in

Putini e Vuçiqi, intensifikojnë sulmet ndaj infrastrukturës në Ukrainë e Kosovë

Sherif Ramabaja

Po bëhen tre vite rresht që Putini po tenton ta pushtoi Ukrainën, por pa sukses. Kur e vërejti se po i shkon fytyra para popullit rus dhe perëndimit, e ndërroi taktikën. Ai tashmë, pa u fshehur fare, doli haptas me fytyrën e diktatorit. U përqendrua në bombardimin e vendbanimeve duke vrarë njerëz, fëmijë e pleq të cilët jetonin nëpër shtëpitë e tyre, por kjo sikur nuk po i mjafton.

 Terrorin e vazhdoi me sulme ndaj infrastrukturës dhe energjetikës, që njerëzve t´ua bëj ferr jetën në shtetin e tyre. Nga i gjithë ky terror i Putinit, reagoi edhe Gjyqi Ndërkombëtar me seli në Hagë, duke shpall fletarrestimin për te, si një kriminel lufte.

Derisa Putini dhe Rusia po e terrorizojnë Evropën dhe perëndimin, të njëjtën gjë në Ballkan është duke e bërë Vuçiqi dhe Serbia.

Për fat të keq kjo po ndodh para syve të të gjithëve. Sikur po krijohet përshtypja se bashkësia ndërkombëtare, nuk po gjen mekanizëm se si t´i parandalojnë Rusinë dhe Serbinë, të cilat po e zgjerojnë përkrahjen e tyre nga shtetet diktatoriale siç janë: Kina, Irani, Korea Veriore etj.

Atë që është duke e bënë Rusia në Ukrainë dhe ish republikat e saj, ngjashëm është duke e bërë edhe Serbia në Kosovë dhe tashmë shtetet fqinje të Ballkanit.

Serbia së pari e testoi bashkësinë ndërkombëtare me gjendjen e përgjithshme në Kosovë duke organizuar protesta dhe sulmet në Veriun e Kosovës më 2023, ku mbetën të lënduar dhe të plagosur me dhjetëra ushtarë të KFOR it.

Më pas me paramilitar dhe grupe terroriste e organizoi edhe sulmi në Banjskë, me qëllim shkëputjen e Veriut, pasi që bashkësia ndërkombëtare me përfaqësuesit e saj: Borrell, Lajçak dhe Stano, për të gjitha zhvillimet e drejtonin gishtin drejt Kosovës.

Në një farë mënyre Kosova injorohej për gjithçka dhe për çudi u vu nën sanksione të EU, në vend se të ndodhte e kundërta.

Këto ditë sulmet terroriste me bomba ndaj infrastrukturës në Veriun e Kosovës erdhën duke u shtuar, kurse sulmi terrorist ndaj infrastrukturës së Ibër – Lepencit, që e furnizon me ujë Prishtinën dhe Korporatën e Kosovës, ishte maja e Ajsbergut.

Nuk dihet se edhe çka duhet të ndodhë, që EU t´i kanalizoi veprimet e veta në dobi të së vërtetës. Të gjithë po e vërejnë se atë që po vepron Putini ndaj Ukrainës, të njëjtën gjë po e ushtron Vuçiqi ndaj Kosovës: shkatërrimin e infrastrukturës vitale, duke e rrezikuar sigurinë nacionale të Kosovës.

Apo edhe sa duhet të zgjas që të bindet EU se Kosova, me mjete demokratike, përpiqej e po përpiqet ta vendos sovranitetin në tërë territorin e vendit, pa i rrezikuar interesat e askujt? Apo sërish do të lejojnë që nga Vuçiqi të tërhiqen për hundësh dhe sërish ta akuzojnë Kosovën.

EU duke i injoruar interesat nacionale të Kosovës është duke na imponuar edhe Asociacionin, që me vetëdije apo pa vetëdije, me këtë kërkesë po e rrezikojnë paqen në tërë Ballkanin. Ky është edhe insistim i përbashkët i Serbisë e Rusisë, e nuk kemi aspak të bëjmë me të drejtat e njeriut, në të cilat po ngul këmbë EU.

Zgjohu EU, se dikur mund të jetë vonë.

 

Profesionisti i negociatave klasifikon planet kontroverse të Trumpit, për luftën në Ukrainë

Satirë:Kurti si organizator i Banjskës!