in

Politika shqiptare gjithandej drejt vlimit!

Shkruan: Sherif Ramabaja

Askush nuk ka njohuri se a ishte  politika shqiptare si në Shqipëri dhe Kosovë  ndonjëherë në rrjedha normale dhe në ujëra të qeta. Sidomos dy vitet e fundit dhe këtë vit, është duke vluar si vullkan.

Në Shqipëri kemi kryeministrin Rama që shqiptarët e kanë vështirë ta përcaktojnë se kishin ndonjëherë ndonjë kryeministër të tillë, që simbolizohet vetëm me rrjedha të kaosit politik.

Rama jo vetëm që e ka polarizuar politikën në Shqipëri, që gjithmonë ka qenë buzë shpërthimit, po është politikani i parë, sepse të tjerët nëse vepronin e bënin tinëzisht, që haptas vepron kundër Kosovës dhe interesave të saj.

Rama  të vetmin politikan me të cilin bashkëpunonte në Kosovë e kishte Thaçin dhe partinë e tij, sepse i lidhte një ideologji dhe interesi i përbashkët, të tjerët  as që i llogariste.

Në Kosovë  askush nuk është mësuar të ketë parti apo udhëheqës politik që merren me stabilizimin dhe qetësimin e gjendjes, po vetëm të tillë që i fryjnë  zjarrit të përçarjes deri në skajshmëri.

Kësaj gjendje i ka ndihmuar pushteti 20 vjeçar i komandantëve të luftës, të cilët betejën luftarake mes vete e kanë vazhduar edhe pas dorëzimit të  uniformës.

Në të njëjtën linjë me komandantët veprojnë edhe politikanët e gjeneratës  së vjetër, të cilët nuk e dinë se si funksionon apo ç´është demokracia sepse janë rritur, shkolluar dhe kanë gëzuar funksione dhe privilegje nga diktatura komuniste.

 Ata të përqeshin, akuzojnë, devalvojnë, përulin dhe fyejnë si formë e parë para se t´i linçojnë “ armiqtë “.

 Në këtë format hyjnë të gjithë ata persona të partive politike që postin nuk e dorëzojnë në mënyrë vullnetare dhe sipas normave demokratike, por mendojnë se pushtetin njëherë e kanë rrëmbyer dhe e kanë të përjetshëm.

Nga babëzia e politikanëve të tillë ne kemi mbetur peng të destabilizimit politik dhe shtetëror. Kemi mbetur peng e bisedimeve me Serbinë dhe të zhytur në gjendje të mjerueshme sociale.

Klima e tillë përçarëse politike ka nxitur largimin e të rinjve nga Shqipëria, po ashtu edhe nga Kosova.

Besimi në politikanë të tillë si në Shqipëri, po ashtu në Kosovë është pothuaj baras me zero, sepse ata me sjelljen dhe veprimet e tyre e kanë humbur respektin, besimin dhe përkrahjen e qytetarit.

Këtë vit shkaku i pandemisë gjendja ka ardhur duke u përkeqësuar dhe po merr  përmasa gjithnjë e më dramatike, si në aspektin shëndetësor, po ashtu edhe në atë ekonomik e social.

Po ashtu kjo gjendje kryeministrin Rama e ka bërë të çartet edhe më shumë se ç´ishte. Ai në vend se të punoi në zbutjen e gjendjes, fronin e luftës e ka zgjeruar ndaj sistemit shëndetësor të vendit, ndaj opozitës, ndaj presidentit Meta, ndaj Kosovës, ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe nuk dihet kush i ka mbetur përpos Vuçiqit dhe udhëheqjes fashiste serbe.

Në Kosovë aktuale është lufta për presidentin e vendit, kurse tash me rënien e qeverisë lufta është hapur në shumë fronte.

Kjo luftë tashmë ka filluar dhe do të merr përmasa, sepse në njërën anë qëndron Vjosa Osmani e cila deklaroi largimin nga LDK- ja, dhe klani i Isa Mustafës.

Rivaliteti pa zgjidhur mjete mes VV, LDK, PDK, AAK dhe partitve të tjera, si dhe figurave përqarëse që veprojnë në secilën parti, pritet të inicojnë një tërmet apo vullkan politik.

Stopimin e një politike të tillë do të mund ta bënin votuesit duke i ndëshkuar me votë politikanët dhe partitë e tilla, duke i detyruar që t´i vënë gishtin kokës dhe të shikojnë veprimet e tyre , çfarë deklarojnë dhe si po veprojnë.

Është tragjike, po vetëm nga qytetarët pritet ta stabilizojnë politikën dhe politikanët, në vend se të ndodhte e kundërta.

Lini një Përgjigje

MPMS njofton se nga sot mund të tërhiqen ndihmat mujore prej 130 eurosh

Kina po kërkon aleatë kundër Shteteve të Bashkuara