Një person është plagosur sot rreth orës 14:00 në Fushë-Kosovë, pasi ai ka sulmuar zyrtarët policorë me shufra të metalit.
Sipas dëshmitarëve, një zyrtar policor në vetëmbrojtje ka shtënë me armë në drejtim të tij, me ç’rast ky i fundit ka mbetur i plagosur.
E krejt kjo, sipas tyre, ka nisur për shkak të parkimit të një veture, e cila i përkiste njërit nga të dyshuarit, të cilën policët kishin shkuar për ta larguar nga aty.
Aktualisht Policia, IPK dhe forensika ndodhen ende në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me hetimin e rastit.
Ndërkohë, nga ky incident kanë mbetur të lënduar edhe dy policë. Rastin për GazetaBlic e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 14:00, policia ka marrë informacionin për një sulm ndaj personave zyrtarë në rrugën e Pejës në Fushë-Kosovë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Bazuar në të dhënat fillestare një person ka pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit, ndërsa nga përleshja fizike lëndime trupore kanë pësuar 5 persona prej tyre dy zyrtarë policorë. Të gjithë janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë Ahmeti.