in

Propozim: Në Zym të ngritet Muzeu i “Kanunit”

Kanuni nuk kuptohet pa gjenezën e kodeve juridike të Perandorit Justinian. – Shtjefën Gjeçovi hapat e parë në mbledhjen e “Kanunit…” i bëri në Famullinë e Gomsiqës, kurse në Famullinë e Zymit, ku ishte vrarë (14 tetor 1929), kishin mbetur dorëshkrimet, e me to edhe “Kanuni”, prej nga u bartë në Shkodër…

Shkruan: Frrok KRISTAJ

Atë Shtjefën Gjeçovi edhe pse jetoi pak, gjithsej 55 vjet, mbetet i pakalushëm për veprat që na i la. Ishte poet, prozator, dramaturg, përkthyes, por ishte edhe arkeolog, etnograf, pedagog, historian, e mbi të gjitha ishte patriot i dëshmuar i çështjes shqiptare.

Megjithat, Atë Shtjefën Gjeçovi vazhdon të njihet me kryeveprën e tij – Kanunin e Lekë Dukagjinit, që konsiderohet si kryemonument juridik zakonor i kombit shqiptar. Kjo vepër monumentale, që konsiderohet kryevepra mendore e kombit shqiptar, është mbledhur nga Atë Shtjefën Gjeçovi.

Kanuni nuk mund të kuptohet pa gjenezën e kodeve juridike të Perandorit ilir të Bizantit, Justinianit të Madh. Pra, fillimi i Kanunit është fundi i Antikitetit të Vonë dhe plotfuqishmëria e Kanunit është periudha e Mesjetës së hershme.

Edit Durham thotë se këto ligje vijnë që nga koha e bronzit, kurse Atë Zef Valentini e çon këtë kod rregullator para periudhës mesjetare arbnore. Megjithatë, ka gjasa se kjo trashëgimi dokësore është si mbamendje e Kodit të Justinianit, vepra këto që në këto troje ishin zhdukur nga armiqët grek, sllav, bullgar, turq etj., sepse Kanuni ka ligje të së drejtes romake, asaj Bizantine (Kodin e Justinianit) e të tjera, që kanë pikëpamje të njëjta nga shumë aspekte te jetesës, moralit, rendit shoqëror, zakoneve e kështu me radhë.

Kanuni sado të përmban ligje arkaike (jo në aspekt përbuzës) mbetet ndër ligjet më të vjetra në botë, për çfarë duhet të jemi krenar.

Kanuni i Lekë Dukagjinit është kodi konceptual vetëqeverisës i shqiptarëve në atë që quhet epoka parashtetërore.

Atë Shtjefën Gjeçovi në vitin 1898, nëpër oda burrash, kishte filluar mbledhjen e normave dokësore të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”. Në mbledhjen e Kanunit, por edhe në sistemimin e kodifikimin punoi plot 30 vjet.

Padyshim se kjo kryevepër e Gjeçovit, pra Kanuni, u rradhit krah epopeve me të mëdhá e më të bukura të botës: si “Iliada”, “Shah-Name”, “Gilgameshi”, “Niebelungen”, “Fingal” etj., të cilat dhe këto u mblodhën, u ringjallën e u shkruan mbí bazën e folklorit.

Kanuni i Lekë Dukagjinit i konkuroi ligjet drakoniane shtypëse dhe shfrytëzuese të gjithë pushtuesve.

“Kanuni i Lekë Dukagjinit” ka mbet i pandryshuar, i trasmetuar besnikërisht nga tradita e jonë gojore, në formën e “tabelave të vlerave” siç do të thoshte Nietzsche, si pjesë integrale, monumentale, historike e i kulturës sonë të lashtë dhe bashkëkohore shqiptare.

Kjo vepër monumentale në të gjitha trevat shqiptare e ka të njejtën përmbajtje, përkatësisht se Kanuni ishte veprues nga veriu në jug të trojeve shqiptare, pavarsisht se njihet me emra të ndryshem, përkatësisht pavarësisht edhe pse identifikohet me emra trevash e rajonesh të banuara me shqiptarë.

Nëpërmjet pleqërisë dhe kuvendit, Kanuni kohë të gjatë i drejtoi aspektet e jetës së shoqërisë, andaj me të drejtë konsiderohet dhe si kushtetuta arbëroro-shqiptare (Republika e Mirditës

(17 korrik 1921 – 20 nëntor 1921), për Kushtetutë të vetën e miratoi “Kanunin e Lekë Dukagjinit”).

Njihen gjashtë kanune, si: “Kanun’i vjetër”, “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (“Kanuni i Pleqënisë”), “Kanuni i Must Ballgjinit” (“Kanuni i Çermenikës”), “Kanuni i Papa Zhulit”, “Kanuni i Labërisë” dhe “Kanuni i Skënderbeut” (“Kanuni i Arbërisë”).

