Ushtruesja e detyrë së presidentes, Vjosa Osmani, ka pezulluar nga puna sekretarin e Zyrës së Presidentit, Driton Gashin, me dyshimin për shkelje të rënda në detyrat e punës.
Vendimi për pezullimin e Gashit është marrë më 15 dhjetor.
“Pezullohet nga puna Sekretari i Zyrës së Presidentit, z. Driton Gashi, me dyshimet për shkelje të rëndë të detyrave të punës”, thuhet në pikën e parë të vendimit.
Vendimi për pezullimin e Gashit nga puna vjen pas raportimeve se ai, bashkë me një inspektor të AKI-së, kishin tentuar ta merrnin dokumente nga kasaforta e presidencës, më 6 nëntor, një ditë pas dorëheqjes së ish presidentit Hashim Thaçi dhe marrjes së detyrës së presidentes nga Vjosa Osmani.
Sipas shefit të kabinetit të Presidentes në detyrë, Faton Peci, sekretari i zyrës së presidentit, Driton Gashi, e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për hapjen e kasafortës, me arsyetim se aty kishte dokumente të klasifikuara që nuk duhet të binin në dorë të zyrtarëve të EULEX-it.
Peci ka treguar se më 6 nëntor e kishte gjetur zotin Gashi në zyrën e presidentes, derisa një inspektor i paidentifikuar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë po përpiqej ta hapte kasafortën. Inspektori kishte thënë se ai është dërguar nga drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Të enjten, kryeministri Avdullah Hoti e shkarkoi nga detyra drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Kreshnik Gashi. Besohet se shkarkimi i tij është bërë pikërisht për shkak të rolit të tij në këtë incident të rëndë. Por, Hoti dhe zyra e tij nuk kanë thënë asgjë për arsyet e shkarkimit.
Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, ka treguar se pezullimi i sekretarit të presidencës Driton Gashit është bërë para shkarkimit të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Kreshnik Gashi.
“Pezullimi ka ndodhur disa ditë më herët. Ka ndodhur 4 ditë më herët dhe jo sot. Ne, si Presidencë, e kemi denoncuar rastin dhe tani u takon organeve të drejtësisë që të merren me të”, ka thënë zonja Osmani, në një konferencë për media.
Gashit të shkarkuar do t’i ndalohet qasja në Presidencë dhe në dokumentacionin zyrtar të këtij institucioni, deri në përfundimin e procedurave disiplinore.
Driton Gashi, para se të emërohej sekretar në Presidencë, ka qenë drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Ai ishte shkarkuar nga kjo detyrë nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, pas skandalit për arrestimin dhe deportimin e paligjshëm në Turqi të gjashtë shtetasve turq që kishin leje të rregullta qëndrimi në Kosovë. Pas shkarkimit, ai ishte emëruar këshilltar i ish-Presidentit Hashim Thaçi.