in

Hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë: entuziazëm e eufori

Nga: GANI MEHMETAJ

12 qershor 1999

Diçka më madhështore nuk kisha parë në jetën time: trupat e NATO-s po hynin triumfalisht në Kosovë, nëpër qytete e katunde. Anglezët marshonin të parët. Hyrja e tyre në Prishtinë të dukej si në ëndërr, një ëndërr që e ke dëshiruar shpesh e me vite. Përnjëherësh të del esëll dhe ti s’di si ta përjetosh, nuk je i sigurt, është ëndërr e përsëritur apo po ndodh para syve të tu.

 Raportet nga terreni na jepnin lajme të vazhdueshme me tekst e me fotografi, televizionet e transmetonin orë e çast hyrjen e trupave të NATO-s. Mijëra shqiptarë dolën në rrugë, brohorisnin apo valëvisnin flamujt e Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Gjermanisë. Të plaste vaji kur e shikoje në atë gjendje popullatën në rrugë: të leckosur e të paushqyer, të dërmuar nga vuajtjet e frika. Si të dilnin nga kampet e Aushvicit.

Ushtarët e policët serbë tërhiqeshin me bisht ndër shalë, megjithëse gjatë tërheqjes së tyre, përpiqeshin qw turpin ta mbulonin me ngritjen triumfale të tre gishtërinjve, simbolin që e zëvendësuan  me përshëndeten e vjetër partizane me grusht. Kolonat e ushtrisë serbo-malazeze ia mbathnin tutje drejt shtetit të tyre. Pamjet televizive sa e paraqisnin hyrjen triumfale të aleatëve, aq përqendroheshin në djegiet e shkatërrimet e ushtrisë që po tërhiqej. Katunde të djegura, shtëpi që ende nxjerrin tym, qen që silleshin vërdallë pa të zotët, prona të lëna shkret, ndonjë kufomë e dekompozuar rrugës, që nuk e varrosi askush.

Kamerat prapë përqendroheshin në fytyrat e drobitura të popullatës së entuziazmuar. U kishte mbetur aq forcë sa të brohorisnin para kolonave të ushtrisë angleze e gjermane.

Që në orët e mëngjesit korrespodenti i ATSH-së, gazetari i vjetër i “Rilindjes”, Behlul Jashari, më tregonte nga një kënd i ndërtesës së BANKOS-it, se pritet ardhja e trupave të NATO-s. Me një celular fliste të vogël, sepse më tha se në hotelin “Grand”  ka ende serbë të armatosur.

12 qershori i vitit 1999, dita më vendimtare në historinë e shqiptarëve të Kosovës: trupat e NATO-s u futën në Kosovë, dëbuan forcat serbe, pastruan terrenin nga minat, hoqën qafe çerdhet e snajperëve serbë nëpër pika të ndryshme të kryeqytetit. Të gjitha këto na vinin nga burime të ndryshme. Ne vazhdonim të bënin gazetën, duke kërkuar me telefon informacion nga terreni. Flitej për numër të madh të refugjatëve nëpër male, pa kushte elementare të jetesës. Druhej edhe për vrasje e masakra, numrin e të cilëve nuk e dinim saktësisht. Një pjesë e madhe e Kosovës qe e minuar. Shtëpitë, ku duhej të ktheheshin refugjatët e dëbuar, serbët i minuan para së ta braktisnin Kosovën, duhej pastruar. “Gurkat”, njësi angleze e pastruesve nga minat, bënin punën gjatë gjithë kohës.

 Një ditë më parë, më 11 qershor të vitit 1999, kur pritej që forcat serbe të tërhiqeshin pas Marrëveshjes së Kumanovës, befasisht u futën në qendër të kryeqytetit trupat ruse me tanke e autoblinda, të ardhur nga Bosnja. Hyrja e tyre qe goditje e paparë për shqiptarët e sfilitur të mbetur në Prishtinë, ndërsa fshiheshin nëpër bodrume nga njësitë ndëshkuese serbe. Flitej se serbët kishin përpiluar lista të tjera për pushkatime. Varreza të reja  masive tashmë qenë hapur në periferi të Prishtinës.  Askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Të  gjithë frikësoheshin se nuk do t’i gdhinte dita e nesërme. Raportet telefonike që na vinin nga Lagja e Muhaxhirëve na bënin me dije se Prishtina u bë ferr.  Refugjatë që prisnin me padurim kthimin, shihnin në ekranet televizive si t’u kishte rënë damllaja. Zyrtarë  të lartë të NATO-s s’dinin si ta shpjegonin zhvillimin më të ri. Nisi euforia e serbëve në Prishtinë, filluan krismat e kallashëve, i dëgjoja me telefon, m’i përcillte një i afrim imi, i dëshpëruar sa s’qante.

