Guri për Pashke Markun është hequr nga pronari i tokës ku ishte vendosur. Ky gur qëndronte në një arë në Korenicë, në vendin ku kjo nënë shqiptare ishte vetëflijuar në vitin 2003, pasi iu gjetën trupat e pajetë të djemve të saj të vrarë gjatë luftës nga pushtuesi serb.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj ka konfirmuar se mbrëmë në orën 19:40 policia ka dalë në vendin e ngjarjes, pasi është pranuar informata se ky gur është zhvendosur.
“Aty është kuptuar se pronari i tokës kishte marr veprime që këtë gur ta largojë nga prona personale. Lidhur me rastin janë intervistuar disa persona (pronari i pronës ku ka qenë i vendosur guri dhe disa familjarë të së ndjerës Pashke Marku). Palët nuk kanë deklaruar të kenë konflikt lidhur me këtë çështje”, ka theksuar Elezaj për RTK-në.
Ai tutje ka bërë të ditur se lidhur me këtë ngjarje është njoftuar prokurori kujdestar, në konsultim më të cilin për momentin nuk është iniciuar rast.