Samiti i Minishengenit Ballkanik këtë të hënë, i katërti i mbajtur deri tani, kaloi në heshtje, pas asnjë video dhe pa asnjë foto. Ky samit Online vjen pas atij në Nish, kur u shpall ideja e parë. Më pas erdhi ai në Ohër kur projekti iu bë fakt i kryer Bashkimit Europian pas dështimit të negociatave. Më pas ishte Samiti i Tiranës, ku do të mbahen mend gjatë sharjet e kryeministrit të Shqipërisë ndaj atij të Kosovës në të njëjtën tryezë me fqinjët sllavë.
Këtë samit online, Rama e kaloi në heshtje. Sepse në të njëjtat orë kur ai firmoste marrëveshjet për covidin me miqtë e tij sllavë, nga njëri ekran dixhital në tjetrin, mediat shqiptare po transmetonin pamjet e Jakup Krasniqit dhe të Hashim Thaçit në pranga, në bangën e të akuzuarve në Hagë për krimet e luftës çlirimtare të Kosovës. Të dy akuzuan Serbinë se kishte qenë frymëzuesja kryesore e akt-akuzës kundër krerëve të UÇK-së përmes furnizimit me prova false të dosjes së prokurorëve specialë.
Por ndërsa Rama tentoi ta kalojë në heshtje puthjen e radhës me Vuçiçin dhe Zaevin, këta të fundit nuk ngurruan të publikojnë fotot nga takimi që u finalizua me nënshkrimin e disa marrëveshjeve në lidhje me qasjen ndaj pandemisë.
Ndërsa për kryeministrin Rama kontrasti që krijon simbolika e Thaçit të prangosur në Gjykatën e Hagës dhe nënshkrimi në të njëjtën ditë i marrëveshjeve me kryeministren e Serbisë nuk përbën asnjë problem, duket se për politikën kosovare ka qenë më e vështirë të përtypet një fakt i tillë. Në Kosovë ka pasur një dakortësi të të gjithë faktorit politik se Kosovës nuk i vjen asgjë e mirë nga Mini-shengeni Ballkanik. Pavarësisht ftesave dhe presioneve nga të gjitha mënyrat, u duk se qëndrimi i palës kosovare ishte njëzëri kundër këtij projekti, që anashkalonte kërkesat për njohje nga Serbia.
Por në 4 Shtator, në Uashington Vuçiç, Zaev dhe Rama thirrën “fitore”, kur kryeministri i Kosovës Abdullah Hoti nënshkroi marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, në pikën 2 të së cilës, parashikohej se Kosova pranonte të bëhej pjesë e Mini-shengenit ballkanik.
Për dy muaj më radhë, Vuçiç, Zaev dhe Rama kanë përsëritur thirrjet për Kosovën që të ulet në tryezën e Mini-shengenit, por duket se vota amerikane në 3 Nëntor përmbysi një seri rrethanash. Kryeministri Hoti ka thënë në publik se do ta respektojë marrëveshjen e firmosur në Uashington, por mungesa e sotme tregoi se edhe ai tani ka dyshimet e tij për erërat që do të nisin të fryjnë.
Në fund të fundit, presidenti Trump që e dinte Kosovën në Lindjen e Mesme humbi zgjedhjet. Ai do të zëvëndësohet nga presidenti Biden, që e di se Kosova është në Ballkan. Qasja pritet të ndryshojë, ndaj deri në transferimin e administratës Trump nga Shtëpia e Bardhë duket se pala kosovare nuk e ka parë të arsyeshme të nxitojë dhe të ulet në tryezë me serbët, sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Aty ishte vetëm Edi Rama, që si nuhatës i mirë politik, zgjodhi të vetëçensurohet në ERTV.©Lapsi.al