Pastaj euforinë serbo-ruse nisi ta transmetonte një televizion rus apo sllav, nuk e mbaj në mend. Krismat e shkreptimat nuk pushuan gjithë natën, lumenj gëzhojash u shpërndan nëpër qendër të qytetit, pinin e bënin qejfe serbët, pinin e bënin qejfe rusët me femrat e serbëve.

Tërë natën kush nuk vuri gjumë në sy, prisnin të futeshin trupat e NATO-s, të shpëtonin ata që mbetën në kryeqytet shtatëdhjetë e ca ditë të tmerrshme të bombardimeve, të përndjekjes së policëve serbë derisa u erdhën rusët. Ardhja e njësitit nga Bosnjë e Hercegovina u dha zemër serbëve të shpresonin se asgjë nuk ndryshoi.

I kisha vëllezërit me familje në Lagjen e Muhaxherëve, ku u kthyen pas shumë peripecish nëpër malet e Gollakut pa ushqim e të ndjekur. Shpëtuan nga ekzekutimi para disa ditësh, kur i mbërthyen skaj një muri të gjithë burrat, dhe u bënë gati t’i pushkatonin, porse si ndërruan mendje policët serbë asnjëri nuk dinte ta shpjegonte. Ndërkaq, tash përnjëherësh, vijnë rusët për t’ua shuar shpresat e shpëtimit dhe ëndrrën e çlirimit.

Por edhe ky makth nuk zgjati shumë. Të nesërmen trupat ruse u drejtuan nga Aeroporti i Prishtinës, ku thuhej se kishte ende aeroplanë ushtarakë rusë MIG nën hangarin e madh nëntokësor përfundi bjeshkëve të Goleshit.

Në tërë faqen e parë të gazetës me tituj të mëdhenj nxorëm hyrjen triumfale të trupave angleze në kryeqytet me turmat e mëdha të shqiptarëve, të sfilitur që u duartrokisnin në delir. Dita e 12 qershorit do të shënohet në analet e historisë më të re të Kosovës, ditën kur u çliruam. Derisa telefonat cingëronin vazhdimisht, ne punonim në ethe, por nuk na mungonte ora e mirë, gati – gati ishim në delir.

Raportet nga terreni na bënin me dije se nisën të ktheheshin me mijëra refugjatë me shpejtësi të paparë dhe pa pritur asnjë ndihmë, apo këshillë. Dolën njoftimet e subjekteve ndërkombëtare e të zyrtarëve të shteteve nikoqire se ka rrezik nga minat, mungojnë kushtet elementare të jetesës etj. Por asnjëri nga refugjatët nuk i përfilli këto paralajmërime. Secili donte të kthehej në vendin e vet. Shqiptarët, që ktheheshin me mijëra nga Shqipëria, Maqedonia edhe nga Perëndimi, ku i patën kushtet më të mira, ishin krejtësisht ndryshe nga refugjatët boshnjakë, të cilët, thoshin analistët, mbetën edhe një kohë të gjatë apo nuk u kthyen fare. Disa gazetarë e punëtorë të “Rilindjes” në Prishtinë, që ikën refugjatë nëpër kampet perëndimore, më thirrën me telefon dhe më lajmëruan se do të ktheheshin menjëherë në kryeqytet. U përpoqa t’i bind se ende është herët, por qe e kotë, ashtu u thanë edhe përgjegjësitë e kampit, madje i lutën të rrinin edhe ndonjë javë, derisa të qartësoheshin gjërat, por asnjëri prej tyre nuk priti, u nisën me aeroplanin e parë.

Ndërkohë ata që ktheheshin nuk i prisnin me lule para shtëpisë a rrugicës ku jetonin. Jepeshin edhe pamjet të trishtueshme: banorët e kthyer para shtëpive të djegura e pronave të shkatërruara, duke u sjellë si të përhumbur.

Dikur nisnin të ngrinin çadër para shtëpisë së djegur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Panorama: Çmimi “Kadare” inkurajon dhe promovon letërsinë shqipe

Putini dërgoi 25.000 doza të vaksinës Sputnik në Shqipëri