in

Preç Zogaj: njeriu që e pa, njeriu që e bëri, njeriu që e shkroi tranzicionin

Në kuadër të një projekti për kujtesën e tranzicionit, afro 20 vjet pas fillimit të tij, shtëpia botuese UET Press solli librin e parë me përmbledhje publicistike të shkrimtarit, analistit e ish-politikanit Preç Zogaj. Nën titullin “Intuicionet e tranzicionit”, në një libër voluminoz prej më shumë se 500 faqesh, Zogaj erdhi me rrëfime, dëshmi, kujtime, përjetime dhe biseda të një kohe tjetër, ku Shqipëria sapo kishte filluar të ndërronte faqe.

Përmbledhja nis me librin “Rënia e zgjedhjeve”, ato që u zhvilluan në 1996 dhe u bënë shkak i trazirave të mëvonshme që mbeten në histori, për të vijuar me radhë me librat “Vera e përjetshme”, “Lufta jo civile”, “Paradhoma e një presidenti”, e shumë të tjera.

“Kur ngjarja ndodh, Zogaj është aty ose thuajse aty; kur ajo ka ndodhur në të kaluarën, ai ka qenë aty dhe mund të dëshmojë gjenezën e tranzicionit shqiptar, të paktën, që nga fillimi i Lëvizjes së Dhjetorit ’90”, shkruan botuesi Henri Çili në parathënien e këtij vëllimi.

Përveçse shkrimtar e poet, Zogaj ka qenë i përfshirë në ngjarjet e atyre viteve si analist e themelues i gazetës së parë pluraliste “Rilindja Demokratike” si dhe drejtor i gazetës “Aleanca Demokratike”. Ka mbajtur postin e ministrit të Kulturës në 1991- 1992, më pas drejtor shtypi në partinë Aleanca Demokratike, ndërsa gjatë ngjarjeve për të cilat flitet në këtë libër, ishte emëruar këshilltar i presidentit Rexhep Meidani.

“Libri ka vlerën e një “burimi parësor” të dhënash, citimesh, deklaratash, kronika të ngjarjeve, profilesh të personazheve të shkruara me gjuhën e një shkrimtari, i cili i merr hua letërsisë fjalën e bukur dhe ia jep politikës, dhe nga kjo e fundit merr hua racionalitetin dhe pragmatizmin për të kapërcyer dëshpërimin e të vërtetave të shoqërisë shqiptare dhe për të ecur përpara”, shkruan më tej Çili.

PARATHËNIA E PLOTË

Dikur, këtu e afro 20 vjet më parë, personalisht kam qenë një lexues i zellshëm i publicistikës së Preç Zogajt dhe vazhdoj të jem. Sot kam rastin që, në kuadrin e kolanës “Scripta imanent” (E shkruara mbetet) së shtëpisë botuese universitare UET – PRESS kam kanaqësinë të jem dhe botuesi i pjesës më krenare të publicistikës së Preç Zogajt, përmbledhjes së librave të tij me publicistikë politike. Bashkimi sot, në një, i lexuesit dhe i botuesit është një privilegj personal, kur bëhet fjalë për një mik të të gjitha kohëve, kur bëhet fjalë për një vepër të plotë. Por jo vetëm kaq: librat me publicistikë politike të Preç Zogajt, të përmbledhura në dy vëllime me titullin e përbashkët “INTUICIONET E TRANZICIONIT” kanë një rëndësi të dyfishtë.

Së pari, këta libra janë një dëshmi unike dhe koherente e tranzicionit shqiptar në të gjithë kompleksitetin e tij. Ky botim, vëllimi i parë i të cilit pason këtë parathënie, që nisin me “Rënia e zgjedhjeve”, nisur nga momenti fatal për demokracinë shqiptare, ai i manipulimit të zgjedhjeve të vitit 1996 dhe vijojnë më radhë me “Vera e përjetshme”, “Lufta jo civile”, “Paradhoma e një presidenti”, janë një fotografim dhe refleksion, njëkohësisht. Kur ngjarja ndodh, Zogaj është aty ose thuajse aty; kur ajo ka ndodhur në të kaluarën, ai ka qenë aty dhe mund të dëshmojë gjenezën e tranzicionit shqiptar, të paktën, që nga fillimi i Lëvizjes së Dhjetorit 90. Ndaj plotësia është tipari i parë i kësaj dëshmie unike për tranzicionin shqiptar. Koha lëviz rulin e saj të pamëshirshëm për të fshirë detajet, kontesktet, interpretimet, nuancat dhe pikërisht kësaj i kundërvihet publicistika e imët e Preç Zogajt, kësaj i reziston, duke fiksuar me një gjuhë të mrekullueshme mënyrën se si ai e pa tranzicionin shqiptar në brendësi të tij, në brendësi të ngjarjeve, në gatimin e të cilave ai shpesh është protagonist me idetë, lëvizjet, stilemat publike dhe politike që ai krijoi në vite në media apo në artikulimin publik.

