in

Për zgjedhjet, “Serbia duhet të kërkojë një marrëveshje të posaçme me Kosovën”

REL 

Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje të posaçme, në mënyrë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, që kanë shtetësi të dyfishtë, të mund të votojnë në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare serbe, të caktuara për 17 dhjetor.

Kështu thuhet në letrën që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar shefit të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë.

“Sa i përket çështjes së bashkëpunimit ndërshtetëror për votimet jashtë vendit, në mënyrë që të mundësohet votimi i qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, duhet të arrihet një marrëveshje e posaçme midis Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia, si palë e interesuar. Dhe çdo kërkesë duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtete të barabarta, në pajtim me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë të arritur këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën e Kurtit që mban datën e 17 nëntorit.

Kurti iu referua Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve të arritur në shkurt në Bruksel. Më pas, Kosova dhe Serbia një muaj më vonë u pajtuan edhe për Aneksin e zbatimit të saj.

Në nenin dy të kësaj marrëveshjeje thuhet:

“Të dyja palët do të udhëzohen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”.

Ditë më parë, zyrtarë të OSBE-së i thanë Radios Evropa e Lirë se misioni i kësaj organizate në Kosovë më 3 nëntor ka pranuar një kërkesë nga Qeveria e Serbisë, që ky mision të përfshihet në mbledhjen e votave të serbëve të Kosovës, që kanë shtetësi të dyfishtë, për zgjedhjet në Serbi.

OSBE tha se e ka informuar Qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë të rëndësishëm për këtë kërkesë, duke shtuar se mbështetja e institucioneve të Kosovës është thelbësore për OSBE-në që të përfshihet në një organizim të tillë zgjedhor.

“Me këto kushte, ne inkurajojmë Serbinë të negociojë për një marrëveshje të tillë të posaçme me Kosovën dhe në këtë mënyrë të zbatohet edhe një obligim tjetër i Marrëveshjes Bazë: kontributi për raporte të mira ndërfqinjësore, duke pasur për bazë të drejtat e barabarta dhe repsketin reciprok për të drejtat e votuesve jashtë shtetit”, thuhet në letrën e Kurtit dërguar shefit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

Lini një Përgjigje

Xhamia e serbit në Prizren, ku faleshin turq e shqiptarë

Kali i Trojës në mesin e shqiptarëve!