Ka përfunduar seanca në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka trajtuar kërkesën e ligjshmërisë të LVV-së, ndaj deputetit Etem Arifi, i cili kishte votuar Qeverinë Hoti, edhe pse ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me burg nga gjykata.
Kushtetuesja u ka dhënë afat palëve që deri më 7 dhjetor të dërgojnë argumentet tjera shtesë, përgjigje plotësue në lidhje me çështjen, shkruan lajmi.net.
“Palët kanë mundësi që argumentet e sotme mund t’i dorëzojnë pranë gjykatës edhe me shkrim, deri më 7 dhjetor. Këto argumente, apo plotësuese që janë adresuar. Ne sot kemi pranuar një shkresë nga avokati Berisha ku ka dërguar një përmbledhje që të jemi të qartë, pra argumente të përmbledhjes së sotme. I falënderoj pjesëmarrësit për bashkëpunimin me Kushtetuesen, edhe pse kjo ishte seanca e parë online e Kushtetueses, besoj që të gjitha palët patën mundësinë të argumentojnë”, ka thënë kryetarja e GJK.
Kryetarja shtoi se në ditët në vijim, Kushtetuesja do të mblidhet për të votuar për vendimin në lidhje me çështjen.
“Besoj që përmes kësaj séance ka arritur ta krijojë këndvështrimin për çështjen pranë gjykatës. Për vendim do të njoftohen palët dhe publiku. Tash GJK do të tërhiqet dhe në ditët në vijim do të mblidhet për të votuar në lidhje me çështjen”, ka përfunduar ajo.