Sherif Ramabaja
Një dreq i mallkuar po luhet këtu. Unë kisha plane të mëdha për tërë Ballkanin. Ashtu siç ishte konstruktuar EU ashtu doja ta bëja Ballkanin, por me kënd? Të vetmit që mu bindën ishin serbët dhe Serbia.
Siç thuhet në popull, armiku i vëllait tim është miku im, mu shfaq si formulë tejet e saktë.
Qeveria e Kosovës në vend se me bisedime t´i zgjidhte problemet e Veriut të Kosovës, ata zgjodhën rrugën fatale, të konfrontimit.
A është mençuri të ndizet konflikti për targa të automjeteve. A është mençuri t´ua mohosh të drejtat minoriteteve, duke u kërkuar domosdoshmërisht që t´i respektojnë institucionet shtetërore.
A është mençuri t´i largosh policinë, administratën, gjyqësinë, sekretareshat, mjekët, infermieret etj. serbe nga puna, vetëm pse nuk pajtohen me disa vendime burokratike shtetërore.
A është mençuri ta akuzosh Serbinë dhe presidentin e saj Vuçiq, se ai qëndron pas rebelimit të minoritarëve serb dhe ngritjes së barrikadave në Veriun e Kosovës.
A është mençuri të bëhesh shkaktarë që minoriteti serb në veri t´i ngritnin barrikada në rrugë, në shenjë të pakënaqësisë dhe cenimit të të drejtave të tyre.
A është mençuri që në veri Kosova të intervenoi me polici, njësi speciale dhe me ushtri, ndaj një minoriteti të pambrojtur serb.
A është mençuri që qeveria e Kosovës t´i refuzoi këshillat dhe udhëzimet nga bashkësia ndërkombëtare, për zgjidhjen e situatës me bisedime.
A është mençuri që të sabotohen bisedimet me Serbinë vetëm pse ajo po kërkon, themelimin e Asociacionit me kompetenca të plota.
Unë me këtë rast i numërova vetëm disa nga shkaqet, sepse në aktakuzën e plotë do t´i zbërthej në hollësi detajet e arsyes së aktakuzës.
Me këtë rast e kisha porositur udhëheqësinë e Kosovës që ta marrin shembull Shqipërinë, se si respektohen dhe çmohen të drejtat e minoriteteve tek ne.
Këto ditë kryeministri grek Mitsotakis e vizitoi Himarën, ku disa të pafytyrë thanë se ai qëllimisht e kishte zgjedhur këtë qytet, që të simbolizonte se deri aty shtrihet Greqia.
Himara edhe pse 100% e tëra banohet nga shqiptarët, qytetarët kishin dalur që ta prisnin mysafirin e lartë me flamuj grekë. Po ashtu disa të pafytyrë thanë se të gjithë ata njerëz ishin të paguar, që ta mohonin përkatësinë e tyre kombëtare shqiptare për ca lekë të pista.
Pra ky është vetëm një shembull, se si veprohet dhe si duhet të sillemi me fqinjët, mysafirët dhe miqtë tanë.
Unë po ashtu me keqardhje duhet të deklaroi se një aktakuzë të mëhershme e kisha ngritur edhe kundër ish kryeministrit të Kosovës zotit Haradinaj, po për arsye personale, e pata tërhequr përsëri.
Kësaj radhe ju siguroi se një gabim të tillë nuk do ta përsëris më, sepse udhëheqësia e Kosovës, duhet të mësohet që të reagoi në mënyrë diplomatike, e jo ta rrezikoi sigurinë e tërë rajonit.
Merreni me mend se si do të vepronin ata, po të ishim të bashkuar. Jo që do të na fusnin në luftë me Serbinë, po edhe me Greqinë.
Ata me nacionalizmin e tyre mendojnë se, dardanët ishin themeluesit e Trojës. Po ashtu mendojnë se Aleksandri i Madh ishte ilir. Çamërinë nuk e largojnë nga goja, shkrimet dhe mendja e tyre, sikur të ishte pjesë e shkëputur nga Kosova. Me një mentalitet të tillë nuk udhëhiqet shteti dhe nuk shkohet drejt EU.
Mars – Rover (Satirë)