in

Pjetër Bogdani, kryemjeshtri mrekullibërës i shqipshkrimit, poeti i përndritur i stilit barok

Nga Albert Vataj

Më 6 dhjetor 1689 vdiq në Prishtinë nga epidemia e murtajës, kryemjeshtri mrekullibërës i shqipes, i themelti i përpjekjeve ngadhnjyese të zërit dhe shpirtit shqiptar, tharmi i shpërthimeve të duhishme kryengritëse kundër zgjedhës osmane, Pjetër Bogdani. Ai mbamendet si një ndër personalitetet më të shquar të Kishës, dishepull i interesave të kombit dhe kulturës shqiptare. Pjetër Bogdani vlerësohet ndër teologët më të njohur shqiptar dhe figura më e ndritur e letërsisë së vjetër e shqipshkruar.

“Ai nuk është vetëm një kryemjeshtër i gjuhës shqipe, por është dhe ka mbetur teologu më i madh i krishterë në gjuhën shqipe që reflekton një humanizëm të pashoq në letrat evropiane si dhe poet i përndritur i stilit barok”, mëton për Pjetër Bogdanin studjuesi, Moikom Zeqo.

Pjetër Bogdani ka hyrë në historinë dhe ndërmëndjen e patriotizmit jo vetëm me veprimtarinë e vet kombëtare për të organizuar kryengritjen e përgjithshme antiosmane, por edhe me veprën e tij diturore-letrare “Çeta e profetëve” e cila mbetet e themelta e vlerave të njimendta teologjike dhe filozofike, gjuhësore dhe psikologjike. “Kjo vepër, thënë metaforisht, ashtu si e thotë Bogdani për parimin e tij filozofik, Zotin, është një krua i gjallë, ku mendja dhe shpirti ynë do të gjejë kënaqësi dhe shqetësim intelektual, ku shumëkush mund të marrë ujë, e s’do të shteret lehtë”, nënvizon Ibrahim Rugova në përçapjen e tij për të dritëlëshuar mbi këtë univers kleriku dhe atdhetari, gjuhtari dhe filozofi.

Duke nisur rrugëtimin e shqipshkrimit, me nistarin Pal Engjëlli, autorit të Formulës së pagëzimit që daton më 1462, e deri tek rilindasi Jeronim De Rada, Pjetër Bogdanit i është rezervuar vendi i nderit në gjithë letërsinë shqiptare, sidomos si prozator i madh, e njëherësh si poet, filozof, shkencëtar, teolog, etj. Eqrem Çabej e vlerëson si një stilist të rrallë, i cili arriti nivelin e lartë të përsosshmërisë gjuhësore dhe artistike.

Për të hedhur një vështrim në jetën dhe rrugëtimin e Pjetër Bogdanit përnga maja shërbestar i kishës dhe gjuhës, i dijes dhe atdhetarisë, mëtojmë se ky gjeni mjeshtërisë dhe hovit diturak prejvjen nga Guri i Hasit, është i datëlindur diku më 1625. Mësimet nistore i mori në Ciprovac, Bullagri, kumtojnë krejt jetëshkrimet për të. Në vitin 1674 ishte nxënës i kolegjit ilirik të Loretos. Pas studimeve filozofik e atyre teologjike shugurohet prift. Më 1651 ushtron detyrën e meshtarit në Pult të malësisë së Dukagjinit, Shkodër, për të vazhduar predikimin e fjalës së shenjtë dhe atdhedashurisë në fshatrat e Prizrenit, në anët e vendlindjes. Në vitin 1656 thirret në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike në Kolegjin e Propagandës së fesë. Aty i mëson gjuhët e Lindjes. Në vitin 1658 i’a dal mane studimeve të larta për teologji  dhe filozofi në Romë, ku edhe mori titullin doktor. Pas një kohezgjatje veprimtarie apostolike si meshtar, emërohet ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit, kjo daton në periudhën 1663–1664. Më 1675 vjen në jetë vepra monumentale e këtij kryemjeshtri, “Çeta e profetëve”. Bogdani ia paraqet Kongregatës së Vatikanit, Propaganda Fidae për botim. Rekomandimi i Propagandës ishte të përkthejë librin. Përnjiheresh nis punën në përkthimin e librit. Në vitin 1677 emërtohet kryeipeshkëv i Shkupit në vend të të xhaxhait, imzot Andrea Bogdanit. Lufta turko–austriake fillon më 1683, në dhjetor të atij viti vdes Ndre Bogdani. Asokohe Bogdani arratiset në male me ç’rast e humb librin e Gramatikës latinisht–shqip të punuar nga Ndreu. Strehohet në Ciprovac dhe në Dubrovnik. Në pjesën e parë të vitit 1685 shkon në Venedik e në Padovë. E merr me vete dorëshkrimin e përgatitur për botim, që bëhet i mundur në atë fundvit, në Padova.

