in

Rilexime nostalgjike Nga ëndrra në ëndërr!

(Në kafenenë e poetit kombëtar të Portugalisë, Fernando Pessoa, në Lisbonë. Foto: Fatmir Alijaj)           

Fragment, nga një proze më e gjatë!!).             

Vjeshta është një pranverë e dytë, kur çdo gjeth është një lule!”. Camus  

Nga Bajram SEFAJ Gjithnjë duke bluar, gati thashë ndër dhëmbë (duhej të thosha ndër baxha e gropa dhëmbësh!), të njohurën melodi: O mora rrugën, o për Tiranë, e… Kjo do të thoshte se jam nisur! Përgjatë autostradës së lëmuar me emrin e lavdishëm, të urtit dhe të lavdishmit Ibër, në kokë, paksa të rënduar, të mjegulluar dhe si të topitur, nga shumësi birrash konsumuar në stacionin a autobusëve në Prishtinë, m’u dynd një re e rënduar, si e mbarsur, kujtimesh, që, sakaq, pritej vrullshëm të pëlciste! Nga ai lëmsh kujtimesh, si të trembura të ishin, mbi të tjerat, nxirrte kokë, anekdota a shpotia lozonjare, kur prizrenasi simpatik, mendjehollë, fisnik e hokatar, shpalli anonsën: shes shtëpinë 200 kilometra afër detit! Anekdotë, që lindi fill pas përfundimit dhe inaugurimit solemn të kësaj pjese të zgjatur të Rrugës së Kombit. Jehonës dhe popullaritetit të saj nuk ia prenë rrugën as malet, as detet, as oqeanet! Në kujtesë me piku uji i cemtë, i Kroit të Gorozhupit. Si dush i ftohtë, për të ma flladitur kokën e plogështuar e të rënduar. Kroi me këtë emër, po pikërisht me këtë emër, u bë i njohur dhe hyri në librat e trashë të doktrinës botërore të së drejtës ndërkombëtare. Të krahut të saj, që studion kufijtë dhe marrëdhëniet kufitare! Pse u bë i njohur dhe i famshëm ky Krua? Sepse…                     

Atje, tej e tej, në një skaj të Planetit tonë, nën peshën e rëndë të shkëmbit mijëvjeçar, në një bërryl të fshatit me emër, si të thurur ferrash, Gorozhup, shkrepat e thepisura të Alpeve Shqiptare ia kishin ngjitur këtë emër, ndodhej diku në zonën malore kodrinore, në Kosovën, gjithnjë  trime, gjithnjë heroike dhe gjithnjë martire, që kurrë përjetë nuk arriti të përjetonte gjirin e ngrohtë të Nenës Shqipëri. Kroi i jetës, përmes damarëve të hollë e hallëpakë, me ujë të pijshëm mbajti gjallë banorët shqiptarë, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar! Kroi i Gorozhupit, nuk ishte vetëm krua, në kuptimin e parë, të ngushtë, të fjalës. Ishte më shumë se aq. Shumë më shumë se aq, ishte. Në kuptimin simbolik dhe praktik të fjalës. Ishte krua jete. Burim jete. Krua  ekzistence, që banorëve të këtij krahu të shqiptarisë, jo vetëm ua shuante etjen… Ja se ç’ishte, i bekuari ai! Kroi i Gorozhupit, jo vetëm që hyri në analet e doktrinës shkencore të botës mbarë, por u bë temë dhe motiv i preferuar për trajtime artistike. Hyri në tregime, jo vetëm në prozë e në poezi dhe sajesa të tjera të letrave. Por edhe në gjinitë e tjera artistike. Kinematografike, sidomos. Në lentë filmi, si reportazh televizive, si film i shkurtër dokumentar, si film i gjatë artistik… Titulli “Kroi”, i një romani a sajese kësodore letrare, nuk ish tjetër pos projekt naiv, imagjinar, rinor.  Shumë herë më shumë kishte rrëfime e legjenda kallëzimesh trishtuese, lidhur me këtë Krua, sesa burimi i tij kishte pika uji. Një nga ato legjenda thoshte se aty, rrëzë shkëmbit mijëvjeçar, shpërthyen e lot bjeshke. Ata ishin lot të saj… Më shumë se për shuarje Etjeje, Shqiptarët, skamnorë, fisnikë e bujarë të shkretë, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, kishin Etje shekullore për Liri e Bashkim.  

