Gani MEHMETAJ
(Nga kronika: Viti 1487 pas Krishtit
“Vetëm njëri -biri i Zotit- lëvizi nga varri. Vetëm atë nuk e gjetën në shpellën ku e varrosën. Perandoria Romake prej asaj dite mori rrokullimën, u gremis”, dilnin me zemërim shkronjat nga letra që i drejtohej për herë të dytë padër Antonit.
“Çdo mendim ndryshe është blasfemi, është kundër përcaktimit të kishës. Të jesh i kujdesshëm edhe në kërkimin e varrit. Pelegrinazhe mund të bëjnë besimtarët në ato vende që i shpall të shenjta kisha e jo famullitarët”.
“ Nuk druaja nga letra kërcënuese. Fryma ndëshkuese e kishës nuk kaloi asnjëherë në Gadishullin Ilirik që nga koha e ndjekjes së bogumilëve. Kamxhiku i bizantinëve u shua, kamxhiku i hordhive islame tepronte. Më pengonte frika e qendrës që i druante mosqenies së varrit, aq sa i druante qenies së tij. Prandaj, pavarësisht nga letra, unë vendosa të veproja: Me një grup malësorësh nisa kërkimet e para të një varri të pazakonshëm. Kërkimet i bënim natën në fshehtësi. Më shumë donim të përcaktonim një varr të veçantë, por jo ta hapnim. Trupat turke, sipër qytetit, e braktisën kështjellën, ditën kur u tha se malësorët e çliruan Pejën, Gjakovën e Prizrenin.
Pritej mësymja e kryengritësve këndej Alpeve. Forcat turke e tartare nuk guxonin të ktheheshin. Vendësve u dukej i pazakonshëm qyteti pa pushtet e pa ushtarë. Ikja e turqve u shkonte për voli, megjithëse të gjithë druanin nga ndonjë joshje e grupeve të pakontrolluara, të cilat mund të terrorizonin qytetin, apo të nisnin sërish hapjen e varreve. Sidomos hapnin varret katolike, ku ua thoshte mendja se mund të gjenin flori a gjëra të çmuara. Dhe të vrisnin pa një pa dy, po u shkoi mendja se mund të përfitonin. Askush s’do t’i ndëshkonte.
Pas disa përpjekjeve varrin e fiksova, sepse mendoja se duhej të caktohej një vend pelegrinazhi, ku njerëzit do të shkonin, të faleshin e të luteshin, të shtronin kërkesa, po edhe të bënin betime. Ata kishin nevojë për shenjtorë. Kohë të gjatë më bëhej se ishin pa Zot e pa frymën e shenjtë, shpresat i borën, kështu që një vend i shenjtë do t’u bënte mirë.
Më thanë se afër katedrales grupe njerëzish në dritën e hënës, apo në natën pa yje luteshin fshehurazi, të krishterë e myslimanë. Të gjithë e dinin se aty duhej të qe varrosur mbreti i Arbërisë, prandaj i luteshin t’u ndihmonte, të ndërmjetësonte e t’ua lehtësonte vuajtjet e fatkeqësitë, sepse fatkeqësitë nuk iu ndanë që nga koha kur ai ndërroi jetë.
Lexova kronika të fretërve. Ato nuk e thoshin me saktësi ku duhej të ishte varri. Dyshoja se mund të gjeja diçka aty ku e futën kazmën llazët e Detit të Zi. të cilët u bënë të njohur në perandori për zhvarrime të personaliteteve a nishaneve të njohura me gurë të çmuar. Koha nuk priste. Kërkoja shenjat e varrit të zbrazët. Pra, i mata pikat, u tërhoqa nga qendra, sepse kronikat thoshin se qendra e qyteti që bërë pre e kërkimeve të organizuara të aventurierëve. Periferia mund të ofronte më shumë.
Megjithëse kërkimet dolën shterpë, nuk u befasova, më shumë doja ta vërtetoja një teori në të cilën u binda më herët. Hamendësimi me brente kohë të gjatë, nuk më zinte gjumi. Publikisht nuk mora guximin t’ia thosha askujt, nuk ia pëshpërita as priftit në rrëfimore.
T’i flisje hamendësime që s’t’i kapte mendja, ishte vështirë, do të më merrte të shkalluar, apo të frymëzuar nga qoftëlargu. Ndërkaq, kjo më bindi më shumë sesa kronikat e mëparshme të vëllezërve françeskanë, të cilët deri në një e kishin këtë dyshim. Dyshimin që i brente herë e shprehnin më me guxim, herë e nxirrnin ndonjë pikëpyetje, kur u mungonte guximi.
Në një qarkore të fshehtë, që më kishte rënë në dorë, thuhej se besimtarëve të Arbërisë duhej t’u bini vijë, t’i shlyenin nga regjistri i të krishterëve. Ata po bëheshin të rrezikshëm si për Perandorinë Osmane, ashtu dhe për krishterimin, ata po e krijonin një Zot të ri. Mbreti i tyre vdiq një herë, ndërsa tash përhapen zëra sikur është ringjallur…
Sërish u vumë në mes të kudhrës e çekanit: Perëndimi na braktisi, Lindja na rrihte pa mëshirë nën kudhër.