Botimit të parë të veprës i paraprijnë 23 parathënie dhe përkushtime të autorëve të ndryshëm në gjuhën shqipe, italiane dhe serbokroate, ç’ka thuhet se ishte një dukuri e rrallë e kohës dhe paraqet përkrahjen nga personalitete të ndryshme të vlerës së madhe të veprës dhe respektin ndaj autorit.

Karakteri origjinal i krijimtarisë dhe punës së Bogdanit duhet marrë në mënyrë relative për përmbajtjen e karakterin fetar që kishte, por duhet thënë që nuk është mbështetur në ndonjë autor të caktuar në formë përkthimi. Tematika e larmishme i shton rëndësinë veprës. Aty gjejmë që nga tematika teologjike, biblike e filozofike, këndej fetare, tek historiografike, të shkencave të natyrës, por edhe letërsi artistike, poezi. Kjo larmi temash çon edhe në larmi stilesh, që është një tregues i shkallës së lartë të përpunimit të gjuhës për atë kohë. Dhe padyshim ky është një gur i rëndësishëm në themelin e gjuhës së sotshme shqipe.

Autori në “Çeta e profetëve” ka gjetur mundësi të shtjerë elemente të jetës shqiptare të kohës e të historisë së popullit tonë, si është rasti i qëndresës burrërore të kelmendasve kundër ekspeditës turke më 1639. Mendimet e njohuritë e ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër Bogdanit shpalosen më shkoqur në parathënien e librit dhe në relacionet e shumta, që hartoi pas vizitave apostolike e baritore në viset e dioqezave që ai drejtoi si bari shpirtëror.

Vetëm vetëdija dhe besimi i thellë në forcën e gjuhës shqipe, e shpuzi në flakërimën e atdhetar këtë intelektual dhe patriot të madh, e hovi të shkruajë një vepër kaq të madhe siç ishte dhe mbeti përgjithmonë emblemë, “Çeta e Profetëve”. Në personalitetin e mëtuar sakaq duhet parë gjeniun në punën e vet. Ai shkriu dijen e kohës së përparuar, artin e vuri në mbrojtjen e idealeve dhe pikmapjeve iluministe, duke ia kushtuar gjithçka dhe çdo gjë kombit.

Shkroi me dashuri të madhe për gjuhën shqipe, për Atdheun e për popullin shqiptar, shprehu dhembje për gjendjen e mjeruar e padijen në të cilat i kishte hedhur robëria bashkatdhetarët e tij dhe kundërshtim të thellë për pushtuesin osman. Imzot Pjetër Bogdani kërkonte që t’i jepeshin popullit shqiptar libra në gjuhën amtare, punoi për mëkëmbjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj.

***

Pjetër Bogdani do të mbetet në memorin e përsonaliteteve shqiptare edhe si poliglot, këndshikim që rreket të përplotësojë si të tërë këtë manifestim të gjeniut të iluminimit. Duke cekur në lëmin diturak të tij numërojmë gjuhët të cilat ai ka njohur, fillojmë me italisht, latinisht, greqisht, serbokroatisht, turqisht, hebraisht, arabisht, armenisht dhe sanskritisht. Hamendje gjithashtu se ai zotëronte frëngjisht dhe gjermanisht. Është kjo galeri e thellë prejnga burojnë diejt e fuqishëm dritëdhënës të vullnesës së mirë krijuese, kulumtuese dhe kushtruese.

