Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe e ardhmja e rajonit në Bashkimin Evropian u përsëritën qartë dhe pa mëdyshje gjatë Samitit të BE-së me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Zyrtarët e BE-së konfirmuan se lufta në Ukrainë e ka vënë sërish në plan të parë zgjerimin e BE-së, që nënkupton përparim në negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, përparim në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe rajonale, duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe përmirësimin e marrëveshjes politike në mes të liderëve të Bosnjes e Hercegovinës.
Konferenca për shtyp pas pjesës hyrëse të samitit, ku pritej të flisnin liderët e vendeve të BE-së dhe që ishte planifikuar të mbahej rreth mesditës, u anulua.
Mësohet se shumë liderë janë shprehur në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe presin që kjo çështje të ngrihet në të ardhmen. Ky takim nuk ishte një mbledhje vendimmarrëse.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të Samitit tha se ka dëgjuar shumë deklarata pozitive për Kosovën nga liderët e BE-së.
“Kemi dëgjuar deklarata mbështetëse për Kosovën, së pari për prespektivën e qartë në BE dhe liberalizimin e vizave. Por, tani na duhet të shkojmë nga fjalët në vepra”, tha ajo.
Sipas Osmanit, kësaj radhe ka pasur edhe më shumë deklarata mbështetëse për liberalizimin e vizave sa më herët.
“Duhet të them se këto kanë qenë deklaratat më pozitive që i kemi dëgjuar deri më tani për liberalizimin e vizave. Edhe shtetet që kanë qenë hezituese, shumë prej tyre kanë treguar mbështetje sot”, tha Osmani.
Në një deklaratë për media, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, tha se gjatë samitit shumë pjesëmarrës kanë folur për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Në plan të parë ishte çështja e fillimit të procesit negociator me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe bashkë me të edhe çështja e sigurimit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Përveç kësaj, ata folën për dhënien e statusit kandidat jo vetëm për Ukrainën dhe Moldavinë, por gjatë bisedimeve u fol shumë për marrjen e statusit kandidat për Bosnjen e Hercegovinën. Pra, le të shpresojmë që tonet nga ky takim të jenë mjaft frymëzuese për punën e pasdites së sotme të Këshillit Evropian.”
Pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen sërish pasditen e 23 qershorit për të diskutuar për zgjerimin. Krahas vendimit tashmë të sigurt për dhënien e statusit kandidat dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, liderët do të merren edhe me situatën në Ballkanin Perëndimor.
Në fokus të garës do të jetë mundësia e dhënies së dritës jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën.
Pritjet e Kosovës – liberalizimi i vizave
Nga Kosova në këtë takim mori pjesë presidentja Vjosa Osmani.
Gjatë fjalimit në samit, presidentja Osmani kërkoi që procesit të liberalizimit të vizave t’i jepet fund, duke theksuar se kjo çështje “ka shkuar shumë larg”.“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej katër vjetësh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, tha ajo, duke shtuar se është e vetmja lidere në këtë samit që është dashur të pajiset me vizë për të marrë pjesë në të.“Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj”, shtoi Osmani.
Presidentja Osmani, po ashtu, tha se vlerat e BE-së rrezikojnë të zhvleftësohen pa një perspektivë të qartë me rajonin. Sipas saj, mosintegrimi i vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi që e lë rajonin të pambrojtur ndaj aktorëve dhe kërcënimeve malinje.“Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse këtë vit ne kemi vendosur të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe shpresojmë që mbledhja e radhës e Këshillit, ta mbështesë aplikimin tonë”.Osmani deklaroi se lufta në Ukrainë ka shënuar një pikë kthese për kontinentin evropian dhe se ka ripërcaktuar të ardhmen e tij.“Ajo duhet të jetë një shtysë për veprim të përshpejtuar nga BE-ja, ndaj atyre shteteve që synojnë të anëtarësohen, dhe më e rëndësishmja, atyre shteteve që përkasin këtu”.“Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmë hapa, për sa i përket integrimit”.
Pritjet e opinionit kosovar nga samiti kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, pasi Kosova është i vetmi vend në rajon, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes.
Vërehet se ka rritje të mbështetjes që liberalizimi të bëhet sa më shpejt, por nuk ka pasur indikacione konkrete se kjo do të mund të përfshihej edhe në dokumentet e samitit.