Së dyti: Publicistika politike e Preç Zogajt ka një vlerë unike, që qëndron jo thjesht te vërtetësia e ngjarjeve, jo thjesht te fakti që ai është aty si një dëshmitar i privilegjuar i tyre, por dhe te diçka tjetër: Intuita për të kapur të vërtetat e kësaj kohe që kaluam, jo nga statistikat, jo nga raportet e rëndomta, jo nga kronika zyrtare e politikës apo e medias, por si një shpërthim intuicionesh, të cilat vijnë te shkrimtari si krijim, të cilat kalojnë në filtrin e dëshmitarit të ngjarjeve, të cilat racionaliziohen në aksionin e aktorit politik të dorës së parë, sikurse ka qenë Preç Zogaj gjatë gjithë kësaj periudhe, që kurse iu bashkëngjit Lëvizjes së Dhjetorit, qëkurse ai u bë drejtori i parë i gazetës së parë opozitare pas 50 vjetësh, “Rilindjes Demokratike”, më 5 janar 1991. Po hyjmë në vitin 2010 dhe në vigjilje të vitit të 20-të të tranzicionit shqiptar shumëçka ka ndryshuar, një brez i tërë ka ecur në moshën e secilit, 20-vjeçarët e Lëvizjes së Dhjetorit janë sot 40 e ca vjeçarë, kurse bebet e tranzicionit janë sot rinia që mbush auditoret dhe kafenë e bllokut. Një ndryshim tronditës që e pashmangshmja kohë sjell. Po si do t’i fiksojmë ne ngjarjet, personazhet, fenomenet? Nuk kemi rrugë tjetër veç kujtesës kolektive. Librat e Preç Zogajt na propozojnë pikërisht këtë: një formë të kujtesës kolektive, më e sigurta dhe më e vërteta e të cilave është pikërisht kjo: fjala e shkruar.

Në këto dy vëllime, ata që e jetuan tranzicionin do të gjejnë kohën e tyre, do të gjejnë ngjarjet e tyre, do të gjejnë personazhet e tyre që ua nxinë jetën apo që ua zbardhën atë, do të gjejnë dramën e një shoqërie që kërkoi, solli, e vuajti apo e gëzoi ndryshimin në këtë cep të harruar të Europës. Në këto dy vëllime ata që nuk e kanë jetuar tranzicionin do të gjejnë një përshkrim dhe shpjegim domethënës lidhur me sa ka ndodhur, me rrënjët e krizave apo të shpërthimeve shqiptare, me ngecjen dhe me vështirësitë e ecjes sonë përpara, me ngërçin e këtij tranzicioni. Më shumë akoma, ata që do të vijnë më tej dhe do t’i referohen publicistikës politike të Preç Zogajt, kësaj vepre unike në llojin e saj, do të kenë një rrugë të shkurtër, shumë të shkurtër për të parë një fotografi që lëviz, që vibron, të një kohe dhe momenti të kësaj shoqërie.

Interesi i veçantë që paraqet ky libër, gjë që e ka bërë atë të strehohet në kuadrin e një kolane botimesh universitare, është vlera e tij për studiuesit e ardhshëm të periudhës së tranzicionit shqiptar. Libri ka vlerën e një “burimi parësor” të dhënash, citimesh, deklaratash, kronike të ngjarjeve, profilesh të personazheve të shkruara me gjuhën e një shkrimtari, i cili merr i merr hua letërsisë fjalën e bukur dhe ia jep politikës, dhe nga kjo fundit merr hua racionalitetin dhe pragmatizmin për të kapërcyër dëshpërimin e të vërtetave të shoqërisë shqiptare dhe për të ecur përpara.

Pedagogët, studiuesit, studentët mund t’u referohen lirshëm librave të Preç Zogajt për të bërë të mundur dekriptimin e një kohe, të një epoke, dëshmitë e së cilës, sa më shumë kalon koha zhduken, zbehen apo humbasin vlerën. Ashtu sikurse për shkencat politike dy prej romaneve të Xhorxh Oruellit, “Ferma e kafshëve” dhe “1984”, edhe pse romane, janë bërë sot literaturë bazë për të kuptuar komunizmin dhe totalitarizmin, ashtu sikurse “Nderi i humbur i Katerina Blumit”, romani i Hajnrih Bël është bërë një vepër bazë për etikën e medias, ashtu sikurse deputeti i dikurshëm britanik Edmund Burke shkroi veprën më të madhe kritike ndaj revolucionit francez, edhe librat e Preç Zogajt, edhe pse publicistikë mund të kualifikohen lirshëm te “studimet për tranzicionin shqiptar”. Të shkruar bukur, të shkruar me elegancë, të vërtetë dhe të këndshëm.

Ato janë pjesë e paevitueshme e bibliotekës së këtij tranzicioni. Ky libër shënon hapjen e një serie botimesh që UET Press do të botojë në kuadrin e një projekti për kujtesën e tranzicionit, me kujtime, refleksione, përmbledhje intervistash apo shkrimesh që kanë shënuar këtë periudhë 20- vjeçare të Shqipërisë.

DETAJET E LIBRIT

Titulli: Intuicionet e tranzicionit, vëllimi i parë

Gjinia: Histori, kujtime

Autori: Preç Zogaj

Shtëpia botuese: UET Press

Viti: 2009

Fq. 512

Lini një Përgjigje

Zbardhet aksi Qafë Thore-Theth nga reshjet e borës!

Dy të vrarë e 14 të plagosur në një festë në SHBA