Në Ipeshkvinë e Tivarit, nga kalova para se të dilja majave të rrëpinjta të Dardanisë, më pyetën: a është e vërtetë se e kanë parë hijen e Skënderbeut, t’u printe kryengritësve? Ishin thurur legjenda që s’t’i kapte mendja. Rrudha krahët, sepse nuk e kisha dëgjuar.
Prifti i Shasit, ku e kalova natën, ma tërhoqi vëmendjen me pëshpërimë: “Kujdes nga turqit! Por kujdes edhe nga të dërguarit e përtej detit. Ata nuk e pranojnë se mund të lëvizte nga varri dikush që kishte vdekur një herë”.
Turqit më ndiqnin këmba-këmbës për lëvizjet e mia të shpeshta. Përtej detit kishin dyshimin tjetër, sikur unë i vija në lëvizje besimtarët me hijen e Skënderbeut. Ata nuk donin trazira.
Ipeshkvi i Tivarit nuk pati kohë të më pranonte. Të kërkosh trupin e varrit të braktisur është punë me rrezik. Lajmi se dikush e kërkonte varrin e Gjergjit u përhap shpejt. Lajmi ishte aq më i habitshëm, kur flitej se varrin e kërkonte shërbëtori i Zotit. Njerëzit rrëqetheshin me habi të dyfishtë. Njëra palë, ata më të rinjtë, i përshkonte një ndjenjë e veçantë e entuziazmit, më të moçmit ofshanin me pikëllim. Por disa edhe më të vjetër, me të dëgjuar kumtin disi të pabesueshëm, lëviznin kokën e frikësoheshin: një varr ka njeriu, qoftë mbret a malësor. Në mendjen e pleqve, që po e gllabëronte errësira, u dilte turbullt një varr i zbrazët dhe një njeri në qiell. Trupi i atij që e braktiste varrin u ngatërrohej, fytyra një herë u dukej e qetë, me qetësinë qiellore, por me plagë në kokë e gjak në fytyrë, herë u dukej më egërshane me shpatë në dorë që lëshonte zë kushtrimi”.
#
“Varrin nisëm ta kërkonin sivëllezërit e mi qysh pas rënies së Krujës. Një herë ishim të zënë me luftëra të përgjakshme. Me t’u pushtuar Kështjella e Shkodrës, qyteti i fundit i madh i Arbërisë, që i bëri ballë turkut, sikur u bindëm: vështirë ta luftonim armikun pa ndihmën e Skënderbeut.
”Hija e tij duhej të na ndihte, emri duhej të bëhej burim frymëzimi”, na tha komandanti i çetës që qëndroi i fundit në mbrojtje. Ndryshe arbrit do të mbaronin. Hijen e tij duhej ta ndillnim, në mënyrë që të na rrinte mbi kokë si engjëll mbrojtës. Nuk e di kujt i shkoi në mendje të parit, por dikush propozoi të kërkonim varrin e prijësit tonë. Arma e tij ishte çudibërëse, tha një tjetër. Nga çeta e panë me dyshim: tallej a e kishte me gjithë mend.
Prifti i famullisë hodhi dyshimin: çfarë të bëjmë po të mos jetë varri, atje ku thuhet se është varrosur, më mirë aty ku është zhvarrosur. Të gjithë e panë me habi. Por prifti, i cili e mbështeti propozimin i pari, nuk tallej asnjëherë. Disa shprehën dyshimin se varrimi është bërë gjetiu, varri në Lezhë qe vetëm mashtrim, tullumbace për armikun e hafijet. Sepse, shumë spiunë u mblodhën ato ditë në Lezhë e në Krujë, madje në të gjithë Arbërinë. Lezha u bë qendra e spiunazhit nga Lindja e nga Perëndimi. Secili donte të mësonte për zhvillimet në Arbëri. Tokat e Arbërisë ishin qendra e rezistencës.
Dikur u pajtuam heshtazi se nuk bëhej fjalë për kërkim varri, as të eshtrave, duhej të viheshim në kërkim të një vendi pelegrinazhi. Secili dha propozimin e vet. Dikush ngulte këmbë se më mirë sesa Kruja askush tjetër s’mund ta kryente vendin e pelegrinazhit. Tjetri propozoi Shkodrën, qytetin e fundit të madh që i bëri ballë pushtuesit. Por së fundi askush nuk i bëri ballë propozimit se Lezha ishte qyteti ku vdiq mbreti, ku iu bë varrimi madhështor. Lezha ishte qyteti i Kuvendit të Arbrit, prandaj nuk mund të zëvendësohej me një tjetër.