Mbjellë e mbirë aty ku ishte, Kroi lozte një rol shumë të rëndësishëm, misionar mund të quhet. Bucela dhe shumë enë të tjera të mbyllura, luanin rolin e postes së ndaluar (të porositur) për këmbim mesazhesh e porosish, për mort e gazmende familjare, që vija kufitare, si vijë rrufej katile, i kishte  ndarë mes vete, vëlla me vëlla, atë e bir, grua e burrë, motër e vëlla… kur kishin kaluar vite a shekuj me radhë, pa u takuar e pa u parë. – Prej nga dini, për këtë Krua, si të me  qortonte, me pyet profesori i moshuar, me sytë e tij të veshur me resh zjarr e kureshtjeje. – Fshatin Gorozhupdh e Kroin e tij, i kam në derë të shtëpisë! – Jam shqiptar kosovar, e dini këtë profesor! Pëshpërita. Me erdhi keq të pranoja fajin, mëkatin, pse kurrë nuk kisha qenë atje, pse akoma ende nuk e kisha vizituar, aq më parë, kur katundin e Kroit  e kisha aq afër! Rrezik, rrezik… bërtiti Rrahimi, domethënë Bajrami! Profesori i urtë, dijetar me nam e nishan, me eksperiencë të madhe jetësore e shkencore, nuk me grahu  më tej. Arsyen pse nuk kisha shkuar atje, e dinte më mirë se unë dhe gjithkush tjetër. – Po, aq shpesh, në ligjëratat e mia, kudo në botë, si shembull ilustrimi, e kam marrë pikërisht Kroin e Gozhupit tuaj. Me kaq, profesori e mbylli këtë kapitull rrëfimi. Ai e mbylli, por jo edhe unë. As që do ta mbyll pa i thënë edhe dy gjëra. Më së paku! E para: temën (shkrimin) e seminarit në Institut  të studimeve pasuniversitare në Zagreb , ndërkohë, e kisha shndërruar në punim “shkencore” dhe, si të tillë, e botoi, në një nga numrat e saj, revista për arsim dhe kulturë “Jehona” e Shkupit.  

Gjenezën, rrënjën e kufijve të sotëm midis shteteve, qofshin ata midis shteteve më të fuqishme në botë, e krahasoja me vijat e lojërave të fëmijëve, kur, me vija të lakuara, bëjnë rrathë mbi tokë a mbi rërë, duke vënë kufijtë e territorit të vet “sovran”! Origjinale, sa edhe novatore kjo gjetje, apo jo! Në atë grimë tekst “shkencor”, pa asnjë premisë shkencore në të, bien ata të departamentit gjegjës të Universitetit të Tiranës. Haj, kuku! Behët nami krejt. Veç sa nuk vijë në Prishtinë të më takojnë. Për ta takuar e për ta parë atë copë njeriu e “shkencëtari”. Profesor universe, a çka djalli ishte ai…! E dyta: para se ta mbyll “dosjen” e tij,  shtoj se, shumë vjet më vonë, kur profesori i nderuar Juraj (Andrassy), kishte ndërruar jetë dhe nuk ishte më, thanë se, gjoja, ndërkohë, kanë ndryshuar gjërat dhe se midis popujve të Gadishullit Ballkanik, pushonin, një herë e përgjithmonë, hasmëritë shekullore, gjoja se kishin ndodhur ndryshime të mëdha revolucionare. Ishte përmbysur regjimi i egër komunist, këndej e andej kufijve, gjithkah e gjithkund…! * Një ditë të bardhë e me rreze shumë, të ngrohta dielli të vjeshtës së vonë, bashkë me një tjetër profesor, tash me timin mik, me Sulon, tek po ktheheshim nga një manifestim e përvitshëm, shumë i dashur kulturor në Zym, me traditë të mirë festive, pa zbritur mirë në Rrafsh, morëm në të djathtë. 

