in

Pengu i diktaturës

Shkruan: Gani Mehmetaj

” Pengu i Zotit” nga Andreu Brunson, përktheu Driton Krasniqi, botoi Dardania Press, 2022, Prishtinë. 

   Kur u shfaq filmi “Treni i mesnatës” i Alan Parkerit para dyzetë vjetësh, botën demokratike e tronditi gjendja e burgjeve turke dhe trajtimi që i bënin të burgosurve. Mbajë në mend atëbotë se ambasadat turke përpiqeshin ta ndalonin filmin që të mos shfaqej në shtete të caktuara. Pavarësisht presionit, filmi e bëri jetën e vet publike, bota mësoi për Turqinë dhe burgje turke.

   Kur e lexova dyzet vjet me vonë librin ” Pengu i Zotit” të Andreu Brunson mi ringjalli pamjet e filmit, ma kujtoi fatin e protagonistit. Por fati i pastorit amerikan, autor i librit dhe protagonist i peripecive të tmerrshme është shumë më i rëndë, më tronditës dhe më i vështirë për t’u përtypur. Ai nuk akuzohej për drogë as nuk ishte i ri i shkujdesur, Brunson ishte burrë i pjekur, njeri i Zotit, pastor i një kishe protestante në një qytet turk, ku kishte kaluar njëzetë vjet lutje e përkushtimi që të përhapte fjalën e Zotit.

Kjo iu hakmor, iu bë mallkim, e vuri në sprova autorin-protagonist- përpjekje për vetëvrasje, humbiste besimin në Zotin dhe prapë t’i kthehej besimit me fuqi edhe më të madhe.

Burgjet që i shpalon  Brunson janë më të tmerrshmet, rreziku që të dënohej me burg të përjetshëm i rrinte mbi kojë si shpata e Damakleut.

Fatkeqësia e pastorit nisi kur filloi  arrestimi masiv  i kundërshtarëve politik, që i kishte fiksuar kryeministri turk Erdogan. Akuzat ndaj pastorit ishin ndër më absurdet, herë i thoshin se ke bashkëpunuar me Gylenin, një kundërshtar i Erdoganit, ndërsa më parë kishin qenë aleatë, herë se ka krijuar kontakte me kurdët dhe, herë se qenka në mesin e përbetarëve (komplotistëve a vet kryekomplotisti ) kundër kryeministrit turk.

Peripecitë e amerikanit që humbi në xhunglën e kaosit turk të drejtësisë, ku policia, burgjet, prokuroria dhe gjyqësia ishin të çuditshme, vegla të diktaturës, ta sajonin akuzën dhe të ndëshkonin ende pa e pritur je fajtor apo jo.

Autori përmes fatit të vet, paraqet fatkeqësinë e qindra të burgosurve të tjerë me të cilët vuajti fatkeqësinë e përbashkët. Ata mu si amerikani nuk e dinin saktësisht me çksa do të përballeshin, pse i mbanin në burg dhe kur do t’i lirojnë.

 Librin “Pengu i Zotit” e lexova më vëmendje, shpresoja se peripecitë e protagonistit, pastorit të kishës protestante do të merrnin fund, kur rinisnin vuajtjet e peripecitë tjera. Është vështirë të bësh krahasime në mes të ndodhive të pastorit amerikan dhe peripecive të protagonistit të Alan Parkerit, ashtu si është vështirë të krahasosh me heroin e Franc Kafkës, ndërsa kalojnë nëpër rrathët e burgut ferr.

Me dukej si në ëndërr të keqe a në filma të tmerrit kur një burrë i devotshëm që i është përkushtuar zotit, goditët aq mizorisht nga regjimi i Erdoganit.

Lexuesit e ndjekë fatin e fatkeqësinë e tij sa nuk mund të shkëputën nga ngjarjet, vazhdon leximin me shpresën se do të pushojnë vuajtjet dhe terrori.

Për peripecitë e misionarëve në Azi e Afrikë kam lexuar edhe më parë, kam parë edhe filma, por ky rrëfim është ndër më dramatiket dhe më emocionues, sepse është i shekullit 21, ngjarja ka ndodh disa vjet më parë.

Pas një burri të suksesshëm qëndron një grua e mirë thuhet për njerëzit publik. Ndërkaq të Andreu Brunson mund të themi se pas një burri që i përballoi të gjitha këto vështirësi me shumë emocione, qëndronte një grua e fortë që nuk u dorëzua por i dha kurajo, i qëndroi pranë.

Kur i bie në fund librit “Pengu i Zotit” mendon kur e kanë trajtuar aq keq pastorin amerikan, qytetarin e shtetit më të fuqishëm në botë, si janë sjell ndaj qytetarëve tjerë që nuk e kishin asnjë mbrojtje?

Lini një Përgjigje

Shenjtëria e nënës shqiptare meriton trajtim institucional

Arrestohet Nik Gjeloshaj, kryetari i Tuzit