Por gjërat shkuan ndryshe nga vullneti ynë. Përtej detit nuk mendonin si ne. Në letrën që më erdhi nga Roma, më urdhëronin të mos vazhdoja kërkimin e varrit. Nuk është punë për ty as e grupit të priftërinjve të Arbërisë, më thanë në mënyrë të prerë. Më mbërtheu dëshpërimi. Në letër më tutje më shkruanin: të mos flisja, të mos ndihmoja në përhapjen e thashethemnajës sikur trupi i heroit të arbërve nuk u gjet në varrin, ku e futën me ceremoni madhështore e pikëllim të thellë, sepse u kishin thënë sikur unë dyshoja që ai nuk ka varrë fare.
“Po ku është pra?”, më shpëtoi nga goja pyetja e vetvetishme, sikur t’i drejtohesha letërshkruesit. Këtë pyetje priste letërshkruesi, pyetje që do të shtrohet, besoj, edhe qindra vjet më vonë. Letra nga Selia e Shenjtë vazhdonte:
” Dihet se varrin e dhunuan, eshtrat i morën, i shpërndanë përmes ushtarëve e hajmalive të tyre në Evropë, në Azi dhe në shkretëtirat arabe. Këtë e thonë të gjithë, s’ke pse dyshon në vërtetësinë e dëshmive. Këtë e ka besuar edhe Ati i Shenjtë, prandaj mos e vër në dyshim besimin e tij dhe, mos e vër në dyshim besimin në Krishtin, sepse vetëm i biri i Zotit nuk ka varr, vetëm i biri i Zotit u ngrit në qiell. Tjetër nuk pati dhe nuk do të ketë përjetë e mot. Amen!”
Amen! e përsërita vetvetiu. Por kjo letër e lutja e përsëritur nuk më pengonte të nisja pyetjet e mëdyshjet e mia. Asnjë letër nuk ma hiqte dyshimin. Ai e pati një varr, por nuk e kishte më, ai udhëhoqi një mbretëri që u shua, familja e tij e gjeneralët kaptuan detin, princat njëri pas tjetrit ranë në beteja apo kaluan në Itali, Spanjë e Francë. Disa u tërhoqën prapa bjeshkëve të mjegullta. Aty e ndienin veten më të sigurt sesa në kështjellat që binin njëra pas tjetrës.
Prapë i kthehesha letrës autoritare. Pyetjet më vinin vetvetiu: Ç’ishte ky varr që shkaktonte aq shumë tronditje? Hutimi e mbështillte mendjen njerëzore: të ithtarëve e të kundërshtarëve.
“Me vënien në pikëpyetje të varrit, do të thoshte të bëje edhe një legjendë tjetër të ringjalljes”, m’u kujtuan fjalët e ipeshkvit kohë më parë. Dhe bota s’do të lejonte një ringjallje të dytë, një i mjaftoi. Kjo të ngjethë shtatin, ta bën trupin kokrriza-kokrriza. Ende më silleshin nëpër kokë fjalët që ndërruam me superiorin tim.
Mbaja në mend se ballafaqimi me ipeshkvin ishte i rëndë, rrezatonte tension e mosbesim. E nisa me armët e Skënderbeut, sepse armët u bënë objekt thashethemnaje. Secili i imagjinonte. Armët: shpata, përkrenarja, parzmorja, u bënë hyrje në një temë që dridhesha kur e mendoja, ndërsa doja t’ia hapja ipeshkvit. Druaja se fjalët e mia mund ta çmerisnin. Nuk e di as vetë sesi i rashë në fund, duke e frenuar veten që të mos kaloja në delir.
“Imzot! E di që Vatikani nuk do të pranojë kurrë dyzimin”, – vazhdova i shqetësuar. “Por të gjithë e thonë se trupi i tij nuk u gjet as nga turqit dhe as nga arbrit. Të dyja palët e kërkuan, secili për llogarinë e vet.
“Me varr a pa varr, hija e tij do t’i mbrojë të vetët!”, më kujtoheshin fjalët e kapedanit të Mirditës.
Ipeshkvi qe luhatur disa herë. Edhe më parë më thoshte fjalë me dy kuptime, ku përvijoheshin shenjat e blasfemisë. Ta thoshte se prijësi nuk ka varr, blasfemonte; ta shpallte varrin e tij, atje ku kishte qenë, ai tashmë ishte i zbrazët; të shpallte një vend pelegrinazhi, nuk qe në përgjegjësinë ipeshkvore. Shenjtorët caktoheshin gjetiu.
Ipeshkvi u ngrit në këmbë nga karrigia e tij e lartë në kancelarinë e Ipeshkvisë së Shkupit. Prita të më qortonte rëndë, mund të më shpallte heretik, por ma ktheu shpinën, eci ngadalë nëpër hapësirën e qetë të kishës, për një çast ktheu kokën me një rrotullim harkor dhe më pyeti: Pse duhet të gjendet trupi i tij? E ka kërkuar kush varrin e Krishtit që ta dëshmojë vërtetësinë e besimit të krishterë pas dhjetë, njëzet apo një mijë vjetësh?
Ai vazhdoi tutje, hapat i kumbonin në qetësinë e hapësirës së katedrales. Me gumëzhinte diçka në kokë. Para sysh me dilnin shajnitë.
Fragment romani “Zhvarrimi”