in

Prokuroria kumton se pati shpërthim në autobusin ku vdiqen 45 shqiptarë

Ngjarje e rëndë: 46 udhëtarë nga Maqedonia e Veriut humbën jetën në një aksident trafiku në Bullgari, viktimat janë shqiptarëKonfirmohet se ka pasur shpërthim, Zyra e hetuesisë bullgare vjen me informacionet e fundit rreth aksidentit tragjik të autobusit

Drejtori i Shërbimit kombëtar të hetuesisë, Borislav Sarafov ka treguar detaje të reja rreth aksidentit të autobusit ku mbetën të vdekur 45 njerëz nga Maqedonia e Veriut.

Ai ka thënë se rezultatet e ADN-së të udhëtarëve do të dalin për dy ditë. Sarafov për dnes.bg e ka konfirmuar informacionin se ka pasur shpërthim në autobus.

Ai gjithashtu ka thënë se së bashku me kolegët nga Maqedonia e Veriut kanë definuar drejtimin e hetimeve.

“Lista e udhëtarëve të autobusit i është dërguar autoriteteve të Maqedonisë dhe procesi i identifikimit ka filluar. Bullgaria pret nga Maqedonia që të dërgojë ekzemplarë të ADN-së nga familjarët e të aksidentuarve, që të lehtësohet identifikimi i të vdekurve dhe të lënduarve”.

Ai gjithashtu ka thënë se nuk ka evidencë se në autobus ka pasur lëndë djegëse apo naftë, siç është përmendur nga zyrtarë të tjerë lokal.

Sarafov ka shtuar se kanë kontaktuar me pronarin e agjencionit duke thënë se nga i njëjti do të kërkohet dokumentacioni i plotë për autobusët dhe për kompaninë.

Për fund, ai shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave dhe u dëshiroi shërim të shpejtë të lënduarve.

Shefja e klinikës ku po trajtohen të mbijetuarit: Janë djegur, kanë trauma të rënda

Të paktën 45 persona humbën jetën në një aksident të rëndë rrugor në të cilin një autobus mori flakë në autostradën e Strumës, afër Sofjes së Bullgarisë.

Në autobus udhëtonin mbi 50 persona. Mes të vdekurve ka edhe fëmijë. Në aksident ka humbur jetën edhe shoferi. 7 persona – 2 gra dhe 5 burra, kanë shpëtuar dhe janë vendosur në spitalin “Pirogov” raporton agjencia bullgare e lajmeve, BGNES.

Në spital ndodhen 7 persona, të gjithë me djegie në fytyrë dhe rrugë të sipërme respiratore. Me djegie në duar ka dy raste, të tjerat me plagë. Kështu tha Maya Argirova, shefe e klinikës së djegieve në spitalin Pirogov, për viktimat e aksidentit që shpëtuan gjallë. Viktima e shtatë kishte frakturë në kofshë dhe është vendosur në Traumatologji.

“Njerëzit janë në trauma të rënda, kanë humbur të afërmit, fëmijët. Ata u hodhën nga xhamat e autobusit, prej nga kanë marrë lëndimet”, shtoi Argirova. Ajo tha se ata janë sjellë në spital pas orës 3.

Autobusi ka hyrë në Bullgari përmes pikës kufitare Kapitan Andreevo mbrëmë pak pas orës 21:00. Rreth orës 3.00 ka ndodhur aksidenti i tmerrshëm në autostradën në drejtim të Sofjes – Bllagoevgrad.

Prokuroria konfirmon shpërthimin, rrëfehet i mbijetuari

Prokuroria bullgare ka konfirmuar se ka pasur një shpërthim në autobusin me pasagjerë nga Maqedonia e Veriut. Prokurori Lyubomir Yovevski tha se pritet që të shihet se pse ka ndodhur shpërthimi.

Sipas tij, do të verifikohet nëse shpërthimi ka ndodhur brenda autobusit apo për shkak të përplasjes me bordurat mbrojtëse.

Aksidenti u mori jetën 45 personave. Sipas agjencisë AFP, ky është aksidenti më i rëndë rrugor në një dekadë në Europë.

Ngjarja e rëndë ka shkaktuar edhe përplasje politike në vend, për shkak të cilësisë dhe mirëmbajtjes së akseve rrugore.

Ndërkohë Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev deklaroi se ka arritur të bisedojë me njërin nga personat e plagosur që ndodhen në spitalin “Pirogov”.

Në një intervistë për Bulgaria ON AIR, Zaev pohoi se viktimat janë të moshave të reja, 25-30 vjeç, por mes tyre ka edhe fëmijë.

“Ai më tha se ka dëgjuar shpërthim. Kanë arritur të shpëtojnë pasi kanë thyer dritaret dhe kanë arritur të dalin nga autobusi. Viktimat e tragjedisë janë persona të moshës prej 25-30 vjeç, ka edhe fëmijë. Tragjedia është e madhe. Ju besojmë kolegëve tanë bullgarë për hetimin. Nëse u duhet ndihmë, jemi të gatshëm të ndihmojmë në hetim. Tani më e rëndësishmja është të shohim t’u ndihmojmë të lënduarve”, deklaroi Zaev.

E trishtë: Një familje 12-anëtarëshe në mesin e viktimave të aksidentit në Bulllgari

Në aksidentin tragjik në Bullgari kanë vdekur 45 persona, shumica prej tyre shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.

Gazetari maqedonas, Zekirija Mexhiti, ka deklaruar se ka familje të tëra që janë shuar, derisa në mesin e fëmijëve që kanë vdekur pati edhe binjak.

“Është një tragjedi e rëndë. Kemi familje të tëra që janë shuar, kemi fëmijë binjakë, ka familje mbi 12-anëtarëshe që është shuar tërësisht në këtë tragjedi”.

Ai deklaroi në TCH se nga informacionet fillestare thuhet se autobusit paraprakisht i kishte shpërthyer goma e djathtë e parme, e cila më pas ka çuar në tërheqje zvarrë të autobusit. Autobusi është përfshirë nga flakët ndërsa jozyrtarisht thuhet se ka pasur karburant rezervë, i cili është ndezur.

Qeveria shpall tri ditë zie në Maqedoni pas aksidentit tragjik

Qeveria në seancën e sotme ka marrë vendim që në Republikën e Maqedonisë së Veriut të shpallet tri ditë zie për shkak të aksidentit të autobusit në Bullgari ku humbën jetën 45 persona.

Flamujt shtetërorë para Qeverisë tashmë janë ulur në gjysmështizë, raporton AlsatM.

Pas aksidentit tragjik, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zave bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani shkuan në vendin ku edhe ndodhi tragjedia.

Lini një Përgjigje

Zaev: Viktimat janë të moshës prej 25-30 vjeç, 12 fëmijë

Publikohet lista e personave që i mbijetuan aksidentit në Bullgari