Rruga.  shpinte sixhim e te Kroi i Gorozhupit. Sado e shkurtër, ajo rrugë, ishte aq e gjatë, saqë nuk kishte masë matematikore as gramatikore, që do të maste me saktësi e precizitet. Buzët tona shkrumb, dëshmonin Etjen për ujin e Kroit. Si krua ilaçi të ishte! Rashë në bark. Me aq garbi e etje të etur, piva ujë, sa do t’i thaja të gjitha burimet, jo vetëm të krojeve tona, në Alpet Shqiptare, por edhe ujin e deteve dhe të oqeaneve bashkë. Duke fshirë djersët e ballit, mbusha një bidon ujë. Profesor Sulos, amanet ia lashë: herë do kur të vdes, të më shtinë në dhe të zi bashkë me shishen prej plastike plotë ujë, si të bekuar, të Kroit bashkë me dy copa dërrasash të harruara (të palatuara), që ngjallnin kujtimin nga një ekspeditë e paharruar në Valbonë… 

Në faqet e tyre të pa gdhendura, sikur flakëronte kronika historike e kësaj ane kreshnike e legjendare të Mëmë-Atdheut. Me shpella. Me burime. Me legjenda. Me Currin në beteja, me F. Sokolin e këngës, në gazmende, festivale…   * Tashmë ishte Kufiri. Vakt të fërkoja sytë. Të zgjohesha e të shkoqesha ëndrrash. Por, jo se jo! Nga ëndrra në ëndërr! Në sfond të ëndrrës, aty, në kufirin e Vërmicës, shihej vrojtorja qafëgjatë e ushtrisë së urryer JNA (Jugosllovenska Nrodna Armija), mbi Krua. Ajo kreaturë skeletore e hijerëndë, si fosil dinozauri të ishte, pushtonte, si ta përdhunonte e mbyste krejt, krenarinë e Alpeve tona shtatlarta e krenare. Krejt hapësirën përreth, gjithkah territorit, andej nga i kanë foletë Shqiponjat tona dykrenore. Në ëndërr, syhapur, shfaqej vijë mali, rruar, qethur dhe mihur imët, që përfundonte atje lart në bjeshkë, diku atje, përtej mendjes dhe imagjinatës së shëndoshë, kur Xhaxhi shihte ëndrra në pi…dh, se mbi dheun e mihur, do të linin gjurmë të gjithë tradhtarët, që provojnë të ikin dhe t’ia kthejnë shpinën Shqipërisë. Qofshin njerëz, shtazë të egra mali, ose kafshë shtëpiake truthara, të ndërkryera e armike!   

Sa lakmi e mëri, o Zot, në atë ëndërr shekullore, ua kishim peshqve, troftave pikaloshe, që, përmes valësh të bardha të Drinit të Bardhë, pa mund të madh dhe pa leje të askujt, mund të kalonin matanë dhe të ktheheshin mbrapsht kur të donin. Ishte për t’u xhelozuar edhe gjarpinjve, kur mund të rrëshqitnin, sa herë të donin, dhe kur të donin, të endeshin lirshëm andej e këndej kufirit, pa e pasur kasavetin e pasaportave, as të dokumenteve të tjera të nevojshme të kalimeve kufitare … Ua kisha mërinë nxënësve vogëlushë, kur sakaq rebeloheshin dhe, për një notë të dobët në ditar, për sjellje të keqe e disiplinë, pse nuk kishin nxënë përmendsh një vjershë të vogël me vetëm dy-tri strofa, apo kishin “ngrënë” ndonjë flakaresh pas kresë nga mësuesi kujdestar, për ndonjë faj a moskujdes, sado të vocërr, kërcenin “matanë”.  Përfundimisht, “finalement” (frëngjisht), të bëhej për t’ua pasur lakmi edhe kuajve e gjedhëve të tjera, kur, në kullosë e sipër, ndërronin hap të mëkatshëm e dilnin matanë kufirit. Kuajt e shkretë këtë pakujdesje, hajvanët ata, e paguanin me shpinë. Në punë “vullnetare”. Një stinë punë të rëndë, pranverë e verë, “në pushim”, lavër e vllaç, (trinë), nëpër arat kooperativave të Xhaxhit, kurrë pa e ngopur barkun bukë, ushqim të merituar.                                                                                     