Prej vlerave të shumta shencore dhe artstiko-letrare të veprës së Pjetër Bogdanit dallohet trajtimi dhe vendosja e drejtë e çështjeve etnopsikologjike dhe historike, pasuria e madhe gjuhësore në shtjellimin e lëndës në prozën shkencore, humanizmi i lartë në paraqitjen e realitetit të kohës, filozofia, intelekti i rrallë letrar, etj.

Ai hapi shtigje dinjitoze kah vlerat evropiane, çka shihet në idenë për lëvizjen ballkanike, për liri kombëtare dhe shpirtërore.

“Arti i të shkruarit dhe ligjërimit që mishërohet në vepër si tregues i nivelit të kulturës dhe zhvillimit intelektual të tij dhe angazhimi dinjitoz si prijës dhe tribun popullor e ngriti lart veprën e tij madhore, të lindur në gurrat e një humanizmi të thellë, duke i treguar popullit rrugën e zhvillimit të lirë e të pavarur, andej kah bota e përparuar.”, sendërgjon një krijues çka Bogdani mëton me jetën dhe veprën.

Imzot Pjetër Bogdani krijoi me vetëdije të plotë për ta pasuruar e përpunuar gjuhën shqip dhe popullin shqiptar me të vërtetat e fesë së krishterë e, gjurmoi dhe vuri në qarkullim fjalë e shprehje të vjetra të lëna në harresë, krijoi edhe fjalë të reja, duke bërë përpjekjet e para për krijimin e termave në ndonjë degë të shkencës si dhe në teologjik e në fjalorin kishtar në përgjithësi. Ligjërimi i tij dallohet mjaft herë edhe për zhdërvjelltësi e ndërtime sintaksore të një arkitektonie të sigurt. Me veprat e imzot Pjetër Bogdani letërsia dhe gjuha letrare shqipe shënuan hapa të rëndësishëm përpara.

Vepra ka në krye një seri kushtimesh e poezish shqip, latinisht, italisht, sllavisht, shkruar për nder të Pjetër Bogdani nga miq e të njohur të tij. Dy vjershat shqipe të Luca Bogdanit e të L. Sumës dhe ato të vetë autorit të shpërndara në kapituj të ndryshëm të librit, me teknikën poetike përgjithësisht të sigurt janë tregues të lëvrimit të mbarë të vjershërimit shqip në këtë kohë.

Pjetër Bogdani krijoi me vetëdije të plotë për ta pasuruar e përpunuar gjuhën shqipe, gjurmoi dhe vuri në qarkullim fjalë e shprehje të vjetra të lëna në harresë, krijoi edhe fjalë të reja, duke bërë përpjekjet e para për krijimin e termave në ndonjë degë të shkencës. Ligjërimi i tij dallohet mjaft herë edhe për zhdërvjelltësi e ndërtime sintaksore të një arkitektonie të sigurt. Me veprat e Pjetër Bogdani letërsia dhe gjuha letrare shqipe shënuan hapa të rëndësishëm përpara.

Për veprën e Pjetër Bogdanit kanë shkruar studiues e shkritarë të njohur shqiptarë e të huaj si Gaetano Petrotta, Eqrem Çabej, Faik Konica, Filip Fishta, Alberto Straticò, Mario Roques, Justin Rrota, Matteo Sciambra, Injac Zamputti, Idriz Ajeti, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti etj. Prej këtej Pjetër Bogdani ishte dhe do të mbetet në thelb devocion i një atdhetari të shëlbyer, shërbestari dhe kryemjeshtri të interesave të shenjta për të cilat ai dha kaq shumë, aq sa një mirënjohje është më së paku ajo që i detyrohemi. /InforCulture.info

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Si po rritet në Turqi zemërimi kundër presidentit Erdogan

Halil Kastrati duhet të kontrollohet pse jo edhe të dënohet