjo edhe për faktin se Abdulla Dreni ishte nga fisi i fuqishëm Kryeziu dhe ai që do të shkrepte pushkën kundër sarajeve të tij, sipas Kanunit, hynte në armiqësi si fis me Kryezinjtë. (“Vajmedet për Abdullah begin/miku i premë e sarajet djegun”, thotë një këngë popullore) Ata që historia i ka shënuar si prijës të kësaj lufte, gjakovarët Ahmet Koronica dhe Sylejman Vokshi, nuk ishin nga dyer të tilla që të merrnin përsipër një ndërmarrje të tillë. Atëherë doli një djalë i ri entuziast nga fisi Kryeziu, Riza beg Kryeziu, i njohur këtej e tutje si Riza beg Jakova (Gjakova), i cili mori përsipër t’ u printe forcave të Lidhjes Shqiptare në msymjen kundër sarajeve të kushërit të tij Abdullah Pashës. Abdullah Pasha u kishte çuar fjalë Kryezinjve të tjerë që ta ndihmonin atë. Kalimi i Riza begut me forcat e tij në krahun e forcave të Lidhjes ishte ngjarja vendimtare. Riza begu jo vetëm shkrepi pushkën e parë, një nga të shtimet më të famshme në krejt Historinë kombëtare, por duke qenë se që fëmijë i njihte mirë sarajet e kushëririt, u priu forcave të Lidhjes Shqiptare në pikat e dobta të sarajeve dhe bëri të mundur pushtimin e tyre brenda katër ditësh, ndonëse kryengritësit nuk zotëronin topa, pa të cilët dukej e pamundur që të pushtoheshin sarajet.

Lajmi për vrasjen e Marshallit otoman shkaktoi pështjellim në kancelaritë e fuqive të mëdha europiane, se vrasja e Marshallit do të thoshte që mbi Europë të binte përsëri hija e luftës mes fuqive të mëdha, të cilën e kishte shmangur Kongresi i Berlinit. Bismarku, i cili e mori lajmin gjatë një parade ushtarake, u tha oficerëve të rinj gjermanë që gjendeshin përreth tij: “Meine Herren, sapo mësova se atë që duhet ta kishte bërë ndonjë prej jush kur ai renegati ynë guxoi të vinte në Berlin, si marshall turk, e paska bërë një djalë shqiptar, duke u prirë të vetëve në luftë! I tërheq mbrapsht fjalët që kam thënë për shqiptarët!”

Në 1912 Riza beg Kryeziu do të nënshkruante në Vlorë Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke finalizuar kështu në mënyrë të mrekullueshme atë që kishte nisur në Gjakovë 36 vite më parë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Loading…

0

Gazeta ‘Bild’ paralajmëron Presidentin e Kinës: E kthyet virusin në tragjedi globale, shitët supë lakuriqi

Ukraina angazhon mijëra të rinj civilë në ushtrime ushtarake