Jo vetëm sot, por, gati-gati, sa herë shkel kufirin shqiptaro-shqiptar në Vërmicë, me kujtohet zotni Ibishi. Kush (na) ishte (tani) ai zotëri, fol, aman? Ishte “gazetar” fiktiv, i paguar shtrenjtë (nga lart!), që, me shkrimet e komentet që ai i shihte vetëm atëherë kur botoheshin në të vetmen gazetë të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë, i kundërvihej propagandës së mediave të Shqipërisë. Komenteve dhe shkrimeve agresive, që, në faqen e parë,  i zbardhte gazeta “Zëri i popullit” (Kush e si i shkruante ata, ishte sekret i mbrojtur me ligj e konspiracion, por që, në nëntëdhjetë për qind të rasteve, zëshëm pohohej se i  shkruante shoku Enver, d.v. (dora vetë, për ata që nuk e dinë ose që kanë harruar se ç’do të thoshte shkurtesa d. v., sikundër që, të tjerët, ndoshta, kanë harruar se ç’do të thoshte shkurtesa V. F. – L. P., kur detyrimisht shoqërohej me grushtin lart, në tëmth!). *                                                                                                                                              

Sa herë kapërcej kufirin shqiptaro-shqiptar në Vërmicë, pothuajse, po aq herë, më kujtohet ajo ditë e bukur e vjeshtës së hershme të viteve gjashtëdhjetë, kur, si gazetar i ri, fillestar, i papërvojë, e shoqëroja, si kotorr të isha, i shkoja pas bishtit shkruesit të shpifur të komenteve, kur ishte i pashkolluar, analfabet dibiduz,  që as emrin e vet nuk dinte ta shkruante drejt e pa gabime. Duhej ta vizitonte kalimin kufitar në Vërmicë, sepse atje paskësh ngjarë një hata spektakolare ndërkufitare! Një shofer shqiptar kosovar, trim e azgan, për ne,  i krisur, për ata, me kamionin ngarkuar spic me miell, nuk kishte kryer fare formalitetet kufitare, madje nuk ishte duruar të priste ngritjen e postbllokut me shenjën STOP! Gjer në maksimum kishte shkelur marshin dhe si “murrlani me stuhi të vet!”, kishte fshirë çdo gjë që i kishte dalë përpara. Ishte futur thellë, në anën tjetër, të territorit të ndarë (ndër)shqiptar!  Gjersa në heshtje bluaja uratën: i pifsha ujë për shëndet atij trimi heroik, më bisht syri vidhja, përtej tutje, më larg se që ishte e mundur të vrojtohej edhe me dy sy të mëdhenj. Një djalosh shpatullgjerë, leshkuq, i përzhitur dielli të verës se gjatë e të thatë, që, ja po perëndonte, me të madhe, pa e kthyer kryet e pa shikuar anash, as djathtas, as majtas, rrënonte një mur të trashë qerpiçi. Si të griste një perde të trashë shekullore që i del në pritë shikimit përmallues, të përshkëllirë lotësh… Ndërkaq, kolegu im më i vjetër dhe më me eksperiencë, ishte angazhuar dhe kishte tretur krejt pas hulumtimit të skandalit që kishte plasur në kufirin e Vërmicës, në njëfarë mënyre ishte në sektorin që e mbulonte ai. Për herë të parë, kolegut Ibish, ia pata lakmi. I lumi ai, i thashë vetes, lirisht mund të dalë në anën tjetër, në anën e ndaluar, si të vdekur për mua, të kufirit dhe t’ia japë shpinën kaçubës së parë, që i gjendet aty pranë, e të bëjë një shurrë të gjatë shatërvan, ose një sa sana…(!), siç thonë te ne, në Dukagjin, e pa ferrë në këmbë, të kthehet mbrapsht. * Kthjellohem dhe, ritmikisht, vij në vete disi. Ndërgjegjësohem sadopak. Vërej se jam tretur i tëri, por si qyqe në gemb, tuj vajtu’ “kru’- më kru’”, gjithnjë duke kallëzuar e duke rrëfyer gjëra të trishta…                                                                                                                      

