Reuters
Britania po përballet me valën më të madhe të veprimit sindikal në dekada, me punëtorët nga shumë sektorë, përfshirë atë të kujdesit shëndetësor dhe edukimit që kanë hyrë në grevë.
Pse po ndodhin grevat tani?
Thelbi i këtyre trazirave janë pagat.
Rritja mesatare e pagave në Britani u ngadalësua pas krizës financiare globale dhe u rrit gradualisht në gjysmë e dytë në dekadën e kaluar. Megjithatë, në përgjithësi rritja e pagave ishte më e vogël për punonjësit e sektorit publik dhe solli pak ose aspak rritje reale.
Dallimi në paga mes sektorit publik dhe privat është thelluar më shumë gjatë vitit të kaluar, teksa inflacioni në çmimet e konsumit arriti në shifra dyshifrore.
Pagat në sektorin privat në tre muajt deri në nëntor të vitit të kaluar u rritën me 7.1 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërsa paga mesatare e sektorit publik, në periudhën e njëjtë, u rritën me 3.3 për qind.
Shumë nga mospajtimet janë gjerësisht ose plotësisht në sektorët publikë, sikurse transporti dhe kujdesi shëndetësor, përfshirë edhe punonjësit e hekurudhave, personeli i emergjencave dhe infermierët.
Niveli më i lartë i inflacionit në Britani në 40 vjet është regjistruar muajt e fundit. Inflacioni prej rreth 10 për qind ka goditur shumicën e pagave në sektorin publik dhe ka shkaktuar një krizë të kostos së jetesës, që ka bërë që disa persona të drejtohen në organizatat që ofrojnë ndihma ushqimore.
Shumë sindikata kanë thënë se pagat e punëtorëve në dhjetë vjetët e fundit kanë shënuar një rritje modeste dhe ndikimi i inflacionit aktual ka ndërlikuar edhe më shumë situatën, pasi janë rritur çmimet e energjisë dhe qytetarët po ndjejnë efektet e pandemisë.
Cilat janë grevat më të mëdha?
Vetëm më 1 shkurt, rreth gjysmë milion punëtorë u futën në grevë, por veprimi sindikal ka prekur shumë sektorë.
Përderisa disa punëtorë të sektorit privat, nga stafi në porte e deri te shoferët e autobusëve, kanë arritur marrëveshje për pagat me punëdhënësit e tyre pasi kishin organizuar greva, pakënaqësia në shumë sektorë të tjerë publikë po vazhdon.
Stafi i transportit hekurudhor, infermierët dhe punëtorët e autoambulancave, mësuesit dhe shërbyesit civilë po kërkojnë rritje të pagave që përputhen ose tejkalojnë inflacionin, si dhe disa kërkesa të tjera sa i përket kushteve të punës.
Sindikata që përfaqëson mësuesit në sistemin arsimor të financuar nga shteti ka kërkuar një shpërblim monetar për shkak të inflacionit, që do të financohej plotësisht nga Qeveria. Sindikata u ka ofruar mësuesve më me përvojë një rritje page prej 5 për qind, që do të paguhet nga buxhetet ekzistuese të shkollave.
Afër 100.000 shërbyes civilë – që punojnë për departamentet qeveritare, e deri te punëtorët e agjencive – po ashtu kanë hyrë në grevë duke kërkuar rritje page prej 10 për qind.
Cila ka qenë përgjigja e Qeverisë?
Qeveria britanike, që merr këshilla nga trupa të pavarur kur përcakton rritjen e pagave në sektorin publik, u ka bërë thirrje sindikatave që të ndërprenë grevat dhe të zhvillojnë bisedime me ekzekutivin.
Qeveria ka argumentuar se rritja e pagave, që do të përputhej edhe me nivelin e inflacionit, do të shkaktonte rritje të mëtejme të çmimeve dhe do të bënte që të rriteshin edhe më shumë normat e interesit dhe pagesat e kredive.
Kërkesat për rritje pagash vijnë gjithashtu pasi Qeveria e kryeministri Rishi Sunak, njoftojë për një paketë për rritjen e taksave dhe shkurtimin e shpenzimeve, në përpjekje për të riparuar financat publike dhe për të zbutur inflacionin.
Qeveria po ashtu ka prezantuar një plan për të garantuar nivelet minimale të shërbimit të sigurisë gjatë veprimeve sindikale nga zjarrfikësit, stafi i autoambulancave dhe punonjësit e hekurudhave. Sindikatat kanë thënë se ky ligj është sulm ndaj lirisë për të mbajtur grevë.