in

Petkoviç: Qeveria e Kosovës po provokon luftë

Rel 

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq e ka quajtur “pushtim” ardhjen në detyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut Erden Atiq, duke thënë se me veprimet e tyre “Kurti dhe Prishtina [zyrtare] duan të dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe të provokojnë luftë”.

“Simboli i atij pushtimi dhe ajo leckë [flamuri i Kosovës] që e kanë ekspozuar në ndërtesën komunale të Mitrovicës…nuk do të jetë kurrë flamur për ne. Do të qëndrojë atje për aq kohë sa vetë pushtimi, dhe kjo do të thotë jo për shumë kohë”, tha Petkoviq në një konferencë për media pas betimit të Atiq si kryetar i komunës.

Atiq, më 19 maj u betua para Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, procedurë kjo solemne për të marrë detyrën si kryetar. Atiq fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave. Gjatë seancës solemne të betimit të tij, në ndërtesën e komunës është vendosur flamuri i Kosovës.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Petkoviq në deklaratën e tij tha se është e papranueshme që dikush që ka fituar kaq vota tash të udhëheqë komunën e Mitrovicës së Veriut.

“E keni të qartë se dikush që nuk ka legjitimitet nuk mund t’i përfaqësojë qytetarët e asaj komune siç ka thënë Atiq, kur ka deklaruar se do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve. Cilët qytetarë, kur për të kanë votuar vetëm dy serbë?”, tha ai.

Petkoviq gjithashtu bëri të ditur se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është duke biseduar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak për, siç tha, “të gjitha pasojat e sjelljes, incidenteve dhe provokimeve të Kurtit, të cilat mund të kthehen në krizën më të madhe deri më tani”.

Pak më herët gjatë ditës, Lista Serbe, që është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, i ka dhënë afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deri më 1 qershor për të “ndaluar represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.

Zyrtarë të kësaj partie thanë se nëse kërkesa e tyre nuk plotësohet, “përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor, ata do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”, tha Simiq duke mos cekur se cilat janë këto mjete.

Petkoviq, gjatë konferencës mbështeti ultimatumin e Listës Serbe, duke thënë se “ne do të jemi me popullin tone”.

“Do të jemi me ta edhe me 1 qershor, deri kur serbët t’i kenë dhënë afat ndërkombëtarëve dhe Kurtit që të vijnë në vete dhe të ndalojnë provokimet”, u shpreh Petkoviq duke shtuar se “historia na mëson se çdo pushtim ka një fund, dhe ky do të përfundojë kur serbët të vendosin se ka mbaruar”.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar.

Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës që obligonte shoferët me makina me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, t’i riregjistronin ato në targat legale RKS – Republika e Kosovës.

Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

Shtetet e QUINT-it të enjten vonë kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën e krijuar në veri të Kosovës, duke thënë se zgjedhjet e 23 prillit nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira, për shkak të bojkotit nga komuniteti serb.

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, ky grup shtetesh i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku mes vete të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”. REL

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

14 të vdekur nga moti i keq në Itali, rikthehet rreziku në zonat e prekura

𝐕𝐫𝐚𝐮 𝐫𝐮𝐬𝐢𝐧 𝐩ë𝐫 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫 𝐧ë 𝐦𝐞𝐬 𝐭ë 𝐍𝐞𝐰 𝐘𝐨𝐫𝐤𝐮𝐭