Ndërsa përkujtohej 22-vjetori i një masakre të shqiptarëve të Kosovës në fshatin Reçak, Ministria e Drejtësisë e vendit njoftoi ngritjen e një Instituti të ri për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.
Qindra familjarë të civilëve shqiptarë të Kosovës të vrarë nga forcat serbe më 15 janar 1999 u mblodhën të premten në Reçak, një fshat 20 kilometra në jug të Prishtinës, për të përkujtuar përvjetorin e masakrës.
Dyzet e katër persona konfirmohet se janë vrarë atë ditë, dhe një grua mbeti e zhdukur.
Teksa vizitonte vendin, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti tha se viktimat “nuk do të prehen kurrë në paqe derisa ata që kanë kryer këto vepra të marrin dënimin e merituar”.
“Drejtësia nganjëherë vonohet, por unë jam i bindur se do të vihet në shërbim njëherë e përgjithmonë”, shtoi Hoti.
Dy vjet më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmoi se hetimet po vazhdonin për “rolin e disa individëve”. Megjithatë, askush nuk është dënuar ende me një vendim të formës së prerë për përfshirjen në masakër.
Kreu i partisë opozitare Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili garon për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme të 14 shkurtit e përshkroi masakrën si një “akt gjenocidi”.
“Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme për sa kohë që nuk ka drejtësi që sjell rehabilitim për viktimat dhe dënime për kriminelët”, tha Kurti.
Në ditën e përkujtimores, Ministri i Përkohshëm i Drejtësisë i Kosovës Selim Selimi, ngriti një grup pune për të krijuar një Institut të ri për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë.
Selimi tha se “Kosova duhet të ketë një adresë ku gjeneratat e ardhshme mund të shohin se çfarë ka ndodhur gjatë luftës”.
“Memoria për Reçakun është memorie e vajit të nënave, motrave dhe të gjithë fëmijëve, që ende kumbon në kokat tona. Qëllimi i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës duhet të jetë ruajtja e kësaj memorie” tha Selimi.
Forcat serbe të sigurisë rrethuan Reçakun dhe nisën ta sulmonin atë mëngjesin e 15 janarit 1999, pastaj hynë në fshat dhe bastisën shtëpitë. Disa burra u përpoqën të fshiheshin, por u zbuluan, u rrahën, pastaj u morën dhe u vranë.
Beogradi fillimisht këmbënguli se viktimat ishin guerilas të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Por pasi vizitoi skenën e vrasjeve, kreu i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, diplomati amerikan William Walker, tha se viktimat ishin civilë.
Masakra e Reçakut solli një ndryshim në politikën perëndimore ndaj Kosovës dhe u bë një pikë kthese në konfliktin midis trupave dhe forcave të policisë të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç dhe guerilëve të UÇK-së që po luftonin për pavarësi.
Ajo u bë një faktor i rëndësishëm në vendimin e NATO-s për të filluar sulmet ajrore në Jugosllavi dy muaj më vonë për të detyruar Millosheviçin të tërhiqte trupat e tij nga Kosova./BIRN/


