Nga Sherif Ramabaja
Kontigjeni i dozave ruse Sputnik erdhi në kohën pas fitores së Partisë Socialiste, në zgjedhjet nacionale që u mbajtën me 20.04.21 në Shqipëri. Ishte kjo rastësi, koinçidencë apo urim për fitoren nuk dihet saktësisht.
Dilema në Sputnikun rus është se popullsia ruse vetë po refuzon të vaksinohet me këtë lloj vaksine, po ashtu as EMA nga EU nuk e ka dhënë dritën e gjelbërt, që kjo vaksinë i plotëson standardet, të cilat kërkohen nga OBSH.
Kryeministri Rama këto ditë ndodhet në një ekstazë, sepse sipas standardeve të tij e fitoi mandatin e tretë, Berishën e eliminoi nga skena politike ngase SHBA e shpalli person Nongrata dhe po ashtu parlamenti i tij monist, e shkarkoi presidentin Ilir Meta.
Ramës tash nuk i mbeti tjetër përpos të kujdeset për vaksinimin e popullsisë duke thelluar miqësinë shqiptaro – ruse, me koktein e vaksinës Sputnik.
Shqiptarët deri më sot nuk kanë arritur të kenë një kryeministër të tillë : Ai po bëhet gati t´i hap bisedimet me EU, Me kryetarin serb Vuçiq do ta inaugurojnë Minishengen Ballkanik, me Erdoganin do t´i thelloi lidhjet turko – arabe, kurse po i mbetet vetëm edhe t´i ripërtërijë lidhjet e vjetra shqiptaro – kineze.
Po ashtu këto ditë kryeministri Rama mblodhi opozitën kosovare dhe kuvendoi me ta, lidhi miqësi me Haradinjajn dhe hangrën e pinë së bashku si vëllezër. Kurtin e dinte që do ta takonte në Samitin Ballkanik që do të mbahej në Tiranë dhe pikërisht para mediave, e kapi për qafe sikurse vëllaun e vogël duke i thënë, “duhet të rritesh akoma, që të më arrish mua”!
Këto ditë kryeministri Rama do ta organizoi edhe Kongresin e Partisë Socialiste dhe këtë do ta bëjë në një vend, ku askush deri më sot nuk ia kishte arritur këtij qëllimi , në stadiumin futbollistik.
A sështë kjo madhështore? Këtë nuk e kishte bërë as „babai “ i kombit Enver Hoxha, as Mao Zedung, Stalini, Kastro e mos të flasim për diktatorët e sotëm që dinosaurëve të tyre që i përmendëm, as te këmbët nuk u vijnë.
Shqiptarët gjithnjë i kanë nënçmuar figurat e veta dhe nuk ua kanë ditur vlerën që kanë, prandaj nëse furnizohemi sot me Sputnikun rus, nuk do të thot që ne jemi orientuar nga Rusia, apo ia kemi hapur portat Putinit dhe Serbisë.
Ne duhet të jemi diplomat dhe për interat e vendit, duhet ta përqafim edhe Putinin. Edhe ai është njeri, edhe pse Nawalnyn e ka futur në birucë dhe sdihet a do ta liroj të gjallë.
E ka pushtuar Krimenë, mundohet ta zhbëjë EU, organizon sulme kibernetike, financon terrorizmin ndërkombëtarë dhe tërë botën mundohet ta fus në lutëra dhe kriza të parrugëdalje. Kjo është tipike për Rusinë dhe Putinin, po çkemi të bëjmë ne me këtë.
Kjo është edhe një luftë për mbijetesë e Putinit, sikurse edhe e kryeministrit Rama, sepse të tërë janë kundër tyre, kurse ata ” nuk arrijnë të vënë gjumë në sy për atdheun e tyre”.
Opozita duhet të mësoi se atdheu është shumëdimensional, nuk përparon nëse orientohesh vetëm në një drejtim.
Merrni Mësim nga kryeministri në detyrë, Rama. Cilin e kishin ftuar deri më sot në vizita të njëpasnjëshme përpos tij. Ftesën për vizëtën para zgjedhjeve të 25 prillit ia kishte bërë, kush tjetër përpos kryetarit të Francës zoti Macron.
Ky ishte një sinjal që t´i fitoi zgjedhjet sepse ai kishte nevojë për te, pastaj e ftoi i madhërishmi i tij zoti Erdogan, kurse tash së fundit e ftoi edhe kryetari i Hungarisë zoti Orban.
Këto janë sinjale se pa kryeministrin Rama “nuk funksionon asgjë sot”, sidomos në rajonin e Ballkanit, këtë duhet ta pranojnë shqiptarët, më mirë tash se vonë.
Si sinjal i njohjes së meritave të tij është edhe organizimi i këtyre ditëve të Samitit të shteteve të Ballkanit Perëndimorë. Aty kryeministri Rama me sjelljen e tij duke e kapur për qafe Kurtin, dëshmoi se nuk mban mëri me vëllezër.” I don, i çmon dhe punon bashkarisht me ta për të mirën e kombit”.
Do të ishim të lumtur po të ishte ashtu, nëse nuk mban në sirtarë farë plani të Macronit, Vuçiqit dhe Putin për Kosovën.
Kryeministri Rama, kishte parë se ç´kishte gabuar Enver Hoxha duke e izoluar vendin. Ky gabimet e tij nuk do i përsëris, për te hapja është shpëtimi.
Po ta kishte quajtur Rusinë revizionishte dhe imperialiste, a do të arrinte të ta merrte kontigjentin e Sputnikut sot.
Nëse askush nuk don të vaksinohet me këtë vaksinë, do t´i kemi anëtarët e Partisë Socialiste që do ta shfaqin vëllazërim – bashkimin me Internacionalen Socialiste ruse dhe vullnetarish do ta përqafonin Sputnikun rus, sikur edhe të jepnin shpirt aty për aty.