Ulja e temperaturave ka sjellë edhe dëborën e parë në qarkun juglindor të vendit. Pika turistike e Dardhës në Korçë është zbardhur nga reshjet e dëborës, ndërsa një numër i konsiderueshëm vizitorësh kanë vërshuar drejt këtij destinacioni për të kaluar një ditë ndryshe larg zhurmës urbane.
Pavarësisht situatës së COVID-19, Dardha këtë fundjavë ka pasur një numër të konsiderueshëm turistësh.
“Zyrtarisht juglindja e Republikës së Shqipërisë është përfshirë në sezonin e dimrit. Ditën e djeshme ka rënë bora e parë në Dardhë. Ka një bum turistësh, të cilët po provojnë dëborën e parë. Ka dëborë në pjesën e sipërme rreth 1 200 metra lartësi”, tha gazetari Shkëmbi.
Vizitorët ishin të kënaqur dhe thanë se vijnë në Dardhë bashkë me familjen për të kaluar një ditë ndryshe.
“Është hera e parë për mua. Mendova të kaloj një ditë ndryshe me familjen. Ishte shumë bukur dhe ajri është i pastër. Është shumë bukur, qetësia është absolute”, tha një turiste.
Pika turistike e Dardhës në qarkun Korçë vizitohet çdo vit nga një numër i konsiderueshëm turistësh shqiptarë, por edhe të huaj.