in

Qeveria “Kurti 2” do ta konfiskojë pasurinë e paligjshme

“Do t’u konfiskohet pasuria të gjithë atyre që kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme”, ka thënë anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një prononcim për Albanian Post.

Haxhiu, ish-ministre e Drejtësisë dhe me gjasa të mëdha t’i kthehet këtij posti përsëri, thotë se posa të formohet Qeveria “Kurti 2”, ndër prioritetet e para do të jetë procedimi në Kuvendin e Kosovës i projektligjit për konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

“Në mandatin e kaluar ne kemi punuar në hartimin e koncept-dokumentit për këtë, tani ka mbetur që në bazë të atij koncept-dokumenti, i cili ka qenë edhe publik, të draftohet projektligji dhe të procedohet në Kuvendin e Kosovës”, thotë Haxhiu.

Ajo thekson qëllimi është fuqizimi i mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe vendosja e barrës së provës te personi që i kërkohet justifikimi i pasurisë.

“Po ashtu ne do të punojmë edhe në themelimin e Byrosë së lartë të hetimeve që do të merret vetëm me korrupsionin e nivelit të lartë”.

Në anën tjetër, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se Kosova ka kornizë jashtëzakonisht të avancuar lidhur me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar me aktivitet kriminal.

Por sipas tij, sfidë mbetet zbatimi i ligjit në vend.

“Problemi kryesor në Kosovë është mungesa e zbatimit të ligjit në praktikë, mungesa e dënimeve finale që do t’i hapnin rrugë konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale”.

Miftaraj thotë se vetëm pas procesit të Vetting-ut kjo iniciativë e LVV-së do të jepte rezultat.

“Iniciativa do kishte efekt nëse do të kishim institucione të pavarura të drejtësisë, të paanshme dhe që kanë vullnet dhe guxim për të zbatuar ligjin, e që kjo sot nuk ekziston”.

Ndërkohë, Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post ka thënë se tashmë kanë hartuar një raport me shumën e konfiskuar që dyshohet se u fitua në mënyrë të kundërligjshme.

“Ne në këtë moment mund të japim statistikat e përgjithshme për vitin 2020 qe janë si ne vijim: Ngrirje-sekuestrim: rreth 19 milionë euro dhe Konfiskim: 476 mijë euro”.

Fazliu tha se ky raport i është paraqitur Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe pret që shpejt i njëjti të aprovohet.

Por ai nuk ka dhënë detaje shtesë se kush janë këta persona që u është sekuestruar dhe konfiskuar pasuria.

“Sapo i njëjti të aprovohet, atëherë do të jemi në gjendje të ofrojmë të dhëna më të detajuara”, përfundoi Fazliu. Albanianpost.com

Lini një Përgjigje

MEA subvencionon Infrakosin dhe Ngrohtoren e Gjakovës

Ahmetaj: 27 mijë e 249 zarfe të votave me kusht do të shqyrtohen