in

Policia ka arrestuar 59 protestues të së enjtes në Tiranë

Policia njoftoi mesditën e së premtes për arrestimin e 59 personave dhe procedimin në gjendje të lirë të 116 të tjerëve të cilët morën pjesë në protestën e së enjtes për vrasjen e Klodian Rashës në Tiranë.

Në njoftimin e saj, policia theksoi se “tubimi ishte i paligjshëm” dhe “përshkallëzoi në veprime të dhunshme ndaj institucioneve dhe punonjësve të policisë”. Ajo u bëri thirrje familjarëve që “të mos lejojnë minorenët të marrin pjesë në tubime apo të keqpërdoren nga më të rriturit, pasi pjesëmarrja vetëm rrezikon integritetin e tyre fizik dhe vështirëson punën e policisë në menaxhimin e tubimit, për të parandaluar dhunën dhe shkatërrimin e pronës shtetërore dhe asaj private”.

Protesta e mbrëmjes së të enjtes u shpërbë në disa grupe, të cilat kryen veprime të dhunshme në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, sheshin Skënderbej, rrugën Myslym Shyri, zonën e ish-Bllokut, ndaj selisë së Partisë Socialiste, Ministrisë së Financave dhe disa bizneseve.

Policia tha se u godit me gurë dhe fishekzjarrë Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe si pasojë e përplasjeve me protestuesit u lënduan 5 punonjës.

Në deklaratën e saj policia thotë se u ka bërë disa herë thirrje protestuesve të shpërndahen, por ka hasur në kundërshtinë e tyre. Ajo e cilëson “neutralizimin e personave të dhunshëm dhe të atyre që bënin thirrje për grumbullime dhe dhunë ndaj policisë” të kryer “në përdorim të të gjitha mjeteve të ligjshme”.

Të gjitha rastet e plagosjes së punonjësve të policisë janë filmuar dhe në sajë të këtyre filmimeve janë kryer arrestimet.

Tashmë 59 personat e arrestuar janë vënë nën akuzë të:

  • Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme
  • Kundërshtim i punonjësve të policisë
  • Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit
  • Prishja e qetësisë publike
  • Shkatërrim i pronës me zjarr
  • Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë
  • Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike

Lidhur me ngjarjen e 8 dhjetorit ku mbeti i vrarë nga një punonjës policie Klodian Rasha, Drejtoria e Përgjithshme distancohet nga rasti duke theksuar me keqardhje se “askush nuk mund ta njehsojë Policinë e Shtetit me një individ që kreu një akt të dënueshëm ligjërisht dhe askush nuk mund ta pengojë Policinë e Shtetit të kryejë detyrën e saj në mbrojtje të rendit publik, komuniteteve dhe qytetarëve”.

Lini një Përgjigje

TRUST udhëzon të bëni kujdes gjatë aplikimit online për 10%

Kosovë, 13 të vdekur dhe 590 raste pozitive nga koronavirusi