in

Presidenti Trump kthehet herët në Uashington mes betejave politike

Presidenti Donald Trump kthehet sot në Uashington, një ditë më herët nga planifikimi, ndërsa vazhdon betejën e tij me Kongresin mbi projektligjin për mbrojtjen, pagesat në formë çeqesh për amerikanët si dhe një përpjekje për të përmbysur fitoren e zotit Biden në zgjedhjet e nëntorit.

Zoti Trump fillimisht ishte planifikuar të merrte pjesë në një festë me rastin e Vitit të Ri në vendpushimin e tij Mar-a-Lago të Floridës.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë asnjë arsye për këtë ndryshim, por kjo përkon me synimin e Kongresit për të anashkaluar një veto të presidentit ndaj një projektligji të rëndësishëm mbi mbrojtjen, me kërkesën e tij për të rritur stimulin financiar për amerikanët si dhe me një rritje të tensioneve me Iranin.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell, duket se i dha një goditje përfundimtare të mërkurën kërkesës së zotit Trump për të rritur ndihmën direkte për amerikanët lidhur me pandeminë, duke refuzuar të caktojë një votim të shpejtë për të rritur ndihmën për amerikanët nga 600 në 2 mijë dollarë.

Zoti Trump po ushtron presion ndaj republikanëve me një seri postimesh në twitter gjatë ditëve të fundit. Ai ka sulmuar udhëheqësit republikanë duke i cilësuar si të dobët, për faktin që ata nuk dëshirojnë ta rrisin shumën e ndihmës në formën e çeqeve stimuluese.

Republikanët në Kongres e kanë mbështetur kryesisht zotin Trump gjatë katër viteve të trazuara të mandatit të tij, por presidenti është zemëruar që ata nuk i kanë mbështetur plotësisht pretendimet e tij për manipulim në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Tensionet mes republikanëve janë përkeqësuar nga një përplasje e dytë lidhur me një përpjekje të Kongresit për të anashkaluar veton e zotit Trump ndaj projektligjit mbi mbrojtjen.

Senati i kontrolluar nga republikanët votoi 80 me 12 të mërkurën për të filluar debatin mbi këtë çështje, me një tjetër votim procedural të premten. Nëse do të jetë e suksesshme, përpjekja do të çonte në anashkalimin e një vetoje të vendosur nga Presidenti Trump.

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët votoi të hënën për të përmbysur veton e zotit Trump kundër projektligjit të mbrojtjes.

Ndërkohë tensionet SHBA-Iran kanë patur një rritje të shpejtë.

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif akuzoi të enjten Uashingtonin se po përpiqet të sajojë një pretekst për të sulmuar vendin e tij. Ai tha se Teherani do të mbrohet edhe pse nuk kërkon luftë.

Dy bombardues amerikanë B-52 fluturuan mbi Lindjen e Mesme të mërkurën në atë që zyrtarët amerikanë thanë se ishte një mesazh për vetpërmbatje ndaj Iranit, përpara përvjetorit të parë të një sulmi me dron nga amerikanët gjatë të cilit u vra gjenerali i lartë iranian Qassem Soleimani, më 3 janar 2019.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Bota ndahet nga një vit i vështirë, pret me shpresë Vitin e Ri

Merkel në fjalën e Vitit të Ri e quan pandeminë detyrë të shekullit