Do përmendur se njihen edhe variantet të tjera të kanuneve, si: “Ligjet e lashta”, “Ligji i ligjeve”, “Kanuni i vjetër”, “Kanuni i Mirditës”, “Kanuni i Malësisë së Madhe”, “Kanuni i Martaneshit”, “Kanuni i Bendës”, “Ligji i Dibrës”, “Kanuni i Lurës” (“Kararet e Lurës”), “Kanuni i Kurbinit” (“Kanuni i Bajrakut të Kurbinit”), “Kanuni i Pukës”, “Kanuni i Lumës”, “Kanuni i Malësisë së Lezhës”, “Kanuni i Malësisë së Gjakovës”, “Ligjet e Shpatit”, “Rregullat e Idriz Sulit”, “Kanuni i Çamërisë”, “Ligjet e Himarës”, “Kanuni i Toskërisë”, si dhe “Sulli në traditën popullore të Plavës dhe të Gucisë”.

Kjo kryevepër unikale juridike dhe etiko-morale e të drejtës zakonore shqiptare, e mbledhura nga Gjeçovi i Madh, jo vetëm që ka përmbajtje të gjerë humanistike, por dëshmon edhe aftësinë e popullit për të vetadministruar, vetorganizuar dhe vetqeverisur jetën e tij, përkatësisht dëshmon përvojen e tij juridike, kulturën dhe normat e veta etiko-morale, që mbijetuan me të gjitha vlerat nga kohët më të lashta e deri në ditët e sotme, duke i treguar botës se jemi popull me kulturë të lartë.

“Kanuni i Lekë Dukagjinit” fillimisht u përkthye në gjuhën italiane, më pas në serbisht, frëngjisht, rusisht, anglisht gjermanisht dhe në gjuhë të tjera.

Duke vlerësuar nivelin shkencor dhe kontributin historik dhe kulturor të veprës “Kanuni i Lekë Dukagjini”, Senati i Universitetit të Laipzig (Gjermani), në vitin 1923, e laureoi Atë Shtjefën Gjeçovin me titullin shkencor “Doktor Honoris Causa në drejtësi”

Ka pas zëra që monumenti i quajtur “Kanuni i Lekë Dukagjinit” të propozohet të hyjë në mbrojtje të UNESCO-s, gjë që nuk mund të bëhet, sepse vepra konsiderohet si objekte fizik, që ruhet nëpër biblioteka, por në UNESCO mund të hyjnë vetëm si pjesë shpirtërore, si Pleqëria e hakmarrjes, pleqëria e trashëgimisë së pronës, e tjera, e tjera. Megjithatë, është detyrë jona që ta senzibilizojmë hyrjen e Kanunit në mbrojtje të UNESCO.

Së fundi, Shtjefën Gjeçovi në vitin 1898, nëpër oda burrash, kishte filluar mbledhjen e normave dokësore, megjithatë Famullia e Gomsiqës konsiderohet si selia e “Kanunit” të Gjeçovit (Ndue Dedaj, Gazeta MAPO, 7 gusht 2017). Në anën tjetër, në Famullinë e Zymit, ishte vendi ku pas vrasjes së Gjeçovit (14 tetor 1929) kishte mbetur dorëshkrimi i “Kanunit”. Ndaj, do të ishte me interes që nëse jo në të dy qendrat e përmendura, bile në njërën të themelohet Muzeu i “Kanunit”, apo t’i ngritet një lapidar kësaj vepre monumentale, ku do të përjetësohej vepra e pashoqe kërkimore-shkencore e Atë Shtjefën Gjeçovit. E them në Zym sepse kur u vra Gjeçovi, dorëshkrimet e tij, e me to edhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, gjendeshin në Zym. Për këtë arqipeshvi i Shkodrës, Imzot Lazër Mjeda, e formoi, siç e quajti ai, një Komision në krye të të cilit e emroi Atë Pashk Bardhin për të shkuar në Zym dhe për t’i marrë dorëshkrimet, e me to edhe “Kanunin e Lekë Dukagjinit” dhe për t’i sjell në Shkodër, që do të thotë se pas vrasjes së Gjeçovit, “Kanuni…” u bart nga Zymi dhe u vendos në Shkodër, ku pas katër vjetësh, pra më 1933, u botua si vepër postume. Apo në Gomsiqe të ngritet një Muze – odë burrash, si simbolikë që filloi mbledhja e Kanunit, kurse në Zym , në Qelenë e Kishës (ku jetoi Atë Shtjefën Gjeçovi, që aty të ngritet Muzeu i Kanunit, apo variant i tretë, që në Gomsiqe dhe një Zym të ngriten lapidarë të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”.

Për këtë vepër Atë Gjergj Fishta shkruan: “Duke mbledhur Kanunin e Lek Dukagjinit, Atë Gjeçovi i ka ba një shërbesë të madhe kombit tonë, sepse çdo shtet dëshiron të jetojë e të zhvillohet sipas parimeve të arsyes të qytetërimit të vërtetë…”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Lutfi Haziri e ka "dostin" më të mirë Hashim Thaçin

Ramiz Kelmendi: Urgjentisht të hiqet taksa ndaj produkteve amerikane