Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të zbutur tensionet. Ned Price, zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, thotë se Uashingtoni është i zhgënjyer që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën të bien dakord me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell për zgjidhjen e krizës aktuale në Kosovë.
“Ne i bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të punojë me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell dhe përfaqësuesin Special të BE-së Lajçak për të arritur një kompromis të drejtë. Si kryeministri Kurti ashtu edhe presidenti Vuçiq do të duhet të bëjnë lëshime për të siguruar që ne të mos rrezikojmë paqen e fituar me dekada të vështira në një rajon tashmë të brishtë”, ka deklaruar Price.
SBA, sipas tij, i bashkohemi BE-së për t’i bërë thirrje Kosovës që të pezullojë menjëherë çdo masë të planifikuar që do të përshkallëzonte tensionet, përfshirë vendosjen e gjobave të automjeteve.
“Të dyja palët duhet të përmbahen nga ndërmarrja e hapave provokues, të përmbushin detyrimet e tyre në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
E ishte diplomati tjetër amerikan i akredituar në Kosovë, ambasadori Jeffrey Hovenier, i cili ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta shtyjë për 48 orë vendimin për vendosjen e gjobave për qytetarët serbë që ngasin vetura të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës. Përmes një postimi në Twitter, Hovenier ka thënë se kërkesa ia është bërë Qeverisë së Kosovës për t’i lejuar SHBA-së dhe BE-së që t’i angazhojnë palët për të gjetur një zgjidhje për targat.
Kësaj kërkese, kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur pozitivisht, duke pranuar kërkesën e ambasadorit Hovenier, dhe ka shtyrë për 48 orë vendimin për gjobitjen e qytetarëve me targa ilegale.