Sherif Ramabaja
Rastësi nuk mund të ishte kjo. Sapo Rama kishte zhvilluar telefonatën me Zelenskin, e filloi sulmin mbi News 24. Më mirë tash se më vonë, thanë nga qeveria. U mendua se si do të kryhej sulmi. Të nxirreshin tanket në rrugë, apo njësia speciale. Fuqia e gjuhës, thyen eshtra. Këtë duhet ndaluar. Shteti duhet ta tregoi fuqinë, ndaj qytetarëve të tij. Bota ndodhet në halle dhe ne duhet të preokupohemi po ashtu me këtë problematikë.
Si vetëtima është duke u përgatitur takimi Trump – Putin dhe askush s´ka kohë të merret me Shqipërinë. Ne duhet ta ndërprejmë propagandën e organizuar kundër shtetit ligjor, Ukrainës, Kosovës, Serbisë, Dodikut, Vuçiqit, Bërnabiç – kës dhe shqiptarëve.
Zelenski kishte zhvilluar telefonata me burrështetasit kryesor evropian, duke kërkuar ndihmën e tyre, për takimin Trump – Putin. Ky takim ka të bëjë me fatin e territoreve të pushtuara dhe kush e din se çka planifikon tutje Putini.
News 24, kishim informacione se po përgatitej t´i përkrahte kërkesat e Putinit, në lidhje me Ukrainën. Qëndrimi i Ramës ishte i njohur. Zelenski po kërkon që të ndalet dhe ti vihet një kufi Putinit. News 24 e bënte të kundërtën.
Rama, si zakonisht kishte shprehur dhimbjen e tij për Ukrainën. Ai po planifikonte një takim me Grenellin, i cili ndodhet me pushime në Shqipëri, ku mendonte ta ftonin edhe Dodikun. Temë e bisedimit të tyre pritej të ishte shqiptimi i dënimit me burg për Dodikun, Albin Kurti si pengesë e arritjes së paqes Kosovë Serbi etj. Rama në realitet kishte edhe preokupime të tjera, si ta forcoi misionin e tij pas zgjedhjeve të kontestuara, sipas opozitës të vjedhura, akuza të cilat po ia numëron edhe News 24.
Reagimet kundër sulmit ndaj News 24 erdhën edhe nga Berisha, Meta, Veliaj dhe nga shumë personalitete, të cilat ballafaqohen me drejtësinë për të kaluarën e tyre „kriminale”. Kjo flet se kishim të bënim me një medium të inkriminuar, u arsyetuan sulmuesit.
Rama nuk është i pari e as i fundit, i cili po sillet në këtë mënyrë, ishte arsyetimi i radhës. Berisha e burgoste ish kryeministrin Nano, vetëm se ishte takuar me Millosheviqin, të cilit i premtonte se Kosova është çështje e brendshme e Serbisë, kurse vetë i shiste naftën Millosheviqit, gjatë luftës në Kosovë.
Meta vetë, me dy këmbët, e futi veten në burg. Ia kujtonte kohën Ramës, se si ai e kishte bërë kryeministër, për inati të Berishës. Veliaj po ashtu vetë ia nguli vetes. Rama Tiranën ia kishte dorëzuar në grusht, pse nuk e mbajti, vetë është fajtor.
Me sulmin ndaj News 24 Rama po e mbron Rilindjen, patronazhistët, Shqipërinë, Ukrainën dhe po i kundërvihet Putinit dhe propagandës së tij.
Shqiptarët janë radhitur ashtu si duhet, përkrah EU dhe SHBA, prandaj ne vetëm po e çmontojmë propagandën antishqiptare. Nuk vihen në pikëpyetje zgjedhjet, të cilat me mund i fitova, foli më në fund Rama, në kabinetin qeveritar. Nuk tolerohen akuzat ndaj qeverisë, aparatit shtetëror dhe ndaj meje, kur dihet preokupimi ynë që ta bëjmë Shqipërinë, ta fusim në EU dhe t´i përfundojmë punët kapitale për lirimin e hapësirave nëpër qytetet tona. Populli shqiptar e meriton këtë. NEWS 24, sot e pagoi mos dëgjueshmërinë. Nesër do lind dielli sërish.
Mars Rover Satirë