Sherif Ramabaja
Ç´tju them. Fitorja ime është pritur, i pëlqeu kjo dikujt, apo jo. Këtë e kanë pritur shqiptarët, e ka pritur EU, SHBA, Erdogani, i tërë Ballkani, po edhe më gjerë.
Pra kjo ishte fitorja e radhës për mua, për PS, po edhe për popullin shqiptar. Unë kam premtuar se Shqipërinë do ta fus në EU, sepse ky është misioni im dhe i popullit. Ne kishim turbulencat nga radhët tona, fjalën e kam për Bashkinë e Tiranës, po në krahasim me kënetën, ne jemi forca e vetme e besuar në Shqipëri. Për këtë u jam mirënjohës shqiptarëve.
Këneta dhe të pakënaqurit, si gjithherë i gjejnë arsyet e tyre. EU dhe komunitetit ndërkombëtar, aq u bëhet se a zhvillohen zgjedhjet në mënyrë demokratike apo jo, thonë ata.
Për komunitetin ndërkombëtar mjafton që në Shqipëri mos të shpërthejnë trazirat dhe mos ta marr rolin e një pacienti, ku pastaj do të detyroheshin të intervenonin nga bashkësia ndërkombëtare, vazhdojnë arsyetimin e tyre humbësit.
Po ju lutem, ne kishim monitorim, ne kishim mediat e huaja, ne kishim shoqërinë civile dhe të gjitha institucionet relevante, që e përcillnin gjendjen hap pas hapi. Ky ishte vullneti i popullit dhe mua nuk më mbetet tjetër, përpos këtë vullnet ta shpie në vend.
Më vjen keq për Kosovarët, Luginën dhe ata të Maqedonisë, (përpos PD të Kosovës, Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe Ali Ahmetin me partinë e tij, të cilët qëndron pas meje), të cilët më akuzojnë se jam i lidhur me Serbinë dhe Vuçiqin, por vendasit këtu në Shqipëri, kanë tjera pikëpamje për këto gjëra.
Për fat të mirë, ne e kemi tejkaluar nacionalizmin primitiv, urrejtjen, mbylljen, armiqësitë, ndarjen, ndjekjen, mbylljen e institucioneve etj. Ne jemi tërësisht të orientuar drejt së ardhmes dhe bashkëpunimit, prandaj nuk do të dëshiroja që këto gjëra të paraqesin problem mes nesh, që të kemi një rrugë të përbashkët.
Do të ishte mirë që kosovarët po ashtu, përpos PD të Kosovës, t´i kushtojnë vëmendje dhe t´i ndalojnë shkrimet tendencioze mbi personalitetin tim. Ju duhet të jeni të bindur se zgjedhja ime është vullneti i popullit shqiptar, pa marr parasysh rivalët dhe ata që mendojnë ndryshe.
Ne duhet të mësohemi që t´i përfillim rregullat demokratike dhe së bashku si vëllezër të ecim përpara.
Po ashtu si më parë, unë do ta vazhdoi rrugën e bashkëpunimit në rajonin tonë. Do të përpiqem që Serbia dhe Kosova t´i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre dhe ta harrojnë të kaluarën, duke u orientuar nga e ardhmja. Ju duhet ta kuptoni që të drejtat e pakicave janë alfa dhe omega, për një qasje në institucionet ndërkombëtare. Liritë e individit dhe të medias po ashtu hyjnë në këtë kategori. Projektet e përbashkëta të iniciuara me presidentin serb Vuçiqin dhe Dodikun, duhet t´i analizojmë dhe t´i përkrahim, aty ku ka hapësirë të përbashkët. Pavarësinë e Kosovës kurrsesi nuk do ta vë në pikëpyetje, po duhet të orientohemi përpara, e jo të mbesim peng e së kaluarës. Kjo është kërkesë edhe e bashkësisë ndërkombëtare.
Pra siç po e shihni, as unë nuk po kërkoj diçka më shumë apo më pak, përpos atë që po e kërkon Unioni Evropian, SHBA, ambasadorët e QUINT – it , Evropa dhe Bota. Ne duhet së bashku të punojmë dhe ta koordinojmë punën në këtë drejtim, e jo të pozicionoheni si në të kaluarën, kundër qëndrimeve të mia. Uroj që shqiptarët ta respektojnë vullnetin e popullit dhe më në fund të binden që t´i respektojnë personalitetet e tij, të zgjedhur nga vota e lirë. Bufit i dëshiroj sukses dhe do të dëshiroja që pas katër vitesh, sërish ta kisha rival të zgjedhjeve.
Mars – Rover (Satirë)