Nuk jam nisur, me sabah, në përqafim të Saj, të Teutës sime, më shkrepi! Nuk është ky udhëtimi më i dashur për mua, tash kur udha në relacionin Prishtinë-Tiranë, thuajse përftohet sa çel e mbyll sytë. Kur kufi nuk ka më fare. Është zbehur, veç sa nuk ka dhënë shpirt. Formal fare. Emër kuptimi është, sado i ndryrë  dhe i ndrydhur në memorien tonë kolektive. Ai kufi sot ngjan si relikt inati, si i shenjë kryeneçësie e forcave paqeruajtëse, e BE-së (Bashkësisë Evropiane), apo ku ta dish, i dikujt tjetër! * Kur më ndezi në mendje, ah sikur të kisha krahë me fluturua, sa më parë zbarkoj në Tiranë, një vrushkull, trishtimi e pezmi, egër me rrëmben e me kap për fyti. Veç sa s’ma nxjerr shpirtin! Dorëshkrimi, që, rehat e qetë, e mbaja nën sqetull, sakaq mori pamje të frikshme. Ngjau në një shpendkeq, që më kanxha të përgjakura, do të m’i nxjerrë sytë. Tentoj të (ç)lirohem prej tij. E fërfëlloj havasë. Për t’i dhënë rrugë të gjatë fluturuese atje, tej e tej bjeshkëve të larta. Tej e tej harresës. Fletët e bardha të letrës që, me xhelozi, ruanin tekstin e novelës me titull “Zemër”, përnjëherë shndërrohet në plim korbash. Si me shall të zi, mbështjellin kokën time! Lule – Jeta! Dola mendsh! Ngela vishkull, majë dilemës: ku jam, nisë, ku dua me shkua! Në Tiranë, ani mirë! Po, si kangjella me rremba, nxjerr krye pyetja: si të dilet para Saj, e në gjunjë t’i lëshohen fletët e novelës, nis e sos, kushtuar asaj! Pendohem. Qaj.

 Është e para herë që, këtë derë kufitare, e laj me lot! Fajtore ishte Ajo, novela “Zemër”, jo protagonistja e saj, kurrsesi! Aq shumë prush pikëllimi reshi mbi mua, sa me rrëmbeu mendimi, sharrova në të, kur si shtegdalje e solucion i vetëm të ishte, të braktisja autobusin dhe çdo gëzim tjetër të jetës. Në të parin bunker të Xhaxhit, të braktisur e të harruar krejt, që të hasja, si një oshënar i thyer e i këputur të mbyllesha e të ngujohesh, bukë pa ngrënë ujë pa pirë, deri në dekikun e fundit… * Në vend të novelës “Zemër”, le të lexohet legjenda e re, mbi në dashuri pla(k)tonike, me përfundim tragjik: të vetëflijimit të një plakushi të rënë në dashuri të gabuar, në moshë të gabuar,  të pavakt fare…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Rilexime nostalgjike: Nga ëndrra në ëndërr!

E kërcënojnë Idriz Morinën, kryeredaktorin e “Bota sot”, me jetën e familjes!