Gazeta zvicerane “SonntagsZeitung” shkruan sot se futbollistët e Grasshoppersit të Zürichut, Florian Hoxha dhe Meritan Shabani, i pari i lindur në Zvicër, i dyti i lindur në Gjermani, bashkë me lojtarin Elmin Rastoder, me gjasë boshnjak, janë takuar së fundi me një imam radikal nga Libani të quajtur Abdul Wahab. Takimi është zhvilluar në një xhami afër Zürichut. Në një fotografi të postuar në Instagram, tre futbollistët ngrisin gishtin tregues drejt qiellit – një gjest identifikues kryesisht i myslimanëve radikalë. Futbollistët shkruajnë: “Ishte kënaqësi që u njohëm, vëlla”.
Kush është Abdul Wahabi të cilin futbollistët shqiptarë të Grasshoppersit dhe shoku i tyre boshnjak e quajnë “vëlla”? Abdul Wahabi është predikues radikal dhe përdor gjuhë toksike në komunikimet e tij publike. Abdul Wahabi shkruan se “80 për qind e grave perëndimore marrin ilaçe depresive”. Grave u bënë thirrje që të mbulohen. Idol i Abdul Wahabit është Andrew Tate, një influencer britanik, i njohur për gjuhën urrejtëse ndaj grave.
Tate gjendet në burg në Rumani, i akuzuar për kontrabandë me njerëz dhe për dhunim. Abdul Wahabi i drejtohet Andrew Tates me këto fjalë: “Të jam aq mirënjohës! Pasi që ti aq pozitivisht ke ndikuar në jetën time, unë do të përçojë tutje mesazhet e tua dhe do të ndryshojë jetën e shumë të tjerëve”. Tate i krahason gratë me qen. Nëse qeni nuk të dëgjon, ti nuk je përgjegjës për të, nëse gruaja e fëmija nuk të dëgjojnë, ti nuk je përgjegjës për ta, thotë ai.
Imami libanez Abdul Wahab flet nëpër tubime radikalësh në Britaninë e Madhe bashkë me Mohamed Hoblos, një nxitës i urrejtjes dhe selafist nga Australia. Hoblos thotë: “Nëse e harron një namaz, ti je më i keq se një vrasës, dhunues, terrorist dhe keqpërdorues fëmijësh, që lutet”. Ose: “Një grua e mirë është si hëna e plotë: vjen natën dhe zhduket ditën”. Ose: “Një burrë i vërtetë e di si duhet luftuar”.
Në janar autoritetet zvicerane ia kanë ndaluar hyrjen në Zvicër Mohamed Hoblosit. Sipas disa burimeve ai në Zvicër deshi të hyjë me Abdul Wahabin, të cilit iu lejua hyrja. Futbollistët Florian Hoxha, Meritan Shabani dhe Elmin Rastoder nuk i janë përgjigjur pyetjeve të gazetës “SonntagsZeitung”. Ka heshtur edhe klubi i tyre i futbollit. Andaj mbetet e paqartë nëse futbollistët kanë qenë naivë kur janë takuar me një imam radikal apo me vetëdije kanë lejuar të keqpërdoren e instrumentalizohen për propagandë radikale fetare? (Enver Robelli)